Një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në kokë në shtëpinë e një shokut të tij 19-vjeçar në Tiranë, ku ishin mbledhur në një festë me miq duke konsumuar alkool.
Policia arrestoi autorin e dyshuar 19-vjeçarin Rigels Sylaj, i cili mësohet se është djali i një ushtaraku. Ai kishte ftuar 3 shokët e tij në shtëpi dhe gjatë festës po u tregonte një pistoletë të cilën e kishte pa leje.
Gjatë këtij momenti kur i riu dyshohet se po u tregonte armën, duke ia drejtuar të miturit, pa qenë në dije se ajo kishte fishek në fole, e ka shkrehur atë duke lënë të plagosur në kokë një prej tyre.
Të rinjtë, në gjendje të tronditur, e kanë nxjerrë shokun e plagosur në oborrin e banesës private te Kthesa e Kamzës, duke thirrur një ambulancë.
Në dëshmitë e para ata kanë pretenduar se kishin dëgjuar një të shtënë arme nga jashtë dhe se shoku i tyre ishte gjetur i plagosur në oborr. Por, gjatë marrjes në pyetje, kanë pranuar se plagosja kishte ndodhur brenda banesës, gjatë momentit kur 19-vjeçari po u tregonte armën. I mituri i plagosur ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Për rastin, përveç 19-vjeçarit, në pranga kanë rënë edhe 20-vjeçari me inicialet A. V. dhe 22-vjeçari me inicialet H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









Edhe ky brez i ri i thote “mirsevjen Rruga krimit” duke humb rinine! Futjuni librave dhe zanateve o djem
Përgjigju