Kërkesat e Metës për Teatrin Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese, seancë me debate! Nuk pranohet kërkesa e Presidencës për dëshmitarët, lihet kohë për provat

Gjykata Kushtetuese shyqrtoi sot kërkesën e Presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar. Presidenti Meta kërkoi në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e  kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Meta e vendosi theksin te fakti që sipas tij fituesi është paracaktuar me ligji.

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Presidencës për thirrjen e dëshmitarëve ndërkohë që ka lënë afat që brenda datës 8 qershor të sillen edhe dokumente të tjera që janë kërkuar nga kërkuesit. Ndërkohë që është shtyrë vendimi në mënyrë që të shqyrtohen provat shtesë. Subjektet kanë të drejtë po në këtë datë për t'i marrë këto dokumente

Ndërkohë që është lënë afat deri më datë 10 për shpjegimet shtesë.  Subjektet e interesuara nëse duan të paraqiten me një ekspert në lidhje me këtë çështje.  Seanca e radhës është përcaktuar për më 15 qershor

Këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj, deklaroi më herët se se Këshilli i Ministrave nuk ka vënë në dispozicion dokumentet që janë kërkuar që prej korrikut të 2019-ës. Prej gati dy vitesh, sipas Dervishajt, institucionet nuk kanë dhënë provat që Meta ka kërkuar, ndërsa disa prova janë vënë në dispozicion në datën 2 qershor, në mëngjes. Për 24 orë, sipas Dervishajt nuk mund të analizohen.

"E kemi pritur prej dy vitesh këtë seancë. Nuk është marrë në shqyrtim kërkesa për prova shtesë. Kemi 2 vite që kërkojmë prova shtesë dhe ende nuk i kemi marrë. 24 orë nuk mjaftojnë për të shqyrtuar dokumentet, nuk shprehemi në këtë seancë. Vetëm dje Këshilli i Ministrave i ka vënë në dispozicion dokumentet. Ne duam që të njihemi me provat dhe të caktojmë një tjetër seancë", ka thënë Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.

Dervishaj në seancë kërkoi që Kushtetuesja të marrë provat shtesë dhe konkretisht:

1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar.

2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit.

3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit.

4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës.

5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture.

6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike.

7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës.

8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike.

9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin Kombëtar.

10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm.

11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit.

12. Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje.

13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën.

14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë.

15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës.

16. Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion?

17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Kërkojmë praktikën e procedurës.

18. Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

19. Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.

20. KLSH i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës të detyrojë bashkinë t'a ndërtojë teatrin, aty ku ishte, me të njëjtën arkitekturë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:33
Kushtetuesja i jep kohë për prova Presidencës, Aleanca për Teatrin: Fitore momentale, kemi besimin se do vendosë demokracinë në vend

Gjykata Kushtetuese i jep kohë për provat shtesë Presidencës për t’i paraqitur për çështjen e   Teatrit Kombëtar, por kjo është interpretuar si fitore nga ana e Aleancës për Teatrin. Regjisori Edmond Budina tha pas seancës se në rastin e Teatrit, morali dhe ligji janë dhe shprehu bindjen se Kushtetuesja do të japë vendim të drejtë për të ngritur demokracinë në vend.

“Sistemi i drejtësisë i çdo vendi e ruan moralin. Por jo gjithmonë ligji përshtatet me moralin. Në rastin e teatrit, është e qartë se morali dhe ligji janë bashkë, pasi është një aferë korruptive. Jemi besimplotë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim të drejtë se me teatrin kombëtar ngrihet demokracia në këtë vend”, tha Budina.

 Edhe juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Adriana Kalaja e konsideroi vendimin një fitore për momentin. Ajo tha se në seancë të paraqitet edhe një ekspert për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ku do të vërtetohet sipas saj se teatri Kombëtar ka qenë një vepër arti.

“Ne parashtruam disa kërkesa paraprake. Nga këto kërkesa dy nga 3 u pranuan. Kjo është fitore e momentin. Sot e çmojmë se nisi çështja në Gjykatën Kushtetuese. Ato që kemi kërkuar ne, mënyrën se si e kemi ngritur çështjen në Kushtetuese, do ta detyrojmë që të jetë pro teatrit. Kërkuam marrjen e provave që daton që në 1937 që kanë të bëjmë me blerjen e votës. Ne kemi parashtruar në kërkesat paraprake se jo vetëm që jemi bashkuar me palën e presidentit, si palë e trete, po kemi kërkuar përveç dëshmitarëve pe të na lënë të paraqesim ekspertë. Eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, një ekspert që ka dijeni të posaçme. Ngërçi është se palët e interesuara, duke nisur nga Kuvendi, Kryeministria, ministria e Kulturës dhe asaj të Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Ne do të vërtetojmë se teatri jo vetëm që ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture, por heqja është bërë për t’ju hapur rrugë prishjes së Teatrit.”, tha Kalaja.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj u shpreh se ka besim që vendimi i Kushtetueses do të sjellë demokracinë në vend

"Pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë. Por nga ana tjetër gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar që për fat të keq u cenuar, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani”, tha Dervishaj.

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Izraeli i kundërpërgjigjet Iranit, goditet një bazë ushtarake në Isfahan

Izraeli i kundërpërgjigjet Iranit, goditet një bazë ushtarake në Isfahan