Speciale/28 vite nga tragjedia mbi
Llogara, lotët s'janë tharë ende...

Speciale/28 vite nga tragjedia mbi<br />Llogara, lotët s'janë tharë ende...<br>
Ishte një prej ngjarjeve më tragjike për ushtrinë shqiptare. Enver Haka ndërroi jetë më 22 nëntor 1989 në Llogara. Haka, efektiv i Forcave të Armatosura së bashku me kolegët e tij u dërguan me helikopter në të dalë të Himarës për të shpëtuar 14 studentët dhe 3 pedagogët e Institutit Bujqësor, të cilët ishin aksidentuar rëndë.

Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës të ushtarëve të bazës ajrore të Farkës për të shpëtuar njerëzit, për shkak të kohës jo të përshtatshme për të kryer misionin humanitar, ata iu bashkuan të njëjtit fat. Helikopteri u përplas. Aty u shua drita e fundit për Enver Hakën, 32 vjeçarin.

Asnjëherë nuk e mendojmë se mund të gjendemi të vdekur të nesërmen, apo qoftë edhe në këtë sekondë. Edhe bashkëshortja Flora Haka, u gjend e papërgatitur nga vdekja e të shoqit, edhe pse nuk ishte hera e parë që ai shkonte në shërbim... por Flora rrëfen për Report Tv se mblodhi forcat dhe ja doli. 

Në jetë fati të pret në besë, edhe unë kështu kam bërë dhe e kam bërë atë jetën duke u përpëlitur në rrugët e saj. Jam ngritur, kam rënë përsëri jam ngritur e kam vazhduar përpara. Dhe me thënë të drejtën, fëmijët mu rritën mu bënë të mirë, më kanë nderuar dhe unë sot ndihem e plotësuar dhe jetoj me krenarinë e bashkëshortit tim dhe e lumtur me dy fëmijët e mi që janë thesar”, thotë 62 vjeçarja për Report Tv.

Ndaj, hero nuk mbetet vetëm ai që bie dëshmor por edhe njeriu që kur rrëzohet gjen forcën për t’u ngritur sërish. 62-vjeçarja luftoi për dy fëmijët e saj. Flora Haka është një heroinë. Flora rikthehet pas në kohë dhe tregon me zërin e dridhur ngjarjen e kobshme që çdokush prej nesh e ka dëgjuar, si dhe përzierjen e emocioneve që ndjen teksa kujton.

“Bashkëshorti im ka qenë  efektiv i këtij reparti dhe në vitin 89 një autobus me studentë shkoi për të bërë praktikat mësimore në Sarandë dhe gjatë rrugës në kthim autobusi ra. Studentët ishin në gjendje shumë të rëndë dhe ekuipazhi i këtij reparti, sic më tregonin shokët e tij, ishin duke lozur shah, e lanë lojën përgjysmë dhe u nisën në detyrë për të ndihmuar studentët. Gjatë kthimit, koha shumë e keqe të dy helikopterët ranë, njëri në Llogara dhe tjetri në Vuno, ishin ekspertët, ishin studentë e pedagogët e tyre, teknikët, pilotët mjekët dhe mes tyre ishte dhe bashkëshorti im që dha jetën për të shpëtuar ata”, tregon Flora.

Por si e ka marrë vesh zonja Haka, lajmin se i shoqi nuk jeton më?  “ Në fakt aksidenti kishte ndodhur që në darkë por shokët e tij kishin pritur dritën që të zbardhte për të më dhënë lajmin.. Dhe atë natë djali vetëm më qante. Në mëngjes troket dera, ora 6. Kur hap derën, ishte Flora komshia e katit të tretë që më tha ‘vishu shpejt se Enveri është në gjendje të rëndë’. I vesha rrobat ashtu mbrapsht siç ishin dhe dola, kur shoh shumë aviator aty.

Më thanë futu brenda, qetësohu. U futëm brenda dhe njëri prej shokëve më tha “Flora, Enveri ka qenë trim’, por unë mësuese letërsie edhe thashë ‘ka qenë, ç’është kjo fjalë’, m’u duk e pavend. Një tjetër komshie më mori në dhomë, edhe më tha ‘Flora bëhu e fortë se Enveri të la’. Cdo gjë m’u rrokullis, m’u duk sikur u përmbys gjithë bota në këmbët e mia.

Një ulërimë që edhe muret jo vetëm të dhomës, por edhe të pallatit dhe të gjithë lagjes kanë oshëtirë. Edhe djali i vogël që po flinte, u zgjua. Pastaj të tre ashtu, nuk do e harroj kurrë atë mbështjelljen e djalit të madh. Pastaj dola para shokëve të tij, dhe u dhashë dorën të gjithëve
”, tha zonja Haka.

Edhe djali i vogël i familjes Haka, Ervini ka pasur dëshirën të ndjek rrugën e të atit, por kjo tashmë në moshën 30 vjeçare ka mbetur thjesht një ëndërr e papërfunduar.  “Kisha shumë dëshirë , dhe madje iu dha mundësia nga Ministria e Mbrojtjes të vazhdonte shkollën në Turqi, dhe shkoi vetëm për atë dëshirën që t’i ngjante të atit”, tha bashkëshortja e Enver Hakës.. 

Flora Haka si mësuese gjuhë letërsie, pasi mblodhi forcat nga humbja e të shoqit, shkroi vargje për të. Kur një poete bie në dashuri, partneri i saj mbetet i pavdekshëm. 

Trishtimi erdhi pa trokitur, herët në agim, kur po flija në gjumin pa ëndrra që s’do kishte kurrë mbarim, zgjati dorën dhe pushtoi, shpirtin që aq thellë rënkoi. .. ose këto vargjet për djemtë ”Dritë për jetën, janë dritë për jetën se më bënë të jetoj, janë dritë për jetën që më pushtoi, se dritë i dhanë shpirtit tim, që atë çast kur mbeta vetëm në natën thellim” kujtoi vargjet e shkruara mëngjesin e 22 nëntorit, zonja Haka...

Dhe po, Flora Haka sot e ka mundur dhimbjen! 

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Bekim Balaj kërkon ndihmën e tifozëve: Me ta e përmbysim Egnatian

Bekim Balaj kërkon ndihmën e tifozëve: Me ta e përmbysim Egnatian