SPECIALE/ ‘Rilindja’ nga jeta gjatë sistemit komunist, Rita Petro rrëfehet për librin e saj më të ri ‘Lindur së Prapthi’

Copëza përjetimesh dhe kujtime të ngjizura pa datë dhe orë i shërbyen si motivi kryesor shkrimtares Rita Petro për të sjellë librin e saj të parë në prozë, nën titullin “Lindur së Prapthi”. Një vështrim së prapthi i botës së qënies, që rritet duke e parë botën vertikalisht, romani sjell individin që jeton lirinë e tij, në kufijtë e kohës së sistemit komunist.  

E nisi 2 vite më parë për ta shkruar.  Kujtimet e saj që në vegjëli ishin një album fotografik i copëzave të përjetimeve të ruajtura që u ngjizën dhe u ruajtën, pa data dhe orë në ëndrrat e një fëmije që e rigjen veten të “lindur së prapthi”. Dikur gjyshja e saj, i thoshte shpesh: “Ti ke lindur anapodha (së prapthi)”.

Ky është motivi nga i cili filluan të rridhnin më pas të gjithë mendimet dhe ndjesitë e naivitet të një fëmije, deri tek përjetimet e një brezi në periudhën e sistemit komunist, ku rrëfyesi arrin të depërtojë në botën e brëndshme psikologjike të personazheve për të sjellë sot librin e saj të parë, në prozë nën titullin “Lindur së Prapthi”.

“Duke marrë përshtypjet e para, vërtet më dhanë shumë kurajo për ta vazhduar ta shkruaj. Është komplet një stil ndryshe sepse është fëmija, që lexon duket sikur është fëmija që po shkruan janë komplet mendimet “bio” të një fëmije. Është një periudhë që unë doja ta mbaja shumë të pastër pa u ndikuar nga mendimet që kam sot.

Pavarësisht se unë kam shkruar për një kohë të shkuar më vjen mirë që ka lexuse apo lexues të rinj mosha të ndryshme që kanë gjetur veten, kjo më ka dhënë një gëzim shumë të madh”, shprehet Petro.

Proza, për shkrimtaren e guximshme Rita Petro është një sprovë e re, për të cilën qëllimi kryesor i saj është të shkojë tek lexuesi përmes përjetimeve dhe ndjesive të saj personale, nga periudha e sistemit komunist e deri në ditët sot.

“Ka një rrjedhje të çuditshme. Mbase njerëzit janë lodhur paksa me disa romane që e trajtojnë kohën e sistemit komunist duke u fokusuar në disa ngjarje konkrete dhe si duket kanë dashur një këndvështrim tjetër sepse unë nuk kam as data as vende të përcaktuara. Përkundrazi unë kam dashur t’u jap rëndësi e të nxjerr ato që quhen “sekrete”. Janë të gjitha ato mbresa, ato ndjesi tonat dhe fustrimet që ne kemi ndjerë, qoftë brenda familjes në shkollë dhe kudo ku gjendet njeriu nga fëmijë derisa shkon në maturë”, thotw Petro.

Anomalia e një fëmije “i lindur së prapthi” dhe etapat e ndryshme të jetës në të cilat ai kalon, duket se thyejnë kufijtë e lirive të shoqërisë dhe kohës së sistemit komunist kur rrëfehen ngjarjet në roman sipas Petros.

“Mendoj se kam kapur disa koordinata të cilat rrethojnë shtëpinë e fëmijërisë, që edhe një lexues i huaj që mund ta lexojë. Kur shkrimtari jeton sot njerëzit mundohen të zbulojnë gjithmonë element autobiografikë. Por kënaqësia më e madhe është në rastet kur ka disa lexues që gjejnë veten. Këto koordinata që është Shtëpia Ortodokse e kthyer në një palestër, Kishës Katolike  xhamia që kthehet në ndërmarrjen e dekorit të qytetit  dhe Rruga e Ambasadave përballë janë disa kooordinata nëpër të cilat ka kaluar jeta jonë. Dhe çdo liri e tepërt është vërtitur rreth këtyre koordinatave, siç është vërtitur gjithë jeta jonë gjatë sistemit komunist”, vijon Petro.

Botëkuptimi i natyrës së pastër të fëmijës e më tej të individit që rritet e dëshiron të jetojë lirinë e tij, me imagjinatë pa konvencione, rregulla loje, në kohën e periudhës komuniste janë figurat që Petro zgjedh t’i sjell si personazhe rebelë që thyejnë hapësirat e kohës.

“Ky ka qenë dhe qëllimi im për të treguar se dhunimi ka qenë shumë i madh. Të gjithë ato dukuritë negative të dhunimit të objekteve të kultit. Çdo forme dhunimi që na vinte nga pushteti ne jemi munduar që ta kthejmë mbrapsht përmes veprimeve tona rebeluese. Në kohën që po ndërtohej “Njeriu i ri, ne bëjmë të kundërtën”, tha ajo.

Shenjat e bullizimit, është një ndër aspektet e jetës shoqërore të cilën shkrimtarja Petro zgjedh ta sjellë në roman si një fenomen, i cili në jo pak raste sipas saj arrin deri në familjet e tona.

“Këtë e kam bërë me qëllimin për të treguar që ne kur kujtojmë fëmijërine ne nuk e kujtojmë si një rrjedhje të pastër, të gjatë logjike e kronologjike, ne i kujtojmë si copëza siç janë ëndrrat e shkurtra, pra është njëlloj si rryma e përroit psikik. Pra, jam munduar të fus sa më shumë mendime”, vijon ajo.

Jo me pak emocione në mënyrën sesi zgjedh të rrëfejë, në botën e kujtimeve të personazhe të Ritës takojmë dhe figura deri në përmasat më të idealizuara si nëna, babai, motrat, kushurinjtë e komshinjtë. Me syrin provokativ të rrëfyesit dhe naivitetin  e personazhit fëminor, figurën e Zotit dhe Udhëheqësit të madh Rita shpesh e kërkon tek babai. Pas romanit “Lindur së Prapthi”, projekti i radhës i shkrimtares dhe poetes Rita Petro do të jetë një poemë filozofike.

SI.E./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Juventus për turp, barazon 2-2 me Cagliarin! Lazio i falet Luis Albertos, mund Genoan në udhëtim

GOLAT/ Juventus për turp, barazon 2-2 me Cagliarin! Lazio i falet Luis Albertos, mund Genoan në udhëtim