Suedia pa karantinë, ambasadorja te 'Pa Protokoll': Vendosin ekspertët! Shqipëria u frikësua nga Italia, masat të duhura! Vajza ime humbi punën që në fillim

TIRANE-Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri Elsa Håstad ka folur në një intervistë ekskluzive për gazetaren Anduela Ndreu në emisionin “Pa Protokoll” në Report tv, se pse vendi i saj nuk e ka izoluar popullatën. Sipas saj, nëse vendet e tjera të cilat kanë marrë masa drastike dhe rezultati ka qenë që janë humbur mijëra jetë njerëzish, atëherë pse duhen mbyllur njerëzit– thotë ambasadorja Håstad. "Nuk e dimë nëse bota apo ne kemi vepruar drejt, situata vazhdon. Tek ne vendosin ekspertët".

Ambasadorja Håstad tha gjithashtu se nëse përhapja e virusit do të jetë e rrezikshme atëherë sërish  ekspertët i sugjerojnë qeverisë rishikim të masave në përputhje me situatat e reja. "Është shumë e rëndësishme të dëgjojmë dhe t'u besojmë ekspertëve" tha ambasadorja.  Sipas saj, pasojat  e kësaj situate do të ndihen ndjeshëm në ekonominë globale, dhe nga kjo nuk mund të përjashtohet as Suedia, pasi sipas saj eksportet gjatë kësaj kohe kanë rënë e si pasojë me mijëra vetë kanë humbur edhe vendet e punës. Suedia nuk ka marrë masa shtrënguese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por vetëm disa periferike, ndërsa deri tani raportohen se janë 13216 të prekur dhe 1400 viktima.

Intervista e plote
Gazetarja: Zonja Ambasadore,  faleminderit që pranuat këtë intervistë për programin tim për Report TV.
Ambasadorja: Faleminderit Anduela, mirëserdhe në rezidencën Suedeze.

Gazetarja: Është kënaqësi të jem në rezidencën suedeze në Tiranë. Desha të filloj me pyetjen e parë rreth qeverisë suedeze në këtë situatë të pazakontë, të Covid-19,sidomos lidhur me qëndrimin jo të zakonshme të saj, ndërkohë që të gjitha shtetet e tjera kanë marrë masa të rrepta për të ndaluar përhapjen e kësaj pandemie, desha të di arsyen përse qeveria juaj ka zgjedhur të mos marrë të njëjtat masa që janë marrë nga vendet e tjera?
Ambasadorja: Faleminderit për pyetjen. Po është e vërtetë, Suedia ka zgjedhur ta mbajë shoqerinë më të hapur. Unë mendoj që në fillim u arsyetua se do të mund të mbrohej popullata në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse do mbylleshin të gjitha shkollat atëhere prindrit do duhej të qëndronin në shtëpi dhe do dëmtohej biznesi, do të ndalej puna në prodhim, spitalet do të mbylleshin. Sipas meje vendimi u mor që të bëhej sa më pak dëm që të ishte e mundur. Dhe në fakt nuk kishte prova që mbyllja e plotë do të ishte metoda më efektive sepse metoda më efektive do të ishte që nëse një grup shoqëror është në rrezik, si përshembull të moshuarit, ata duhet të qëndronin në shtëpi dhe të mbanin distancën. Duhej të merreshin masa pa mbyllur gjithçka.

Gazetarja: Të gjitha shtetet morën të njëjtat masa, si përshembull Italia, Franca, Anglia, Spanja USA, UK. Të gjitha këto vende u thanë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, të mbajnë distancë sigurie nga njëri – tjetri, por shohim se në fakt numri i të vdekurve në këto vende është shumë shumë i lartë, shumë më i lartë se i atyre në Suedi. A ishte kjo një këshillë e mjekëve, e ekspertëve të shëndetësisë tek ju?
Ambasadorja: Mendoj që çdo vend duhet të marrë vendime sipas situatës respektive, sepse situata është e ndryshme në vende të ndryshme, por në Suedi ishte shumë e rendesishme që të kishim mjaftueshëm mjekë dhe hapësirë për të trajtuar të sëmurët me koronavirus. Unë mendoj që është shumë e rëndesishme të besojmë ekspertët. Tek ne politikanët dhe ekspertët vendosen që për popullin suedez do ëe ishin të mjaftueshme këshillat.  Se nuk duheshin masat shumë shtëenguese pasi edhe populli beson tek ekspertët. Ne kemi shumë besim tek institucionet. Në Suedi nëse një ekspert thotë kjo është ajo që duhet bërë, shumica e njerëzve e dëgjojnë.

Gazetarja: Edhe në vendet e tjera thuhet: Ne dëgjojmë ekspertët dhe ata na thonë qëndroni në shtëpi, izolohuni.
Ambasadorja: Që të jemi shumë të ndershëm ne nuk e dimë ende kush ka marrë vendimin e duhur, sepse kjo histori nuk ka mbaruar akoma, ajo që po bëjmë është që po përpiqemi të bëjmë më të mirën në situatën ku ndodhemi dhe ekspertët tanë në Suedi kanë qenë të kujdesshëm për të mos bërë dëm në popullatë, sepse ne do të kemi probleme ekonomike  nga mbyllja e prodhimit, dyqaneve, restoranteve , kafeve, shkollave,  gjë që do na shkaktojë shumë probleme të tjera me të cilat do të na duhet të merremi, dhe nëse masat e marra për mbyllje të plotë nuk japin shumë efekt, atëherë pse duhet t’i marrim, le të presim.

Gazetarja: Pra sipas jush, e gjithë bota do të përballet me probleme ekonomike, kështu  në  Shqipëri, në SHBA, edhe në vende të tjera. Kjo që thoni ju ka kuptim peër ju, por për ne është një pikëpyetje e madhe.
Ambasadorja: Siç mund ta kuptoni askush nuk mund t’i thoteëShqiperisë që ju po e bëni këtë mirë, po e bëni si shumica e vendeve të tjera në botë, pasi ne nuk e dimë se cila është rruga më e drejtë. Do ta shohim. Por ajo që dimë është se me siguri kjo politikë mbylljeje do të pasohet nga probleme të mëdha ekonomike. Dhe nëse mund të shpëtohet sadopak nga popullata, nga zhvillimi, kjo gjë do të ishte mire.

Gazetarja: Në qoftë se tek ju virusi do të përhapet dhe do të ketë më shumë njerëz të prekur nga covid a do t’i ndryshojë masat qeveria juaj?
Ambasadorja: Unë mendoj, unë e di që çdo ditë politikanët, qeveria por më shumë ekspertët, punonjësit e Institutit të Shendetit Publik monitorojnë numrin e të vdekurve, numrin e të infektuarve dhe pastaj përshtasin vendimet e tyre. Për shembull tani jemi një grup prej 15 vetash, që është një numër i madh që konsultohet, numër që nuk e kishim më përpara. Pra, jemi të hapur të përshtasim politikat tona, ne monitorojmë situatën çdo ditë.

Gazetarja: Si po punon sistemi shendetesor atje, a janë marrë masa shtesë për ta përballuar këtë situatë?
Ambasadorja: Po ne kemi shtuar kapacitet tona shëndetesore, kemi ndërtuar spitale të reja, Ushtria Suedeze dhe Ministria e Mbrojtjes kanë ndërtuar spitale të reja atje ku nuk ka patur më parë. Por ne kemi akoma kapacitete të papërdorura, nuk kemi vënë në përdorim të gjitha kapacitetet tona. Kjo do të thotë që kemi qenë parashikues të mirë, pra kemi gati vende nëse do ketë nevojë.

Gazetarja: A mund t’i ndryshojë masat qeveria, nëse situata do të bëhet më e vështirë?
Ambasadorja: Po, sigurisht ne mund t’i ndryshojmë masat nga dita në ditë. Është e rëndësishme të themi se në Suedi nuk po luftohet vetëm me covid 100%,por na duhet t’i përshtatemi situatës, pasi do duhet që njerezit të krijojnë imunitet pasi ky do t’i ndihmoje ata t’i kthehen më shpejt normalitetit. Duam që njerëzit të jenë mirë pas kësaj pandemie.

Gazetarja: Ju jeni në kontakt me Suedinë,keni familjarë atje dhe jeni suedeze sidoqoftë , a kanë frikë njerëzit atje nga ky virus, në përgjithësi?
Ambasadorja: Kjo është një pyetje e drejtë. Po unë jam në kontakt me femijët, me mamanë time e cila hyn tek grupi në rrezik dhe ndihet e bezdisur, pasi i duhet të qëndrojë në shtëpi, nuk mund të shkoje në festa apo darka. Është 80 vjec dhe kjo situatë për të është shumë stresuese, por ajo e di që nuk duhet të dalë. Miqtë e mi më thonë që jetojnë normalisht, shkojnë në punë, fëmijët shkojnë në kopshte e shkolla.

Gazetarja: Pra stili i jetës për ta nuk ka ndryshuar?
Ambasadorja: Jo, për shumë njerëz nuk ka ndryshuar shumë, unë kam miq atje për të cilët nuk ka ndryshuar asgjë. Ata nuk kanë frikë. Unë kam miq që kanë qenë të infektuar, në fakt kam katër miq ne Suedi që e kaluan covidin. Sigurisht që flitet për covid-in por nuk kanë frike.

Gazetarja: Si janë ata tani?
Ambasadorja: Falemnderit për pyetjen. Të gjithë janë shëruar nga korona.

Gazetarja: Desha t’ju bëj një pyetje për situatën ekonomike në Suedi, por edhe më gjerë. Dimë që Suedia nuk është në karantinë por e izoluar nga bota përreth.  A ka shkaktuar kjo probleme për eksportet tuaja?
Ambasadorja: Po, absolutisht që Suedia është dëmtuar shumë, pasi është  një vend i vogël dhe si i tillë është tërësisht  i varur nga eksporti dhe kështu që na u desh të mbyllnim prodhimin, njerëzit kanë humbur punën. Në cdo fushë të jetës jemi dëmtuar. Kompania Volvo përshembull mbylli prodhimin disa javë më parë, më shumë se 10 mijë vetë humbën  punën. Vajza ime humbi punën që në fillim. Ajo punonte në një kafe tek një muze. Sigurisht jemi dëmtuar shumë, por besojmë se jo aq shumë sa do ishim dëmtuar nëse do ishim mbyllur plotësisht. Por siç thatë edhe ju ne jemi të varur nga bota përreth dhe kështu shumë aspekte janë dëmtuar, përshembull turizmi, kompanitë ajrore, pra kjo situatë po na godet shumë.

Gazetarja: Doja t’ju pyes për situatën në Shqipëri, të cilen ju e ndiqni me siguri. Doja mendimin tuaj për masat e marra nga qeveria shqiptare.
Ambasadorja: Sigurisht që kemi ndjekur me kujdes masat e marra nga qeveria shqiptare. Unë mendoj që ishin vendimet e duhura për këtë vend dhe i takonte politikanëve shqiptarë të merrnin vendimet. Mendoj që Shqipëria u frikesua pasi ju jeni fqinj me Italinë, e cila u godit rëndë dhe kështu që ai reagim me masa të rrepta ishte i natyrshëm dhe ju tani keni numër të ulët të infektuarish, gjë që tregon se u zgjodh rruga e duhur. Bazuar edhe në kapacitetin e spitaleve u mendua që nuk do ishte e mundur të përballohej, por ju aktualisht i menaxhuat shumë mirë kapacitetet tuaja, madje nuk i keni përdorur ende 100%  të tyre. Mir, mendoj se ishte mirë. Në ambasadë edhe ne u përshtatëm menjëherë. Nuk dolem i gjithë ekipi në punë, por u ndamë në grupe të vogla që të mos infektoheshim nga virusi dhe e organizuam me turne. Shumica e stafit nuk punon në zyrë. Kemi vetem një grup të vogel që punon në zyrë.

Gazetarja: A mendoni se duhet të bëjmë meë shumë teste për Covid 19?
Ambasadorja: Ky është problem në gjithë botën, përfshirë edheSuedinë, testohen vetëm ata që janë sëmurë, ose ata që shkojnë në spital, kështu që është vështirë të dihet numri i saktë i të infektuarve në popullatë. Dëgjova nga miq të mi në Suedi që për të llogaritur numrin e të infektuarve me përafërsi, duhet shumëzuar numri i të infektuarve të indentifikuar me 800 ose 1600, që tregon se kemi më shumë të infektuar se sa ne mendojmë.Por kjo po ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri, njësoj edhe në Suedi. Është sfidë për cdo vend për të gjetur numrin e saktë të te infektuarve.

Gazetarja:  A mund t’ju pyes si ndiheni këtu në këtë situatë të jashtëzakonshme. A ndiheni e sigurtë?
Ambsadorja: Po, ndihem shumë e sigurtë. E kam kufizuar edhe unë veten si gjithë të tjerët. Nuk dal shumë, shkoj në dyqane të zakonshme blej ushqimet, rri në shtëpi, gatuaj, shkoj ne ambasadë, gatuajmë edhe atje për njër-tjetrin pasi cdo gjë është mbyllur. Po,natyrisht që ndihem e sigurtë këtu. Nuk takoj njerëz, takohem me kolegët e mi këtu në zyrën time në ambasadë.

Gazetarja: A keni një mesazh për shqiptarët në këtë situatë?
Ambasadorja: Unë mendoj që mesazhi është sigurisht: Qëndroni në shtëpi për aq kohë sa do të na duhet,le të mbrojmë njëri- tjetrin. Solidariteti që shoh mes njerëzve është fantastik. Shoh mjaft solidaritet për të ndihmuar njerëzit që janë më të varfër dhe që janë në vështirësi.  Sa herë  ka krizë del në pah solidariteti.  Vazhdoni ndihmoni njëri tjetrin, qëndroni në shtëpi dhe qëndroni të sigurtë.

Gazetarja: Këtë solidaritet të shqiptarëve e keni ndjekur nga emisionet në tv?
Ambasadorja: Jo, por e shoh që njerëzit menjëherë mendojnë: Cfarë mund të bëj për të ndihmuar me ushqime njerëzit që nuk dalin dot jashtë për të bërë pazarin dhe kjo është interesante, pasi në kohë krize njerëzit fillojnë të ndihmojnë njeri – tjetrin. Këtë gjë e shoh edhe në Suedi.

Gazetarja: Kjo ndodhi edhe në kohën e tërmetit
Ambasadorja: Pikërisht, njerëzit e pyesin njeri – tjetrin si jeni, cfarë po beni?  Edhe në Suedi, vajza ime do të punojë si vullnetare të ndihmojë njerëzit të blejnë ushqimet. Njerëzit duan më shumë se kurrë të ndihmojnë njëri- tjetrin dhe një gjë interesante në Suedi është se ne kemi patur kaq shumë njerëz që kanë aplikuar për shkencat mjekësore, na janë dyfishuar kërkesat. Njerëzit duan të ndihmojnë, më shumë se më parë.

Gazetarja: Në fakt shumë mjekë shqiptarë, apo punonjës të shendetësisë po emigrojne në Gjermani apo Suedi.
Ambasadorja: Po, por tani ata janë heronj! Edhe në Suedi ata mbase nuk janë heronj çdo ditë por tani ata janë heronj. Dhe ne kemi evidentuar disa profesionistë që kanë qenë më të rendesishëm për shoqërinë në këtë periudhë. Pra kemi heronj të rinj.

Gazetarja: Sot njerëzit gjithmonë e më shumë po ndjekin ekspertet, mendimin e tyre.
Ambsadorja: Shumë e vërtetë. Dhe kjo është gjithashtu një gjë e mirë.

Gazetarja: Pyetja e fundit, kur mund të rifillojë jeta normale, siç ishte para covid?
Ambasadorja: Nuk e di, shpresoj deri nga vera do t’i jemi kthyer normalitetit.Ështe edhe problemi i transportit ajror, të paktën për ne,a do të kemi mundësi të udhëtojmë, a do të kemi import - eksport. Kufinjtë i kemi të mbyllur, nuk ka levizje nga një vend në tjetrin dhe sa kohë të mos kemi mundësi levizjeje e kontaktesh, nuk mund t’i kthehemi tërësisht normalitetit.Në çdo rast mendoj që kthimi në normalitet do të jetë gradual.Por deshira ime është në verë.

Gazetarja: Në verë do të keni mundesi të takoni edhe familjarët.
Ambasadorja: Po, femijët, të cilët do të kishin ardhur këtu tani. Më ka marrë shumë malli. Flas me ta çdo ditë.

Gazetarja: Është normale, Zonja Ambasadore,falemnderit shumë për intervistën. Ishte vërtetë kënaqësi!
Ambsadorja:
Falemnderit juve që erdhët këtu.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kurti: Kryetarët në veri largohen vetëm përmes votimeve, e jo bandave

Kurti: Kryetarët në veri largohen vetëm përmes votimeve, e jo bandave