TIRANË- Një dëshmitar okular, i cili i shpëtoi mrekullisht plumbave, e mori menjëherë një të ri që mbeti në rrugë me plagë të rënda, për ta transportuar me makinë private drejt spitalit të Traumës. Kur bluzat e bardha e pritën në urgjencë rreth orës 11:25, i riu ishte pa shenja jete. Ardian Baloshi, 28 vjeç, ishte viktimë e një sherri, që deri më tani policia e Tiranës e cilëson për motive të dobëta, me një tjetër banor të zonës ku ai jetonte.
Të dy fqinjë në zonën pranë rrugës “Dervish Luzha” ku ndodhi ngjarja në Paskuqan, ishin konfliktuar, derisa njëri prej tyre, tashmë i identifikuar nga policia, Sadik Llani, nxori armën dhe e qëlloi për vdekje. Personi që e shoqëronte të riun, ishte mik i tij. Autori qëlloi po ashtu edhe në drejtim të tij, por për fat të mirë nuk e prekën plumbat. Në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja, por vetëm 1 plumb e ka kapur Baloshin në kokë.
Autori 39-vjeçar u largua dhe policia ka angazhuar forca të shumta në akset kryesore rrugore për lokalizimin dhe kapjen e tij. Mendohet se i dyshuari, Sadik Llanaj, të jetë në arrati me armën me të cilën kreu krimin, pasi pistoleta ende nuk është gjetur nga policia, që të jetë hedhur në ndonjë ambient.
“Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, është gjykuar që në operacion të marrin pjesë dhe forcat RENEA”, - tha Oliger Torba, drejtor i policisë së Tiranës.
Për çdo informacion blutë kanë vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh, duke ruajtur anonimatin. Policia e konsideron të arratisurin, person me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon kujdes të shtuar nga qytetarët
Llani është person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2015, kur ishte 28 vjeç, u arrestua me 3 të afërm të tij, ndërsa u sekuestrua edhe një sasi heroine e ndarë në disa doza gati për t’u shitur. Po ashtu ai rezulton i dënuar edhe për vjedhje. Ndërsa Ardian Baloshi, rezulton i skeduar për vepra të lehta penale.
Deri tani motivi mbetet i pasqaruar plotësisht, por sipas burimeve, mes tyre ka pasur një konflikt të hershëm një vit më parë, dyshohet për çështje droge.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Foto: Sadik Llanaj
Policia e Tiranës ka ofruar 10 mijë euro për informacione që mund të çojnë në lokalizimin dhe kapjen e autorit që vrau 27-vjeçarin në Kamëz.
Përmes një njoftimi për mediat blutë apelojnë që qytetarët e Kamzës dhe zonave përreth të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Njoftimi i policisë:
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.
Foto: Sadik Llanaj
Report Tv ka siguruar foton e autorit që vrau me armë zjarri Ardian Baloshin, në zonën e Kamzës në Tiranë.
Pas ngjarjes Sadik Llanaj, u largua nga vendngjarja me automjet ndërsa raportohet se është i armatosur.
Drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba ka sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në zonën e Kamzës pranë një kalçetoje. Torba u shpreh se viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital ku është dërguar nga kalimtarë të rastit.
Autori është i armatosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Ngjarja ka ndodhur në rrugë pranë një kalçetoje.
“Në spital e Traumës ka shkuar pas shenjka jete Ardian Balloshi rreth 27 vjeç. Nga konstatimet dëmtimet i ka pasur me armë zjarri. Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit, është gjykuar që në operacion të marrë pjesë dhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë. Janë të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet. Nuk ka të plagosur të tjerë. Viktima është dërguar në spital me automjet privat nga qytetarë të rastit”, tha Torba.
Komente











