‘Teatri i Operës të shkëputet nga shteti’/Ministrja e Kulturës përgënjeshtron vetveten

"TKOB duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie totale nga shteti". Ndonëse fjalët e ministres së Kulturës Elva Margariti thënë pak ditë më parë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit janë me zë dhe figurë, ajo i konsideron si trillime dhe të pabazuara. Në një njoftim të dytë dalë nga zyra e institucionit për mediet, që ka fatin e kulturës në dorë, ministrja përgënjeshtron vetveten, duke u shprehur se lajmi për një të ardhme të Operas jashtë strukturave të ministrisë së kulturës është i pabazuar.

E megjithatë, në këtë njoftim pyetjeve të komunitetit të artistëve që punojnë pranë TKOB nuk u jepet përgjigje.

1. Për çfarë ndryshimi e kishte fjalën ministria e Kulturës sa i përket varësisë së institucionit? Nëse jo një shkëputje totale nga ministria e Kulturës, a do të ketë palë të treta që do vendosin për fatin e Operës?

2. Njoftimi që tenton të sqarojë pa argumente dhe pika plani konkrete shtyn ne mendje modelet e huaja të menaxhimit, ndonëse shumë prej tyre kanë pika të mëdha ndryshimi. Kë model do të marrë ministrja e Kulturës për referim?

3. Në njoftimin e ministrisë së Kulturës sugjerohet që TKOB duhet të kthehet në polin referues për të gjithë rajonin. A nënkupton me këtë që me promovimin e artistëve të rajonit do të vijnë prej këtyre vendeve edhe fonde shtesë. Por si do të ndikonte kjo në hapësirën dedikuar prodhimtarisë artistike vendase (e vakt dhe në këto kushte) dhe artistëve vendas?

4. Ministrja flet për rritjen e konkurrencës, dhe mbështetjen e artistëve të rinj. Sipas njoftimit, konkurrenca rritet në aspekt rajonal, çka sjell si pasojë më pak hapësirë për talentet vendase.

5. Së fundmi, në njoftimin e ministrisë thuhet se këto ndryshime ende të paqarta do bëjnë që fitimet e Operas të mos kalojnë me në arkën e shtetit, por t’i mbeten institucionit. Nëse nuk do të jetë më opera që kalon fitimet vetëgjeneruese në buxhetin e shtetit, si pritet të zëvendësohen ato, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, ku kriza po kalbëzon rrënjët e sistemit të mbajtur për 65 vite?

Deklarata e plotë

Ndërsa me padurim presim ditën kur me të parën shfaqje të përurojmë ambientet e rikonstruktuara, të nxjerra nga harresa shumëvjeçare, Ministria e Kulturës fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke  iu larguar dizinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOBAP jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është jo vetëm një nga institucionet publike më prestigjioze, por dhe lider në jetën artistike në vend.

Kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve.

Nga ana tjetër, një nga misionet e Ministrisë së Kulturës është nxitja dhe promovimi i talenteve të reja. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në vite të drejtuesve të këtij institucioni, për të përfshirë në produksionet e tyre të rinj të talentuar, kjo ka qenë e vështirë, pikërisht nga mungesa e të ardhurave dhe strukturave të kufizuara.

Mbështetja e talenteve të reja dhe rritja e konkurrencës është një aspekt i shëndetshëm, i cili do të kontribuonte drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë artistike të institucionit.

Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit.

Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor. E nisëm rrugëtimin tonë me investime në infrastrukturë, për të pasur një teatër të denjë për emrin që mban, atë të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Vazhduam me rishikimin e kuadrit ligjor dhe ekonomik të tarifave dhe çmimeve të reduktuara për kategori të ndryshme shoqërore.

Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetëgjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike.

Si shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë europianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme.

Aktualisht, të ardhurat e gjeneruara si nga biletat ashtu edhe nga përdorimi afatshkurtër i ambienteve të Teatrit, shkojnë në masën 70% në arkën e shtetit dhe vetëm 30% në atë te TKOBAP.

Pandemia, kjo krizë e madhe botërore vendosi sfida të reja, por nxori në pah edhe më fort, rolin kyç që ka shteti në skemat menaxheriale të teatrove në mbarë botën.

Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqip kjo eshte lavire e rilindjes: 26/09/2020 19:02

    Bravo

    Përgjigju
  • redi: 26/09/2020 18:52

    Fjalen qe nxorre per operen duhet ta peshoje ,se je anetare qeverie dhe jo analiste. Mire eshte per cdo nusme ne art te pyeten dhe artistet qe bejne artin

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 26/09/2020 17:41

    Doli fjala per dhembesh behet katerkembesh zonja ministre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vrau bashkëjetuesen me thikë një vit më parë në Elbasan, Apeli lë në fuqi dënimin me burg përjetë të Ramis Micit

Vrau bashkëjetuesen me thikë një vit më parë në Elbasan, Apeli lë në fuqi dënimin me burg përjetë të Ramis Micit