SPECIALE/ ‘57 ngjarje të ndryshme kriminale që u pasuan me 65 viktima’/ 2020-ta, nga ekzekutimet tek dorëheqja e Lleshajt (VIDEO)

TIRANË- Ishte ngjarja më e bujshme mes 57 të tillave në 2020. 25-vjeçari Klodian Rasha u vra në afërsi të banesës.

Orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit. I riu Klodian Rasha doli nga shtëpia për të blerë cigare në orë policore. Në afërsi të një trungu peme në rrugën “Dritan Hoxha” 25-vjeçari u pa nga patrulla e policisë. Dy efektivët e policisë së repartit “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore, i kërkuan të riut të ndalonte për t’a pyetur nëse kishte apo jo leje për të lëvizur në atë orar.

Pas vrasjes ata dëshmuan se Rasha nuk u ishte bindur dhe  vraponte. Në ndjekje e sipër, dy efektivët Hajdaraj dhe Gjore i kanë parë të riut një send në dorë, në dukje si armë. Disa sekonda më vonë Klodian Rasha  hyri në një rrugicë të ngushtë pranë  banesës së tij. Në drejtim të tij është qëlluar me dy plumba.

Efektivi Nevaldo Hajdaraj ishte personi që qëlloi Klodian Rasha në një moment që atij i është dukur se po i rrezikohej jeta. Njëri prej plumbave e kapi të riun pas shpine, dhe në pak sekonda është shtrirë në tokë.  Vijon të mbetet e paqartë nëse Klodian Rasha ka vdekur nëvend, apo gjatë rrugës për në Spitalin e Traumës. Në orën 03:26 të mëngjesit policia u ngut të njoftonte ngjarjen.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e punonjësit të policisë për të ndaluar, përsëri i riu nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje si armë.  Në asnjë moment, policia nuk përmend që të riut i ishte gjetur dhe sekuestruar me vete një armë. Në një njoftim të dytë, në orën 08:20 të mëngjesit policia njoftoi se kishte patur me të vërtetë një armë në vendin e ngjarjes. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste Klodian Rashës, i mbetur viktimë në këtë ngjarje.

31 vjeçari Nevaldo Hajdaraj ishte shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, hetimet po kryheshin nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Tiranës.  Në një komunikim të orës 16:31 të asaj dite SHÇBA njoftoi arrestimin e efektivit të Shqiponjave, Nevaldo Hajdaraj. Sipas SHÇBA, Hajdarajt kishte kaluar kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Dyshohet se veprimet e bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.Grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Ngjarja tronditi opinionin publik. Familja Rasha hapi dyert e mortit. I ati, Qazim Rasha kërkon drejtësi për vrasjen e të birit.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha shkaktoi tërmet reagimesh. Protesta të dhunshme u kryen për disa ditë më radhë, kërkohej largimi i Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Për disa ditë me radhë, të rinjtë vërshuan para Ministrisë së Brendshme, Kryeministrisë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, duke shkatërruar gjithçka çfarë u dilte para dhe goditur efektivët e FNSH-së me mjete të forta. E gjitha nën sloganin: Drejtësi për Klodianin!

Në ditën e katërt të protestave të dhunshme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi dorëheqjen dhe largimin nga ministria që e drejtonte prej më shumë se dy vitesh.

"Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së Klodian Rashës, por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë", tha Lleshaj. 

Largimi i Sandër Lleshajt nuk qetësoi protestuesit edhe për disa ditë. Ata dolën sërish në rrugë për të kërkuar rrëzimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, edhe për disa ditë. U arrestuan 93 të rinjë, një pjesë e tyre të mitur, dhe u proceduan penalisht 314 të tjerë. 26 efektivë policie u plagosën, në mesin e tyre njëri rrezikon të humbas përgjithmonë shikimin dhe u dërgua jashtë vendit për mjekim të specializuar.

Vrasja e Klodian Rashës nga efektivi Nevaldo Hajdaraj po hetohet tashmë nga drejtësia, ndërsa Prokuroria e Tiranës pavarësisht se njoftoi se do t’i kërkonte gjykatës ndryshimin e veprës penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” në “Vrasje me dashje”, deri më sot akoma nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Po ashtu, pritet në vijim edhe rezultati i ekspertizës së armës së gjetur në afërsi të vendit të ekzekutimit të 25-vjeçarit Rasha, për të kuptuar nëse arma ishte e tij apo jo. Drejtësia ka premtuar paanësi.

2020-a u mbyll me 57 ngjarje të ndryshme kriminale që u pasuan me 65 viktima. Nga hakmarrjet e deri tek përplasjet mes bandave. I krahasuar me një vit më parë, numri i ngjarjeve kriminale është i njëjtë. Janë 57 ngjarje të regjistruara në të dyja vitet, në 2020-ën, ashtu edhe në vitin 2019. Dallimi bëhet vetëm në numrin e viktimave, ku në vitin aktual janë dy të vdekur më shumë,

Mëngjesin e 7 janarit, në qendër të qytetit të vogël të Rrëshenit u ekzekutua me një plumb në zemër Kastriot Reçi në sy të një fëmije të mitur. Ngjarja nuk është zbardhur akoma. Kurse hakmarrja me fisin Gjini po në Rrëshen vazhdon.

Eleminimi i Kastriot Reçit, pasoi me një tjetër atentat, tashmë të zhvendosur në kryeqytet. Pasditen e vonë të 15 shtatorit, kryeqyteti u trondit nga një shpërthim i fuqishëm. Persona ende të paidentifikuar, sot e asaj dite, kishin vendosur lëndë plasëse në mjetin me të cilën udhëtonte Preng Gjini. Për pasojë ai mori plagë të rënda në trup, ndërsa dy kalimtarë të rastit mbetën të dëmtuar.

Fiks tre muaj pas atentatit të Preng Gjinit në Tiranë, Rrësheni do të tronditej sërish. Në pasditen e 15 dhjetorit u qëllua në drejtim të 50-vjeçarit Anton Keli, kushëri i Preng dhe Armando Gjinit. Ky i fundit i ekzekutuar në verën e 2019-ës. Dyshohet se autorët po e ruanin dhe 51-vjeçari u qëllua duke zbritur nga makina.

Hetuesit kanë dyshime se këto vrasje kanë lidhje me njëra-tjetrën, ngjarje që në 5 vitet e fundit kanë shkaktuar 5 viktima mes dy fiseve, në disa vende të Europës. Deri tani, përveç dyshimeve nuk ka asnjë provë shkencore, asnjë të arrestuar.

Përgjatë këtyre muajve, Tirana shënoi jo pak atentate e vrasje të tipit mafioz. Më 17 janar, në Kamëz u rrëmbye Jan Prenga. Pas javë hetimesh, policia tha zyrtarisht se ai ishte vrarë. Në kërkim, si autor kryesor vijon të mbetet Altin Hajri, që sipas policisë ishte porositur nga një tjetër grup kriminal që merrej me trafikun e drogërave të forta. Jan Prenga u fsheh fillimisht në kompleksin “Golden” në Shijak, ndërsa trupi i pajetë i tij nuk është gjetur ende. Kërkimet nuk janë pushuar që prej shpalljes së tij të humbur. Hetimet zbuluan se Prenga u mor peng dhe u vra për shkak të një sasie kokaine të të vëllait të tij, Antonio Prenga, prishje pazaresh mes bandash në Evropë.

Pas disa muajsh qetësie, kryeqyteti u trondit sërish. Ishte mbrëmja e 11 qershorit, kur krismat e plumbave riktheheshin në Tiranë. Në zonën e “Komunës së Parisit”, u ekzekutua brenda automjetit të tij, Hekuran Billa.

Nuk kaluan shumë ditë, kur policia zyrtarizoi arrestimin e autorëve të dyshuar. Viktor Marku, bashkë me nipin Sebastian Mali, mori hakun e të vëllait, Prel Markut. Ky i fundit ishte vrarë në Angli në 2006-ën nga Hekuran Billa. Për krimin, Billa ishte dënuar përjetë, por më pas përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Ishte gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila dha firmën për daljen e tij nga burgu. Për shkak të këtij vendimi të paprecedentë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të nis procedurat e shkarkimit të saj nga detyra si gjyqtare.

Viti 2020 do të ishte sërish betejë gladiatorësh për luftë territoresh në qëndër të vendit. Qyteti i Elbasanit do të tronditej sërish, disa here brenda pak ditësh.

Në 22 dhe 29 korrik u ekzekutuan Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj. Të dy ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën. Policia arrestoi dy autorët e dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërsa si porositës të tyre, prangosën Erion Alibejn, për të cilin dyshohet se është edhe organizator në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në mëngjesin e 17 shtatorit po të këtij viti. Edhe kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje mes grupeve kriminale të qytetit të Elbasanit.

Qyteti i Durrësit nuk do të ishte aspak i qetë edhe përgjatë këtij viti. Në mesin e ngjarjeve kriminale është edhe atentati ndaj dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia. Në këtë vrasje të dyfishtë, një nga dy autorët e arrestuar bashkëpunoi me drejtësinë. Ai u tha hetuesve emrat e personave që kishin porositur krimin apo kush kishte dijeni për të. Mes tyre ishte edhe emri i Talo Çelës.

Talo Çelën policia e kishte në kërkim si një nga autorët e grabitjes së miliona eurove brenda pistët së aeroportit të Rinasit më 9 prill të vitit 2019. Pavarësisht kërkimeve nga policia, Talo Çela akoma nuk është lokalizuar, ndërsa për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e tij policia ka vënë në dispozicion 10 mijë euro. Deri tani, asnjë telefonatë!

Ky vit ka regjistruar të vetmen vrasje zyrtarisht për kanabisin. Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj u shpallën të zhdukur, ndërsa trupat e tyre të pajetë u gjetën pas pesë ditë kërkimesh në datën 8 tetor në një zonë malore në Malësi të Madhe. Vilson Çutaj u qëllua pas koke me një plumb nga një distancë prej 3 apo 4 metra, duke mbetur i vdekur në vend. Danjel Pepaj, autori i vrasjes ka qëlluar me një plumb pas shpine edhe kushëririn e tij Klement Pepaj, duke e lënë gjithashtu të vdekur në vend. Autori Danjel Pepaj vijon të jetë në kërkim nga policia, ndërsa deri tani nuk është lokalizuar. Dy viktimat dhe autori dyshohet se janë konfliktuar për shkak të vjedhjes së një sasie lënde narkotike të llojit kanabis sativa.

Pavarësisht një qetësimi të situatës përgjatë muajve të karantinës në prill, maj dhe qershor, krimi u rikthye sërish më të njëjtat përmasa në muajt në vazhdim. Vetëm përgjatë muajit dhjetor janë regjistruar nëntë ngjarje kriminale, të cilat kanë prodhuar 10 viktima.

Në mesin e tyre, përveç Klodian Rashës është edhe efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhulio Prela. 26-vjeçari po kthehej nga Shkodra në orët e para të mëngjesit të 5 dhjetorit, ku u ekzekutua me një tek plumb në gjoks. Ngjarja është zbardhur, në pranga është vënë një person dhe ka edhe të tjerë të dyshuar që janë në kërkim. Gjithçka mendohet të ketë ndodhur për një konflikt çasti, të shkaktuar nga dritat e gjata të makinës.

Viti 2020 ka regjistruar një numër të konsiderueshëm edhe të rasteve të krimit brenda familjes, apo për motive të dobëta. Një ngjarje që kalonte përmasat e çdo imagjinate ishte ajo e ekzekutimit të Firdez Çekiçit nga i biri, Olsi Çekiçi. 44-vjeçari, i cili vuante nga probleme mendore dhe ishte përdorues i lëndëve narkotike i preu kokën të ëmës. Ngjarja horror ndodhi në fshatin Buçimas të Pogradecit.

Armët nuk pushuan as në tre muajit e karantinës së Covid-19. Edhe pse pati ulje të shifrave të krimit, në tre muaj u prodhuan 11 viktima. Beteja ishte e ndezur!

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Flori: 31/12/2020 20:00

    65 te vrare ne vit jane 1 i vrare c'do jave ne vit ....c'fare beni o shqiptare....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

 Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit

Fundjavë me shi e borë, vijon dhe i ftohti! Parashikimi i motit