SPECIALE/ Libri në kohë COVID-i, si erdhi panairi i 24-ët?

Me një ftesë të hapur për të gjithë ata që e duan librin dhe leximin, Panairi i Librit 2021 organizoi  edicionin e tij të 24-ët me një sërë aktivitetesh ku të ftuar vizitorë, shkrimtarë vendas e të huaj iu bashkuan ngjarjes më të rëndësishme kulturore të vitit.

Rikthyer fizikisht pas më shumë se një viti mungesë për shkak të pandemisë së COVID-19, ku Panairi u përshtat virtualisht, festës tradicionale të librit nuk i munguan as këtë vit dashamirësit dhe lexuesit të vegjël.

“Më pëlqejnë librat shumë. Është një libër që është si film dhe unë e kam parë”, shprehet një vajzë e vogël.

“Librat i kam qejf. Nga librat e mi të preferuar është “Harry Potter”. Do ia rekomandoja dhe shokëve”, thotë një djalë.

“Më pëlqejnë shumë librat dhe libri që do i rekomandoja shokëve të mi “Gjyshja Gango” dhe “Halla e Tmerrshme” sepse janë shumë të bukur. Libri që po lexoj unë tani është “Qofte miu”, thotë një vajzë tjetër.

Në një kohë të vështirë si kjo e pandemisë së Sars-Cov-2 kur ëndrrat dhe planet për të ardhmen duken disi të ngatërruara ja cilat janë sfidat e Klajdi Thaçit, i riu,  i cili këtë vit erdhi në panair si autor i librit të tij të parë “Sfidat e një humani”.

“Për mua është hera e parë që vij si autor në Panair. Edhe pse kam filluar që të shkruaj herët poezi, kur isha adoleshent. Idenë për romanin e kam patur 7 vite më parë.  Dhe pas shtatë viteve mendova se erdhi koha për të shkruar këtë roman. Këtë vit gjeta kohën për ta shkruar sepse autori duhet të jetë i ftohtë dhe të kuptojë kohën kur duhet shkruar. Ky libër lidhet me keqinterpretimin që i bëhet shpesh realitetit. Kam trajtuar historinë e personazhit Truentit, i cili është ithtar i së vërtetës, për të ka shumë rëndësi t’i njohë njerëzit duke njohur anën e mirë të tyre po në vend të kësaj ai shpesh zbulon anën e errët të tyre. Sfida e tij është të vendosë drejtësi.  Kjo është sfida më e madhe në këtë roman për t’i shkuar të vërtetave deri në fund", tha autori Kladi Thaçi.

Ndërsa Klajdi provonte rreshtat e parë në romanin e tij, Namik Dokle ishte ai që shkroi për “Kolerën në kohën e Dashurisë”. Kolera është vetëm një metaforë e kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, ndërsa autori ia kushton librin 4 poetëve të vrarë në diktaturë.

"Mua më interesojnë viktimat e historisë. Dhe më shumë në romanin “Kolerë në kohën e dashurisë”, unë u jam përkushtuar botës së brendshme, vuajtjeve , jetës të atyre që kanë jetuar kolerën në kohën e dashurisë”. Realisht nuk ka sëmundje kolerë në këtë roman të atyre që kanë vuajtur prandaj romani i kushtohet poetëve të vrarë dhe të varur... Dashurohen dy studentë, Valmiri dhe Antigona dhe këta të dy në një moment pasi kanë marrë pjesë në demonstratat e Dhjetorit, vendosin të shkojnë të kërkojnë eshtrat e poetit dhe nuk i gjejnë", u shpreh Dokle.  

I ardhur si një udhështegtim i poetit e politikanit, Dokle vjen  këtë herë si romancier, dokumenton  e kthen kohën pas në të shkuarën, aty ku përplaset e djeshmja me të sotmen.

"Në Shqipëri në atë kohë janë ekzekutuar 4 poetë, Trifon Xhagjika, në 1963, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela që u var në 1988.  Kam takuar vëllanë e Havzi Nelës dhe ai më ka treguar se si ju gjetën eshtrat", vijon Dokle.

Jo pak vështirësi viti pandemik ka sjellë edhe për botuesit, të cilët pavarësisht shitjeve online vënë re një zbehje të interesit të lexuesit për librin dhe kjo sipas tyre vihet re dhe tek rënia e numrit të shitjeve.

“Në fakt mezi e këmi pritur këtë Panair, mbas një viti pauzë. Na kishte munguar ky komunikimi i drejtpërdrejt me lexuesin, për të thithur opinionet e tyre e për të ndjerë emocionet. Kemi përfshirë këtë vit rreth 50 botime të reja. Është si një e dhënë bese Panairi për lexuesin shqiptar. Mund të ketë patur pak krizë në shitje, në momente të caktuara sidomos kur u vendos sistemi i izolimit. Shtypshkronjat punonin, por libraritë ishin mbyllur  dhe tregtia mbeti bosh. Por, kjo situatë ndryshoi shumë shpejt pasi filluam të hidhnim hapa përmes komunikimit online me lexuesin. Janë zhvilluar aktivitete të shumta, siç ishte dhe Panairi Online dhe të gjitha këto e zbutën efektin negative që la pandemia", tha Irena Toçi, drejtoreshë e Shtëpisë Botuese Toena.

Nisur si një rrugëtim 2 vite më parë për to, studiueset e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe Dhurata Shehri dhe Persida Asllani kanë vazhduar punimet “ Për një histori të letërsisë së Krahasuar Shqipe” të pandikuara nga një pandemi si kjo.

“Në kuadër të një konference që Departamenti i Letërsisë organizonte për përkthimet Dhurata më bëri pjesë të idesë të saj. Në mënyrë sistemike punën për këtë libër e nisëm para dy vitesh”, shprehet Asllani.

“Ky libër ka lindur si një ide, për ta konsideruar Historinë e Letërsisë një histori marrëdhëniesh me Letërsinë Botërore. Një histori ku Letërsia Shqipe tregohet në momentet më të rëndësishme të saj, të ushqimit të saj nga Letërsinë Botërore, nga letërsitë fqinje me të po edhe  letërsitë e afërta apo të largëta me të siç është letërsia italiane…Specifikisht, për mësuesit është një mënyrë shumë e mirë për të propozuar një lexim ndërkëmbyes mes letërsisë shqipe me atë Botërore …”, thotë Shehri.

Për Asllanin krahasimi i rrymave letrare është një mundësi e mirë për të bërë një lexim të kryqëzuar në histori, për të gjetur se ku ndahen dhe takohen Letërsia shqipe e jona me atë botërore.

“Është në radhë të parë një libër, që i drejtohet studiuesve të fushës, studiuesve të letërsisë, pedagogë, studentëve  dhe mësuesve veçanarisht atyre të shkollave së mesme  të cilët japin mësim dhe që mund  t’i ndihmojnë ata të rimodelojnë disa aspekte të mësimdhënies për t’i bërë të lexueshëm shkrimtarë shqiptarë përmes Letërsisë Botërore, përmes atyre rrymave , drejtimeve letrare dhe formave të gjera letrare mes të cilave ata janë shkëmbyer”, shprehet Asllani.

Mbi 90 ekspozitorë dhe kolona veprash nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova  dhe Mali I Zi  u bënë pjesë e Panairit të 24-ët të Librit, organizuar për 5 ditë, deri më 21 Nëntor në Pallatin e Kongreseve. 20 Nëntori ishte dhe data e ndarjes së çmimeve nga juria profesioniste ku Virgjil Muçi u vlerësua si autori më i mirë i vitit me tregimet fantastike "Fajin ma ka gjuha", ndërsa çmimi “Përkthyesi më i mirë” shkoi për Flavia Kabën me veprën "Qyteti i avullit" i Carlos Ruiz Zafon.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Botërori i Klubeve/ Barcelona mbetet jashtë, Bayern 'kualifikon' Salzburgun

Botërori i Klubeve/ Barcelona mbetet jashtë, Bayern 'kualifikon' Salzburgun