Të bëhesh mësues, rruga që duhet
ndjekur për filloren dhe të mesmen

Të bëhesh mësues, rruga që duhet<br />ndjekur për filloren dhe të mesmen
TIRANE- Të bëhesh mësues i ciklit parashkollor, fillor apo atij të mesëm tashmë duhet të ndiqen një sërë hapash. Në draftin e hartuar nga Komisioni për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor janë parashikuar qartë fazat që do të ndjekin këta studentë.
 
Arsimi fillor
Propozimet e bëra nga grupi i punës theksojnë se mësuesia duhet të organizohet në dy cikle. Cikli i parë ai i diplomës Bachelor, me 3 vite dhe 180 kredite të ndjekura nga studimet e Ciklit të Dytë me 1-2 vite me 60-120 kredite (Master Profesional; Master i Shkencave). “Mësuesit e arsimit parashkollor dhe atij fillor duhet të formohen nga studime bachelor 3 vjeçare me 180 kredite me kurrikul të ndërtuar për këtë cikël. Pas këtyre studimeve studentët mund të kalojnë në tregun e punës si mësues ndihmës pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit (pas provimit të licencimit)” thuhet në draftin paraprak të komisionit. Sipas këtij të fundit, një tjetër mundësi për këta studentë është vazhdimi i ciklit të dytë të studimeve Master Profesional 60 kredite 1 vjeçar, i cili duhet të jetë i diferencuar në MP, që përgatit mësues për arsimin parashkollor ose MP, për arsimin fillor. Pas fitimit të diplomës së Ciklit të Dytë të diplomuarit sipas titullit përkatës të diplomës mund të kalojnë në tregun e punës si mësues pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit, pas provimit të licencimit.
 
Arsimi i mesëm
Por edhe për të qenë mësues në arsimin e mesëm duhet të plotësohen një sërë kushtesh të tjera. Kështu ndryshme nga arsimtarët në ciklin e ulët, ata të arsimit të mesëm duhet që studimet e ciklit të dytë t’i kenë në master të shkencave dhe ky të jetë dy vjeçar. “Mësuesit e Arsimit të mesëm të kenë përfunduar ciklin e parë të studimeve dhe të ndjekin ciklin e dytë të Master i Shkencave 2 vjeçar 120 kredite, i cili përgatit mësues për arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë”, thuhet në draftin e përgatitur. Ajo që parashikohet është se kurrikulat e Programeve të studimit të Ciklit të Dytë për përgatitjen e mësuesve duhet të ruajnë një ngjashmëri në nivel kombëtar sipas fushës së shkencës përkatëse 80% në ndërtimin e tyre.

Po kështu, kjo reformë propozon që viti i praktikës në shkollë, pas diplomimit të studentëve me diplomën e ciklit të dytë, pranë institucioneve të arsimit të mesëm duhet të bëhet me ½ e rrogës së mësuesit, sikundër edhe ndodh për stazhierët e mjekësisë. Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme është edhe ajo e edukimit në vazhdim. Sipas draftit kërkohet që formimi i mësuesve duhet të jetë i vazhduar, universitetet duhet të krijojnë kushte për trajnimin dhe formimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me institucionet shtetërore të Arsimit të Mesëm. 

Shkrimi u publikua sot 30 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë