Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 ballë goditi bregun verilindor të Japonisë të hënën, duke shkaktuar një paralajmërim për cunami për disa pjesë të vijës bregdetare.

Një cunami prej gati 3 metrash mund të godasë disa zona të bregdetit, duke përfshirë Iwate, Aomori dhe pjesë të Hokkaido-s, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA). Një cunami prej 40 cm është vërejtur tashmë në Aomori dhe Hokkaido, tha JMA.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se tërmeti goditi në orën 23:15 sipas kohës lokale rreth 70 km larg bregdetit të vendit dhe në një thellësi prej rreth 33 miljesh. Sipas mediave të huaja dridhjet e forta që zgjatën më shumë se 30 sekonda u ndjenë edhe në Tokio.

Autoritetet lokale u bën thirrje njerëzve në zonat e prekura të evakuohen në vende të sigurta, siç janë strehimoret e evakuimit.

Në korrik të këtij viti, një tërmet me magnitudë 5.5 ballë goditi një ishull të largët në Japoninë jugperëndimore. Epiqendra e tërmetit ishte në brigjet e ishujve Tokara në Kagoshima, por atë kohë nuk u lëshua paralajmërim për cunami.

Japonia njihet me tërmete të forta. Ajo shtrihet në Unazën e Zjarrit, një zonë me aktivitet të fortë sizmik dhe vullkanik në të dyja anët e Oqeanit Paqësor. Tërmeti më i fortë në historinë e viteve të fundit të Japonisë ishte tërmeti Tohoku me magnitudë 9.1 ballë në vitin 2011 që shkaktoi një cunami të madh dhe një katastrofë natyrore.