Tërmeti i 26 nëntorit/ Ku janë sot hetimet për 51 jetët e humbura, vetëm një dosje në gjykatë, askush në qeli (VIDEO)

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona, vetëm njëra nga dosjet penale të nisura nga prokuroria Shqiptare, ka përfunduar në gjykatë.

Hetimet e drejtuara nga prokuroritë e Durrësit, Tiranës, Kurbinit, Krujës dhe Lezhës kishin qëllim evidentimin dhe ndalimin e personave, që kishin përgjegjësi penale, për dëmtimin e rëndë të ndërtesave ku ishin regjistruar viktima në njerëz.

Por duket se pas një viti këto hetime janë zbehur, pasi nuk është ai revansh si në fillim të muajit dhjetor dhe janar, i prokurorëve, për të hetuar e ndaluar personat përgjegjës. E vetmja dosje, që u finalizua dhe dërgua në gjykatë, ishte ajo e prokurorisë së Durrësit me 16 të pandehur, biznesmenë dhe ish-zyrtarë të ALUIZNI, e zyrës së urbanistikës të Bashkisë Durrës. Prokuroria e Durrësit, e cila mbulonte zonën me dëmet më të mëdha në njerëz, 23 të vdekur dhe objekte të shumta të dëmtuara, në muajin dhjetor 2019, urdhëroi arrestimin e 18 personave, mes të cilëve, çiftin e inxhinierëve Arben Qato, Dëshiran Qato, pronare e “Vila Palma”, Ruzhdi Xheka pronar i hotel “Mira-Mare”, Ramiz Shehu, ndërtues i “Vila Lala” dhe Abdulla Osmani, pronar i hotel “Tropikal”.

Mes të arrestuarve ishte dhe Ahmet Doda, Drejtori i Kavalishencës në Durrës dhe inxhinieri, Dëfrim Celami, të cilët tashmë kanë ndërruar jetë dhe akuza ndaj tyre është pushuar. Prokuroria argumenton se në ndërtimet e shembura që për pasojë u shënuan dhe viktima në njerëz, ishte përdorur beton dhe hekur në një shkallë të ulët. Ndërkohë dokumentacioni i objekteve ishte falsifikuar duke ngritur kate shtesë pa lejë dhe dobësuar strukturën mbajtëse të objekteve. Madje në disa raste, muret mbajtëse dhe kollonat e pallateve janë zëvendësuar me vetrata xhami të lokaleve dhe dyqaneve. 18 personat u ndaluan si të dyshuar për vepra penale të rënda si “Vrasje me dashje në mënyrë indirekete”, “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh”. Por pa kaluar dy muaj, pjesa dërmuese e personave të arrestuar u liruan nga gjykata e shkallës së parë dhe Apelit Durrës.

Ndërsa një vit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, pjesa më e madhe e këtyre akuzave kanë rënë, pasi gjatë fazës së hetimeve prokuroria e Durrësit, ndryshoi veprat penale.

Prokuroria vendosi të ndryshonte akuzën për 4 të pandehurit nga “Vrasje me dashje në mënyrë indirekte” në “Vrasje nga pakujdesia”, akuzë kjo që sipas Kodit Penal, parashikon një dënim me gjobë deri në 5 vite burgim. Personat e vetëm që akuzohen për “Vrasje nga pakujdesia”, janë inxhinierja Dëshira Qato, pronare e “Vila-Palma, Ruzhdi Xheka, pronar i hotel “Mira Mare”, Ramiz Shehu, ndërtues i “Vila-Lala” dhe Abdulla Osmani, pronar i hotel “Tropikal”. Vetëm këta të pandehur, parashikojnë një dënim me gjobë deri në 5 vite burgim. Ky ndryshim akuzash, ka ardhur për shkak se prokuroria e Durrësit, nuk ka qenë në gjendje të provojë ndaj të pandehurve, qëllimin dhe dashjen e vrasjes, ndaj dhe akuza përfundimtare kundër 4 prej tyre, është konkretizuar në “Vrasje nga pakujdesia”. Ndërsa bashkëshorti i, Dëshira Qatos, inxhinieri Arben Qato, akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, që parashikon një dënim nga gjobë deri në 7 vjet burgim. Për këtë akuzë dhe veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, janë marrë të pandehur dhe priten të përballen në gjykatën e Durrësit 12 personat e tjerë. Pa kaluar një muaj nga arrestimet në Durrës, në janar 2020 në një dalje publike nga prokuroria e Tiranës, prokurorë e policisë, njoftuan arrestimin e 27 personave mes të cilëve 3 ish-kryetarë komune Farkë dhe Kashar si dhe ndërtuesen Vjollca Hoxholli, Pëllumb Fortuzi dhe Gerti Çallikun, njeriun e afërt të Lulzim Bashës. Por nuk kaloi tre ditë nga arrestimi dhe të gjithë personat e ndaluar, u liruar nga gjykata e Tiranës. Tashmë kjo dosje vijon të jetë ende nën hetim dhe prokuroria është në pritje të akt-ekspertimeve grafike të dokumenteve dhe objekteve, për të dalë në një konkluzion lidhur me përgjegjësinë e personave që arrestoi në muajin janar 2020. Hetim ende i pa konkretizuar brenda një viti kohor është dhe ai që po zhvillohet nga prokuroria e Krujës. Në Thumanë dhe Krujë humbën jetën 25 persona, nga shembja e tre pallateve 5-katësh, të cilët kishin pësuar dëmtime të rënda qysh prej tërmetit të regjistruar në muajin tetor 2019, por askush nuk kishte marrë masa për largimin e banorëve nga pallatet. Hetimet nisën me shumë shpejtësi, por pa një akuzë konkrete. Në skanerin e prokurorëve u vendosën dhe ndërtuesit e shkollës 9-vjeçare të Thumanës, e cila ishte ndërtuar dy muaj para tërmetit, dhe u shemb për shkak të dëmtimeve të shumta. Por kur janë mbushur një vit nga tragjedia, në Krujë nuk ka asnjë person të arrestuar dhe ndjekur penalisht për këtë situatë. E njëjta situatë është edhe në prokurorinë e Kurbinit, Lezhës dhe Kavajës, rrethe këto që u prekën rëndë nga tërmeti.

 

Lista e arrestimeve në Durrës

Ramiz Shehu

Nevjana Isufi

Abdulla Osmani

Ruzhdi Xheka

Arben Isaku

Aldo Dakoveli

Artur Terziu

Artur Çela

Klajdi Lame

Flamur Gjuzi

Albrend Qetka

Skerdi Bello

Artenis Malko

Deshira Qato

Arben Qato

Kujtim Hasa

Ahmet Doda ka ndërruar jetë

Dëfrim Celami ka ndërruar jetë

 

Lista e arrestimeve ne Tirane

1. Fatbardh Plaku ish-kreu i Komunës Farkë

2. Besnik Fuçia, ish-kreu i Komunës Kashar

3. Luan Beta, ish-kreu i Urbanistikës, Vorë

4. Anila Harxhi, arkitekte

5. Merita Kushi

6. Bukurije Halili

7. Asqeri Xhanari

8. Vjollca Hoxholli (ndërtuese)

9. Gerti Çalliku

10. Jani Ikonomi

11. Qirjako Gjergo

12. Sherbet Shehi

13. Naim Shehi

14. Ermir Çina

15. Adhurim Qehajaj

16. Gëzim Shkalla

17. Pëllumb Fortuzi (ndërtues)

18. Xhevahir Doda

19. Reis Muça

20. Hekri Disha

21. Agim Eski

22. Faik Fejzo

23. Zhaneta Tagani

24. Muhamed Felahi

25. Ndoc Pepkola

26. Hekri Disho

27. Fejzo Dyrmishi (ndërtues)

 

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të jetë Berisha pjesë e grupit parlamentar të PD në Kuvend?

Komento

Komente

  • Lui: 26/11/2020 10:21

    Ja pse shpesh dhe jo pak njerez kane nostalgji per sistemin e kaluar. Pertej atyre te keqijave te papranueshme qe ka patur ai sistem, gjeja me e mire ne ate kohe ka qene vullneti per te zbatuar me perpikmeri ligjet. Nese do ishim ne ate sistem ne kohen kur ra termeti sot pas nje viti jo vetem do ishin ndertuar te gjitha banesat e shembura, por do ishin denuar te gjithe pergjegjesit qe ne muajt e pare pastermetit. Ja kjo i ben njerezit nostalgjike per ate kohe. Ne sot shikojme cudira qe te vendosesh duart ne koke. Ketu as per vjedhje, apo korrupsion nuk denohet asnje.. Dhe kemi arritur qe mos te na beje pershtypje kjo gje, dhe tani kemi kaluar ne stadin qe mos te na bejne pershtypje as kur vdesin njerez per faj te dikujt tjeter.. E imagjinoni sa shume kemi degraduar si shoqeri..

    Përgjigju


×

Lajmi i fundit

John

Certifikatë vaksinimi dhe test negativ për të hyrë në restorant, Mali i Zi miraton masa të reja anti-COVID