SARANDË – Rreth 60 shoferë taksish protestuan këtë të martë para Bashkisë së Sarandës, duke kërkuar masa ndaj mjeteve që, sipas tyre, ushtrojnë aktivitet pa licencë.
Protestuesit dorëzuan një kërkesë zyrtare në bashki, ku ngrenë shqetësime për taksi nga qytete të tjera, automjete të agjencive turistike dhe mjete të tjera që, sipas tyre, kryejnë transport pasagjerësh në mënyrë të paligjshme.
Gjatë protestës, një grup tentoi të hynte në ambientet e bashkisë për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit vendorë, por u pengua nga forcat e policisë që ndodheshin në hyrje të institucionit.
Në ambientet përreth Bashkisë së Sarandës u vu re një prezencë e shtuar e policisë, ndërsa protestuesit kërkuan dialog me autoritetet dhe zgjidhje për problematikat që, sipas tyre, po dëmtojnë aktivitetin e taksive të licencuara në qytet.
Gjithashtu, ata kërkojnë vënien në funksion të terminalit të ri të autobusëve.
Protestuesit paralajmëruan se do të vijojnë reagimet e tyre nëse kërkesat nuk merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse.
ANKESA E DORËZUAR NË BASHKI
Unë, Altin Cumani, përfaqësues i taksive Sarandë, parashtrojmë kërkesën/ankesën si më poshtë:
Kërkesat tona janë si më poshtë të shënuara:
Taksitë e rretheve nga Tirana, Konispoli, Delvina dhe Finiqi vijnë dhe punojnë si taksi në qytetin tonë, ndërsa nga ana e Bashkisë Sarandë nuk është marrë asnjë masë.
Furgonat e agjencive janë duke punuar në mënyrë të jashtëligjshme si taksi, me në krye Magllarën, e cila zotëron 4 taksi.
Njëkohësisht, nga ana e Finiqit, 4 taksi të tipit furgon janë të parkuara në Sarandë.
Kërkojmë një arsye në lidhje me moshapjen e terminalit nga ana e institucionit tuaj.
Taksitë pirate, të cilat janë të papajisura me licencën përkatëse dhe punojnë në të zezë (me targa të bardha), janë në numër të shumtë.
Kërkojmë nga ana e institucionit të Bashkisë Sarandë të merren disa masa:
* Vendosja e parkimeve të sakta në lidhje me taksitë.
* Ruajtja e vendparkimeve aktuale nga ana e Policisë Bashkiake.
* Katër taksi të qytetit të Sarandës punojnë me logo taksie, kanë një periudhë 2-vjeçare dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin e duhur tekniko-ligjor.
Komente







