Provimi i parë, maturantët të 'armatosur' me maska e doreza brenda shkollës! Jashtë saj të grumbulluar dhe pa distancë

Sot u zhvillua provimi i parë i Maturës Shtetërore 2020, ai i gjuhës së huaj. Në gjithë vendin janë 32 126 maturantë që do t'i nënshtrohen testit, që do të zhvillohet në 486 qendra provimi. Ajo që është vënë re është se jashtë shkollës maturantët kanë qenë të dyndur dhe në turma pas asnjë lloj distance, ndërsa i respektojnë masat vetëm në ambientet e shkollës, duke harruar virusin.

Po si do të jenë masat në shkollë këtë vit mature? Në një sallë do të jenë mesatarisht 10 maturantë, dhe bankat do të jenë në një distancë prej 1.5-2 metra.

Maturantët e gjimnazit ‘Sami Frashëri” që u shemb për tu rindërtuar, do t'i japin provimet në dy mjedise, tek shkolla “4 Dëshmorët” dhe “Fan Noli”.  Për herë të parë maturantët do t'i japin provimet në masat anti-covid.

Edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka uruar të gjithë maturantët, të cilët ditën sot do të zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore.

Fillimisht, ajo shpreh mirënjohjen për çdo nxënës, prind e mësues përballimin me sukses në mbylljen e këtij viti shkollor.

Datat e tjera të provimeve të Maturës Shtetërore
1. Gjuhë Shqipe – 11 Qershor 2020
2. Matematikë – 15 Qerhor 2020
3. Provimi me zgjedhje – 18 Qershor 2020

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:13
Matura Shtetërore, 550 punonjës policie të angazhuar për mbarëvajtjen e  provimit dhe shpërndarjen e ruajtjen e materialeve

550 punonjës policie dhe 50 automjete policie u angazhuan për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimit të parë të Maturës Shtetërore 2020.

Nga Patrullat e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit “Për marrjen e masave për shoqërimin e automjeteve të Postës Shqiptare me materialet e provimit të Maturës Shtetërore të datës 07.06.2020”, u bë shoqërimi i materialeve të provimit në 9 linja apo destinacione të ndryshme në të gjithë vendin, ku nga Policia e Shtetit ishin të angazhuar 18 punonjës police dhe 9 automjete të Policisë.

Gjatë natës, deri në orën 08:00, 50 punonjës policie siguruan ambientet ku u vendosën materialet për zhvillimin e provimit të Maturës Shtetërore.

Në rreth 486 shkolla, në të gjithë vendin, sot u zhvillua provimi i parë i Maturës Shtetërore 2020 dhe për sigurimin e mbarëvajtjes së provimeve.

Nga të  gjitha strukturat vendore, në zbatim të planeve të masave të përgatitura për këtë qëllim, u morën të gjitha masat e nevojshme për të monitoruar nga jashtë, me shërbime policore, gjithë procesin e provimit në të gjitha shkollat ku u zhvillua provimi.

Drejtoria e Rendit Publik monitori shpërndarjen, ruajtjen e materialeve të provimeve të Maturës Shtetërore, garantimin e rendit e sigurisë për zhvillimin sa më normal të provimit si dhe grumbullimin e gjithë materialeve pas përfundimit të provimit.

Aktualisht po grumbullohen materialet nga shkollat në Zyrat Vendore Arsimore për t’u shoqëruar nga shërbimet e Policisë, në drejtim të QSHA Tiranë.

Ora 13:07
FOTO-VIDEO/ Puthje, përqafime e lot, maturantët dalin nga provimi i gjuhës së huaj

Maturantët kanë mbyllur provimin e maturës shtetërore të gjuhës së huaj, provim që nisi në orën 10 dhe ka zgjatur për 2 orë. Disa nga maturantët kanë dalë me lot në sy e disa të gëzuar, ku janë puthur dhe përqafuar me prindërit që i prisnin jashtë shkollës.Ata thanë se provimi nuk ishte i veshtire. 

"Ishte provim i lehtë. Masat i respektuam, mbajtëm maska"

"U respektuan masat kundë koronavirusit"

"Besoj se jemi përgatitur mirë"

"Nuk ishte i vështirë provimi"

Ora 12:39
Hajdari uron maturantët dhe i jep mesazhin: Shqipëria do të ndryshojë, të bëhemi bashkë

Deputetja e opozitës në parlament, Rudina Hajdari ka uruar maturantët që sot nisën provimet e maturës. Në një postim në Facebook, Hajdari thotë se shumë prej të rinjve duan të largohen pasi i është mbushur mendja se ky vend nuk bëhet.

Deputetja shprehet e bindur se Shqipëria do të ndryshojë, prandaj duhet ‘të rrimë e të bëhemi bashkë’.

“Suksese nga zemra të gjithë maturantëve që sot nisën provimet e maturës! Jam e bindur se të gjithë ju mezi prisni t’i bëni prindërit krenarë dhe të realizoni ambiciet tuaja, për t’i hapur derën suksesit dhe të ardhmes. Dikush do bëhet mjek, dikush inxhinier, dikush jurist, dikush arkitekt, dikush studiues apo profesor. Ju uroj suksese, por çfarë uroj me shpirt për të gjithë ju është që ëndrrat t’i realizoni në Shqipërinë tonë. E di që shumë prej jush duan të largohen, e di që shumicës tuaj i është mbushur mendja se ky vend nuk bëhet e nuk ju meriton. Shumë mendojnë se këtu fiton shpesh nepotizmi e jo meritokracia, se ia del matrapazi dhe jo i ndershmi, se ngadhnjon pazari dhe jo ideali. Shumë mendojnë se jemi vend i varfër por kjo nuk është e vërtetë. Jemi thjesht të vjedhur dhe të tradhtuar nga ata që zgjedhim si menaxherë të pasurisë kombëtare. Ky realitet do vazhdojë kështu nëse ju, të dashur maturantë, do vazhdoni të ikni. Unë e kam bindje se Shqipëria do të ndryshojë. Prandaj duhet të rrimë e të bëhemi bashkë! Suksese dhe kurajo”, shkruan Hajdari.

 

Ora 10:31
Basha uron maturantët për provimet: Punojmë për të ardhmen tuaj dhe të hapim vende pune (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot maturantët shqiptarë për çeljen e sezonit të provimeve për Maturën Shtetërore. I vendosur në shkollën pedagogjike, Normalja e Elbasanit, Basha shprehet se sfida e politikës është të sigurojë një të ardhme sa më të mirë për to.

“Përshëndetje të dashur miq. Sot dua t’i uroj suksese maturantëve për provimin. Nga qyteti i Normales, nga zemra e Shqipërisë, nga Elbasani, qytet të cilin kam pasur nderin ta përfaqësojë disa vite ne parlament. Sot ndodhem pranë qytetarëve të Elbasanit. Elbasani i Normales, i qytetarisë, i arsimit, është vendi më i përshtatshëm që t’i urojmë maturantëve suksese. Sfida juaj është që të dilni sa më mirë në këto provime, sfida jonë t’ju dhurojmë një të ardhme sa më të sigurt. T’ju sigurojmë një ekonomi që të punojë për ju dhe t’ju japë vende pune. Sa më pak stres dhe mundime për prindërit tuaj. Ju përshëndes nga Elbasani i Normales, sot në ditën e provimit të Maturës”, tha Basha.

Ora 10:10
Maturantët në Korçë zbatojnë rregullat vetëm në shkollë, jashtë saj harrojnë virusin (VIDEO)

Me maska dhe doreza maturantët e Korçës u janë drejtuar shkollave për të dhënë provimin e parë shtetëror. Përpara hyrjes në klasë maturanteve iu dezinfektuan duart si dhe iu mat temperatura.

Në Korçë janë 938 maturantë dhe 16 qendra provimi. Ndërsa në të gjithë qarkun e Korçës janë 6600 maturantë dhe 122 qendra provimi.

Ndërkohë që maturantët janë shprehur se 'periudha e pandemisë ndikoi në përgatitjen e tyre, por shpresojnë se do të dalin mirë".

Edhe në Korçë, distanca respektohej brenda shkollës kurse jashtë saj nxënësit qëndronin të grumbulluar pranë njeri-tjetrit.

Ora 09:50
Problematike situata në Kukës, maturantët të grumbulluar jashtë derës së shkollës (VIDEO)

Problematike situata në Kukës, ku maturantët jashtë derës së shkollës janë të grumbulluar pa asnjë lloj mase, ndërsa ata që kanë maska e doreza janë të pakët në numër.

Ditën e sotme në qarkun e Kukësit i nënshtrohen provimit të gjuhës së huaj, 610 maturantë, në 8 gjimnaze, 2 brenda në qytet dhe 6 në njësitë administrative.

Ora 09:30
Fier, maturantët të grumbulluar, pa maska e doreza (VIDEO)

Në qytetin e Fierit maturantët janë shfaqur para shkollës pa maska e doreza, që i kanë detyrim para se të hyjnë në shkollë. Ata janë shfaqur të grumbulluar në dyert e shkollës duke qëndruar pranë njëri tjetrit pa asnjë masë mbrojtëse. Testimit të maturës për gjuhën e huaj ditën e sotme do i nënshtrohen 1388 maturantë. Në Fier janë 19 qendra provimi, prej tyre 12 në shkolla publike dhe 7 në shkolla private.

Procesi i provimit do të menaxhohet nga 165 administratorë dhe do të jenë prezentë në të gjithë shkollat 20 punonjës policie,  20 përgjegjës provimi, 20 mjek e psikolog për çdo rast nevoje.

Ora 08:59
Tiranë, maturantët e 'armatosur' me maska e dorëza, në distancë për të hyrë në klasë (VIDEO)

Provimi i parë për maturën shtetërore këtë vit do të zhvillohet nën masa të rrepta higjieno-sanitare për shkaka të covid-19. Kamerat e Report Tv është vendosur në shkollën "Petro Nini Luarasi", ku 405 maturantë do i nënshtrohen provimit. Ata janë vendosur në radhë dhe distancë para shkollës dhe se para se të hyjnë do të dezinfektojnë duart.

Maturantët janë pajisur me maska e doreza dhe nuk do të lejohen të hyjnë në shkollë pa to. Nëse ndonjë prej nxënësve nuk i ka këto do i sigurohen nga shkolla.

Atyre do u matet temperatura dhe nëse e kanë 37.5 nuk do të lejohen të hyjnë në provim dhe do e japin atë në sezonin e vjeshtës.

Provimi do të nis në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë nga 2 orë e 30 minuta që ka qenë herët e kaluara.

Ora 08:58
748 maturantë në Berat i nënshtrohen testit të gjuhës së huaja! Brenda shkollës respektim distance, jashtë saj nxënësit të grumbulluar (VIDEO)

Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Berat 748 maturantët i nënshtrohen sot testit të maturës për gjuhën e huaj. Maturantët e 13 shkollave të mesme janë paraqitur me maska e doreza dhe presin në radhë në hyrje të shkollës për t'u futur në provim.

Ruajtja e distancën brenda ka shkollës është respektuar, ndërsa jashtë saj vërehet se maturantët janë të grumbulluar pa respektim distance, ku vihet re dhe prani e prindërve.

Sipas rregullave të vendosura nga ministria e Arsimit brenda klasave nuk do të ketë më shumë se 10-15 nxënës dhe distanca mes tyre është 2 metra.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Meta sulmon sërish Altin Dumanin: Nuk i druhem një prokurori që s’di të thotë dy fjalë

Meta sulmon sërish Altin Dumanin: Nuk i druhem një prokurori që s’di të thotë dy fjalë