Sulmohen me molotov autobusët me të infektuar në Ukrainë! Koronavirusi përhapet në burgjet e Pekinit, gjashtë raste në Itali

Nuk ndalen vdekjet në Kinë ndërkohë që numri i rasteve të infektuar me koronavirus koronavirus është rritur në 76.726 kurse numri i viktimave ka arritur ne 2.247.

Kjo është ajo që kanë njoftuar sot autoritetet shëndetësore kineze, të cilët kanë saktësuar se në 24 orët e fundit ka pasur 889 raste të reja dhe 115 vdekje. 1,614 raste të dyshuara janë shtuar në të dhënat e konfirmuara të infektimit, ndërsa 2,109 persona janë larguar nga spitalet.

Pas vdekjes së parë në Seul, Daegu, qyteti i katërt më i madh në Korenë e Jugut, tani është në gatishmëri për shkak të një shpërthimi shqetësues të rasteve të infektuar nga koronavirusi đhe qeveria ka marrë masa speciale për të frenuar përhapjen e epidemisë.

Sipas autoriteteve numri i të prekurve ka tejkaluar shifrën 100 dhe infeksioni është përhapur në disa komunitete.

Dyzet nga rastet e fundit në Korenë e Jugut janë regjistruar në një kishë të qytetit ku më shumë se 80 anëtarë të famullisë tashmë janë infektuar.

Pavarësisht situatës alarmante në Korenë e Jugut, numri i rasteve të reja është ende në rënie, veçanërisht në Kinë dhe në qytetin e Wuhan, epiqendra e epidemisë.

Ndërkohë në tragetin "Diamond Princess", i karantinuar në portin e qytetit japonez të Yokohama vazhdon evakuimi i të tëstuarve negativ ndaj koronavirusit

Deri tani janë larguar 717 persona teksa numri i të infektuarve që po qëndrojnë ende në anije është rritur në 634.

Rusia nga sot ka mbyllur kufijtë me Kinën. Sipas Kremlinit kufizimi do të jetë i përkohshëm dhe nuk do të prekë udhëtarët tranzit. Me këtë vendim, qeveria ruse përpiqet të kufizojë përhapjen e epidemisë në vend sa më shumë që të jetë e mundur.

Por mbyllja e kufijve mund të depresionojë sektorin e turizmit pasi Rusia është një nga destinacionet e turistëve kinezë për të mos përmendur sektorin ekonomik ku shumë biznese kanë lidhje të forta me Pekinin.

Organizata Botërore e Shëndetit beson se është akoma e mundur të përmbahet shpërthimi i oronavirusit, por sipas tyre qeveritë duhet të përfitojnë nga dritarja aktuale e mundësive, ndërkohë që numri i shërimeve ka tejkaluar për herë të parë atë të infeksioneve

Drejtori i përgjithshëm i OBSH tha se urgjentisht duhet investuar për përgatitjen e vaksinës.

Epidemia e koronavirusit ka nxitur edhe ndjenjat raciste. Dhjetra demonstrues në një qytet të Ukrainës kanë sulmuar me molotov gjashtë autobusë që transportonin të zhvendosur nga Kina, të cilët sipas një lajmi të rremë të përhapur nga vet Ministria e Shëndetësisë, ishin të prekur nga koronavirusi. Ata u dërguan në një spital në Novi Sanzhary ku  do të kryejnë analizat dhe më pas do të karantinohen për 14 ditë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:48
Koronavirusi, shtyn datën e dasmës sepse punonte në spitalet e tejmbushur me pacientë, vdes i infektuar mjeku 29 vjeçar

Sipas ‘The Guardian’, një mjek 29-vjeçar kinez vdiq në Wuhan pasi kontraktoi me koronavirusin.

Peng Yinhua ishte infektuar ndërsa punonte "në vijën e parë" duke u përballur me epideminë.

Mediat shtetërore kineze thonë se ai kishte shtyrë edhe datën e martesës pasi ishte i zënë me punë.

Peng Yinhua ishte shtruar në spital në 25 Janar, por pas disa ditësh ai ishte përkeqësuar ndërsa ndërroi jetë sot.

Mijëra mjekë janë infektuar deri më tani dhe të paktën gjashtë të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi në Kinë.

Ora 15:21
Korea e Jugut, qyteti Gaegu po shndërrohet në Wuhan, në tre ditë 204 të infektuar nga koronavirusi (FOTO)

Qyteti Daegu me 2.5 milion banorë në Korenë e Jugut prej ditës së djeshme, gjithnjë e më shumë po ngjan me qytetin ku lindi vdekja, Wuhan në Kinë.

Rrugët kanë filluar të boshatisen teksa edhe mjaftë njësi shërbimi kanë reduktuar oraret dhe të tjerë janë mbyllur pas lajmit të lëshuar nga autoritetet se një superpërhapëse e koronavirusit ka infektuar shumë besimtarë në kishën e qytetit.

Sot autoritetet kanë deklaruar se janë identifikuar 48 raste të tjera të koronavirusit, duke e rritur totalin në 204.

Qendra e Koresë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Kcdc) ka siguruar se situata është "e menaxhueshme", përkundër faktit se infektimet janë katërfishuar në vetëm tre ditë.

Ora 11:28
Koronavirusi hyn në burgjet e Pekinit, nga Korea në Iran, shpërthime të reja infeksioni jashtë Kinës

Tani nuk është më vetëm Kina e përfshirë në emergjencën e koronavirusit.

Epidemia po edhe në vendet e tjera të Azisë, ku po shfaqen shpërthime shqetësuese të infeksionit.

Rasti më i habitshëm është ai i Koresë së Jugut, e cila prej dy ditësh është  në buzë të epidemisë. Në orët e fundit autoritetet e Seulit kanë konfirmuar njëqind raste të reja, duke e çuar gjithsej në 204 numrin e të infektuarve.

Dhe në Iran, ku u raportuan tre infeksione të tjera pas dy vdekjeve të para, dhe media lokale spekulon se numërimi është më i madh.

Në Kinë, numri i rasteve të reja ka filluar të rritet përsëri pas shumë ditësh rënie, me shpërthime të konfirmuara në dy spitale në Pekin dhe në dy ambiente paraburgimi në rajonin Shandong. Edhe në Iran janë raportuar tre infeksione të tjera pas dy vdekjeve të para kurse media lokale spekulon se numëri I të prekurve nga koronavirusi është më i madh

Mediat e regjimit në Kinë raportuan për herë të parë 512 raste të regjistruara brenda katër burgjeve, dy në Hubei, një në Shandong dhe një në Zhejiang.

Krerët e ambienteve të paraburgimit janë larguar nga puna dhe janë dënuar.

Alarmi është rritur edhe pas 36 rasteve të dyshuara të regjistruara në spitalin Fuxing, në rrethin qendror të Xicheng.

Të infektuarit janë mjekë, infermierë, pastrues dhe pacientë.

Kjo rritje e papritur, megjithëse e kufizuar jashtë Hubei mund të jetë efekti i kthimit të shumë punëtorëve në metropol, për shkak të rihapjes së fabrikave dhe zyrave.

Ora 10:50
Koronavirusi/Itali, gjashtë raste të infeksionit në zonën e Lodi në Lombardi, pesë në gjendje të rëndë, mbyllen shkolla, zyra dhe bare

Italia ka shënuar gjashtë infeksionet e para të koronavirusit, një 38 vjeçar banor i Codogno dhe i lindur në Castiglione d'Adda, në provincën e Lodi, i shtruar në spital të mërkurën në mbrëmje në Codogno, i testuar pozitiv për testin e koronavirusit është në gjendje të rëndë.

Të infektuar janë gjithashtu edhe gruaja e tij shtatzënë në muajin e tetë si dhe një mik i 38 vjeçarit, të dy të shtruar në izolim në Sacco në Milano. Të gjithë pacientët kanë pneumoni të rëndë, ndërsa gruaja e 38-vjeçarit është në një situatë më pak të rëndë.

Por kanë rezultuar pozitiv pas testeve edhe gjashtë raste në Lombardi ku 250 persona janë vendosur në izolim pasi kanë patur kontakt me 38 vjeçarin dhe do t'i nënshtrohen testeve teksa 150 prej tyre kanë patur "kontakte të ngushta".

"Të gjithë qytetarët e Castiglione d'Adda, Codogno dhe Casalpusterlengo janë të ftuar, si masë paraprake, të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet sociale", kjo është këshilla që është dhënë nga këshilltari rajonal Giulio Gallera.

Komuna e Codogno ka nxjerrë edhe dy urdhëra të tjerë "të përkohshëm dhe paraprake": mbylljen e shkollave, bareve, restoranteve, vendeve publike në përgjithësi (disko, dhoma bilardo) dhe zyrat komunale për emergjencën shëndetësore.

I.C./G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ju duket i drejtë ndëshkimi deri edhe me burg për shkelësit e rregullave gjatë emergjencës së koronavirusit?

Komento