Të jesh pro-amerikan dhe në gjyq me SHBA-të, njësoj si fitoret e ‘vjedhura’ pas 2013

Të jesh pro-amerikan dhe në gjyq me SHBA-të, njësoj si fitoret e ‘vjedhura’ pas 2013

Ish-presidenti i SHBA George Bush dhe ish-kryeministri Sali Berisha

George H. W. Bush ishte Presidenti i SHBA-ve 30 vite më parë, në kohën kur në Shqipëri nisi era e ndryshimeve të mëdha politike. Presidentin Bush prej asokohe, në Shtëpinë e Bardhë e pasuan Bill Clinton, i biri i tij George W. Bush, Barack Obama, Donald Trump dhe Presidenti aktual Joe Biden. Departamenti Amerikan i Shtetit, pavarësisht ndryshimit të qeverive dhe presidentëve, ka ndryshuar pak ose aspak në politikën e jashtme. Në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, politika amerikane ka vepruar përgjithësisht me të njëjtën qasje dhe standard, duke mos ndryshuar thuajse asgjë.

Kritikat dhe sulmet e vazhdueshme ndaj “imperializmit amerikan” nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e kulturës së një politike që nuk njeh asnjë institucion të pavarur dhe asnjë standard demokratik, kur ato bien ndesh me shijet e liderit dhe të ithtarëve të kësaj politike. Kjo “kulturë demokratike” shkon deri aty saqë edhe Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë dhe vendimet e DASH i konsideron institucione antidemokratike, që manipulohen dhe falsifikojnë të vërtetën.

E vërteta mund të jetë kjo: kultura me standardet e saj demokratike, politike, juridike dhe analitiko-mediatike, e ngritur në vendin tonë në 30 vite demokraci është marrë shpesh nga SHBA, vendet e BE-së dhe ato të rajonit, si shembulli më i keq i Europës post-komuniste, për të ndërtuar një shtet normal demokratik. Shumica e qytetarëve shqiptarë, e kuptojnë dhe e bëjnë dallimin shumë qartë. Vendet e zhvilluara demokratike kryesisht parimet i bazojnë mbi institucione të forta demokratike dhe jo në individë “të fortë”, prandaj e shpërfillin hapur këtë lloj kulture, dhe si në çdo vend tjetër të botës, vihen në reaksion me të.

E identifikuar tashmë nga perëndimi, kjo kulturë dhe përfaqësuesit e saj ndihen gjithnjë e më tepër të kërcënuar përballë një faktori me të cilin nuk bëhet as kompromis dhe as pazar dhe ai as nuk shantazhohet, në ndryshim nga ç’e do zakoni dhe kultura e ngritur në Shqipëri, ose siç kërkojnë ta shesin përfaqësuesit e saj. Përballë këtij konflikti, përplasjeje pikëpamjesh dhe qytetërimesh, kësaj kulture të kultivuar në vendin tonë, sigurisht në pamundësi absolute për ta ndryshuar atë Amerikane dhe Perëndimore, nuk i ka mbetur aktualisht asnjë rrugë veçse të transformohet dhe të përshtatet me modelin e saj, ose në të kundërt, me kalimin e kohës do të zhduket.

Qartësisht pas rënies së komunizmit, në vend të zhvillimit të demokracisë përmes institucioneve të pavarura dhe me integritet, në Shqipëri është punuar në një drejtim tjetër: për të përqendruar pushtetin politik dhe atë ekonomik përjetësisht, dhe pse jo, për t’a trashëguar atë, në një ose pak duar, pra, pak a shumë është vepruar sipas modelit sovjetik. Puna shkoi deri aty, saqë kjo kulturë dhe standardet e saj prodhuan plagë të shumta dhe të pashërueshme sociale, në tërë këto vite. Kur këto plagë po përhapeshin edhe në rajon, u vunë në lëvizje SHBA dhe BE, të cilat zbuluan edhe “diagnozën”. Si kurë projektuan dhe financuan Reformën në Drejtësi dhe e vunë në zbatim, duke e parë atë si të vetmin shpëtim, për të kthyer Shqipërinë në “binarët e një shteti normal”.

Nuk ka aspak rëndësi për politikën e jashtme të SHBA-ve partia dhe pesha politike mban një politikan apo ish-politikan, kur vepron hapur kundër parimeve të saj, sidomos kur bëhet fjalë për vende aleate dhe pa peshë në arenën ndërkombëtare. Kush ka pasur ose ka ndonjë qasje tjetër duhet të ndezë një debat ndërkombëtar dhe jo të përpiqet të bindë shqiptarët, sepse, jemi para faktit që e dinë të gjithë: Reforma në Drejtësi është projekt Amerikan, i financuar prej tyre, dhe siç thonë ata apo siç u përsërit sot nga Ambasadorja Yuri Kim, ndonëse projekt i vështirë, mbetet i pandalshëm derisa të realizohet.

E mbështetur prej SHBA-ve, nga qeveritë e tre presidentëve të fundit që kjo reformë të realizohet medoemos në Shqipëri, kush është përpjekur që ta ndalë atë,edhe për këtë arsye është sot në një luftë të ftohtë me Amerikanët. A është reforma e drejtë dhe e duhur ky është proces që do ta tregojë koha. Mund të jetë edhe një debat i shëndoshë publik, për shembull, ai mes ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryeprokurorit aktual, Olsian Çela. Ose mes bashkëshortes së ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe ish-anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë ose asaj Kushtetuese, me ata që po i pasojnë në të njëjtën detyrë. Debatet e tjera politike dhe mediatike janë thjesht fjalë, që për SHBA-të dhe BE-në, i merr “era” e parë që fryn në Adriatik.

Të kesh pushtet nuk do të thotë të jesh në qeveri, të jesh i ulur posaçërisht në karrigen e kryeministrit apo edhe të ndonjë ministri. Mund të jesh edhe President, edhe në krye të opozitës, mund të jesh duke ikur, ke ikur, ose nuk ke dëshirë të ikësh kurrë nga jeta publike dhe politike. Në çfarë do lloj pozite që të jesh, varet sesi e ushtron pushtetin, i vogël ose i madh qoftë ai, si dhe për çfarë qëllimesh e ushtron. Sa i pranon institucionet e pavarura, sa pajtohesh me to dhe si punon për t’i përmirësuar ato! Mund të kesh mbajtur dhe mban poste të larta dhe përmes pushtetit ekonomik, politik dhe mediatik që zotëron, për interesa personale, bllokon ose minon ngritjen e institucioneve të pavarura si dhe proceset demokratike, aq sa krijon probleme edhe në rajon, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendeve të tjera.

Të paktën kështu u motivua akuza e ngritur nga DASH ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha kur u shpall “non-grata”, pas akuzave të fundit. Jemi para këtij fakti, ku me siguri do të vihen përballë të së njëjtit fakt edhe politikanë të tjerë, të identifikuar, majtas dhe djathtas, të cilët kanë abuzuar me pushtetin. Në terma diplomatikë mirë do të ishte të pranohej në heshtje çdo vendim zyrtar i DASH, pavarësisht se kujt i pëlqen dhe kujt jo.

Përmes një standardi me të cilin vepron SHBA, nesër mund të vihet në të njëjtën akuzë Presidenti aktual dhe ish-presidentë të tjerë, Kryeministri aktual dhe ish-kryeministra të tjerë. Se cilët zgjedh SHBA dhe cilët shpall persona “non-grata”, këtë nuk e di as Franca, as Gjermania, as Rusia dhe as Kina. Pavarësisht se vendimet e DASH mund të jenë edhe politike, selektive dhe në një kohë të papërshtatshme, siç po interpretohet ajo ndaj rastit “Berisha”, mënyra që ky i fundit ka zgjedhur të mbrohet politikisht dhe juridikisht, bën sërish dallimin me dy kulturave dhe demokracive.

Për nga historia dhe pesha që ato përfaqësojnë në botë, kultura dhe demokracia Amerikane do të fyhej rëndë, nëse do të krahasohej me ndonjë ‘fije floku’ nga kultura jonë, e ngritur përmes çdo modeli shqiptar në këto 30 vite. Vendimet e DASH janë vendimet të një politike që komandon sot botën. Kush beson se kjo politikë manipulohet, tjetërsohet ose nuk ndjek parime dhe standarde demokratike si në ndonjë model të ngritur Shqipëri gjatë këtyre tre dekadave, thjesht gënjen veten.

Mjafton të përmendet gjyqi që ish-kryeministri Sali Berisha ka hapur në Francë ndaj DASH. Është folur dhe është bërë shumë zhurmë, por askush sot nuk ka ndonjë informacion, mbi ecurinë e këtij gjyqi në vendin tonë. Siç e pranoi Yuri Kim, as ajo dhe askush në SHBA nuk janë në dijeni të këtij gjyqi.

Përse Berisha nuk e hapi gjyqin në SHBA, në vendin ku ai pretendon se ishte ngritur një akuzë e pa bazuar në fakte, kur nuk ishte nevoja që të ishte prezent atje. Mjaftohej të pajtonte një avokat siç veproi në Francë. Nëse ishte shpallur “non-grata” dhe sipas ligjeve amerikane gjykata atje e refuzon mundësinë e shqyrtimit të një çështjeje ndaj personave të padëshirueshëm, qoftë edhe përmes një avokati, kush e beson se shteti amerikan do të njohë vendimin e një gjykate jashtë territorit të tyre?

Edhe avokati francez që mori përsipër çështjen u shpreh se në Francë çdokush mund të hapë padi për shpifje ndaj çdo kujt. Ai gjithashtu pranoi se fitorja më e madhe do të ishte për punën e tij si avokat, nëse gjykata do ta pranonte një çështje të tillë. Avokati i pajtuar nga Berisha thuajse nuk i përmendi fare shanset që ekzistojnë në praktikë, që Berisha “çështjen e tij të dinjitetit” do të mund ta fitonte ndaj DASH, përmes një gjykate franceze.

Por mund të shtrohet ndryshe çështja: A ka ndonjë shans që të humbë dinjitetin Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një gjykate franceze, pas akuzave që ngriti ndaj Berishës? Gjykata franceze nëse pranon të hapë çështje gjyqësore, do të kërkojë prova. A mund ta detyrohet DASH që t’i çojë prova një gjykate franceze, për një zyrtar të një vendi të tretë? A ka pasur ndonjë precedent? A ka ndodhur që DASH të humbë ndonjë gjyq?

Për më tepër, a do të jetë Berisha në gjendje që përmes standardeve të dyfishta, politike dhe juridike, të fitojë betejën e nisur qoftë me SHBA-të, qoftë individualisht me Sekretarin Blinken!

Standardi i dyfishtë juridik. Nuk ishte Berisha i pari që shpallet “non grata” nga SHBA. Tre të parët, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ish-kreu i PSD-së, Tom Doshi, si dhe ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, jo vetëm që nuk e kërkuan një të drejtë ashtu si Berisha, por me të dëgjuar emrin që iu doli në listën e zezë të SHBA-ve, u tërhoqën nga skena aktive dhe politike e vendit, pa u vonuar shumë.

Edhe pse nuk ishin shumë të qarta si me Berishën akuzat e ngritura ndaj tyre përveç faktit se u shpallën “non grata”, Adriatik Llalla siç dimë, është dënuar pak kohë më parë nga drejtësia shqiptare, pak a shumë, mbi akuza më te lehta. Ai nuk po minonte institucionet dhe proceset demokratike dhe nuk kishte aleatë.

Standarti i dyfishtë politik. PS-ja është akuzuar dhe i është kërkuar shpesh nga rivalët politikë për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe të Tom Doshit, në fushatën elektorale, me pretendimin se ata janë persona “non-grata” në SHBA. I pari nuk u kandidua nga PS-ja pas akuzave dhe vendimit të DASH. Pas pretendimeve për përfshirjen e Dakos në fushatën e fundit elektorale, zyrtarët socialistë u mbrojtën duke thënë se nuk kanë ndërmend të dëbojnë asnjë mbështetës të thjeshtë nga radhët e tyre. Tom Doshi gjithashtu pas akuzave nga DASH dhe sulmeve politike dha dorëheqjen, edhe si deputet, edhe si kryetar i Partisë Social-Demokrate, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Pra, kundërshtarët politikë të PD-së, fakt është se i pranuan dhe preferuan të tërhiqeshin përballë akuzave të DASH.

Ndryshe nga të lartpërmendurit, Berisha u shpall “non-grata” disa ditë pas zgjedhjeve, përmes një deklarate me akuza më të forta që mbante emrin e Sekretarit Anthony Blinken. Por për fatin politik sërish ndryshe nga të tjerët, siç duket, vendosi ai vetë në partinë e parë pluraliste në vendin tonë, standard ky i panjohur për SHBA-të (a e di kush se Trump është sot ende në krye të Republikanëve).

Përfaqësues dhe zyrtarë në PD, përfshirë edhe gazetarë dhe analistë të varur nga opozita, duket se vuajnë aktualisht kulturën e standardeve të trashëguara, duke mos dalluar dot as pavarësinë dhe as rëndësinë e vendimeve që përcjellin institucionet Kushtetuese Amerikane. Ata reagojnë me të njëjtën zë dhe logjikë kur çdo gjë bie ndesh me rregullin që ka vendosur dhe glorifikuar udhëheqësi dhe paria, e gjykojnë njëzëri si të padrejtë atë , e kritikojnë, e sulmojnë dhe përpiqen të mos e njohin atë, edhe kur vendimi merret nga institucione me prestigj ndërkombëtar. Kështu e quajtën të padrejtë vendimin “non-grata” të DASH vetëm për Berishën, heshtën për Llallën dhe e promovuan si tmerrësisht të drejtë dhe të duhur vendimin e marrë karshi Tom Doshit dhe Vangjush Dakos. A thua se ka vepruar DASH me disa standarde, që opozita shqiptare nuk pajtohet me standardin e saj!

Vendimet e një institucioni me reputacion botëror si DASH mund të jenë politike, madje selektive përsa i përket emrave që publikohen. Kush i kupton dhe e ka privilegjin t’i gjykojë ato në Shqipëri!

Shumë nga argumentet e përdorura dhe të konsumuara në publik, se për Berishën vendimi ‘absurd’ i DASH ka ardhur 8 vjet pas dorëzimit të pushtetit, “kishte të tjerë që duheshin ndëshkuar”, “ishte i panevojshëm” ose “DASH gaboi, ndërsa lideri ynë historik kurrë” janë pjesë të kulturës së varfër ose shpjegim i mjerimit demokratik që është instaluar prej vetë liderit historik, nga e cila duhet thënë se po vuan sot ai dhe vetë opozita. Sa më parë të kuptohet kjo, dhe sa më shpejt të distancohet PD-ja nga kjo mendësi, aq më madhe do të jetë mundësia që ajo të mbetet partia më e madhe opozitare, me shpresë se mund të rikthehet sërish në pushtet. Sepse, duke i shpërfillur të gjitha argumentet e tjera, kjo parti mund ta dijë se asnjë qeveri pa mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, siç ka ndodhur prej ’92, nuk vjen dot në pushtet dhe nuk e qeveris dot Shqipërinë pa pëlqimin e tyre.

Prej një dekade që kur PD-ja e ka humbur betejën me PS-në, duke mos qenë bindëse me ndërkombëtarët dhe sidomos me SHBA-të, fakt është se edhe humbjet e Lulzim Bashës kanë qenë të njëpasnjëshme. Kështu, a nuk po harxhon energji kot PD-ja, duke e ushqyer elektoratin me iluzionin e gabuar të fitores, kur e dimë se rezultatin e lexojnë institucionet e pavarura dhe nëse ato vendase janë të pabesueshme dhe ta manipulueshme, mjafton që opozita thjesht të bindë me fakte, politikë, apo me çfarëdo lloj mjetesh të tjera që ekzistojnë institucionet e pavarura ndërkombëtare dhe SHBA-të. Pastaj vijnë me radhë, votat, fitorja, pushteti. Nëse i ka humbur deri tani betejat me institucionet e huaja dhe i akuzon edhe ato si të korruptuara, vetëm në Shqipëri mund të besohen të tilla kontradikta dhe paradokse, si argument.

Ata që ngatërrojnë sot DASH me zyrat e ndonjë ish-ministri kulture, si për shembull të Ylli Pangos, dhe besojnë se institucionet e vendeve ndërkombëtare, pavarësisht problematikave, mund të manipulohen nga ndonjë parti apo individ jashtë ose brenda territorit të tyre, ose nuk e kanë njohur dot kulturën dhe psikologjinë e Pangos ose nuk njohin fuqinë e Departamentit Amerikan të Shtetit!

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund

'Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën', Haklaj: SPAK do t'i shkojë deri në fund