Partia Demokratike organizoi mitingun e radhës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Tamam në atë vend ku më 21 janar 2011, kur Sali Berisha ishte në dritaret e Kryeministrisë, poshtë zyrës së tij, u vranë 4 protestues e u plagosën mbi 100 të tjerë. Një krim ende i pahetuar dhe i pandëshkuar. Një krim që solli mes shqiptarëve dëshirën më të madhe, të pakthyeshme për Drejtësi.
Fjalimet në miting nuk kishin të sharë nga disa prej pjesëmarrësve, edhe pse nuk arrinin dot t’i jepnin frymë asaj mase militantësh të pafuqishëm për të brohoritur, të komanduar nga zëri në mikrofon: Rama Ik! Rama Ik!
Disa nga folësit në miting përdorën fjalë magjike: si ëndrra e të rinjve, Shqipëria e të ndershmëve, Shqipëria e bukur... Fjalë “revolucionare” të thëna përballë një eksponenti politik të akuzuar dhe në hetim për akuza të rënda abuzimi dhe korrupsioni bashkë me familjen apo fjalë hipokrite? Sllogane të thëna përballë një lideri politik i deklaruar “non grata” nga Britania e Madhe, nga Shtetet e Bashkuara dhe të refuzuar hapur nga takimet e të dërguarve të Bashkimit Europian në Tiranë, janë me të vërtetë të pavend, paradoksale, të shpenzuara pa asnjë vlerë.
Pas fjalimit të Sali Berishës, pas fjalëve të rënda, agresive, si përherë, të thëna në gjithë këto dekada prej tij, nisi fushata e molotovëve. Në fakt molotovët dhe jo fjalët e bukura i shkojnë diskursit të dhunshëm të Berishës, prandaj, cilat janë të vërtetë hipokrite: Thirrjet për një Shqipëri më të bukur e më të mirë apo veprimet me dhunë pas fjalëve të Sali Berishës?
Komente









