Bollino: Tetë vjet Report TV si përputhje e ëndrrave me pjesën më të mirë të shqiptarëve

Bollino: Tetë vjet Report TV si përputhje e ëndrrave me pjesën më të mirë të shqiptarëve

Tetë vite më parë lindi Report TV, televizioni im i dytë i krijuar në Shqipëri. Nuk ndodh shpesh që një gazetar të ketë mundësinë të themelojë një televizion, ndërkohë që mua më qëlloi fati (besoj unik) të krijoj madje dy. I të parit, nuk kam qenë kurrë pronar edhe pse e themelova, ndërtova dhe e rrita si të ishte media ime. Më 11 maj 2011 pronari që nuk kishte asnjë marrëdhënie shpirtërore as me televizionin dhe as me Shqipërinë vendosi ta shesë, i bindur nga çmimi që nuk diti t’i rezistojë. I dhashë lamtumirën atij televizioni dhe shumë personave që punonin aty me zemrën e thyer që ka një njeri kur është i detyruar të ikë nga shtëpia e tij. Ishte atë natë, në të cilën fjeta pak, kur lindi idea për të themeluar Report TV. Mu desh 1 vit kohë dhe me punë, sakrifica të mëdha, duke përdorur kursimet e një jete dhe mbështetjen e shumë miqve, që arrita të respektoj premtimin që i kisha bërë vetes. Me 12 maj 2012 televizioni im i ri nisi transmetimet, ndërsa pak muaj më parë kishte lindur dhe Shqiptarja.com.

Kanë kaluar 8 vite që nga ajo ditë, kur kanë ndryshuar një mijë gjëra e asgjë njëkohësisht. Report TV sot është një televizion i fortë në tregun mediatik mes 4 televizioneve më të ndjekura në rang kombëtar, i besueshëm, i dashur dhe i kritikuar si të gjithë mediat që bëjnë të ndjehet pesha e zërit të tyre. Armiqtë janë pak a shumë të njëjtët e tetë viteve më parë, e duke i parë mirë, të njëjtët e 28 viteve të miat të kaluara në Shqipëri. Çfarë kam mësuar në gjithë këtë kohë, ka të bëjë me atë se këtu, disa e konsiderojnë këmbënguljen për të urryer si provë të forcës dhe të koherencës së tyre, sikur urrejtja, shpifja e paragjykimet nga të cilat nuk arrijnë të shkëputen, të ishin rrënjët që mbajnë në këmbë pemën e jetës së tyre. E kotë t’u shpjegosh se duke bazuar ekzistencën mbi urrejtje i bën të plaken pa prodhuar as edhe një lule, e do të thahen të vetëm siç i ndodh një bime të papërshtatshme të mbjellë në shkretëtirë.

Ndërkohë miqtë kanë ndryshuar e do të ndryshojnë, sepse koha modifikon këndvështrimet. Ndershmëri, sinqeritet, oportunizëm, mosmirënjohje, dashuri, marrëdhënie etj. etj. vorbulla e miqve është shpesh një karuzel emocionesh që të afron dhe të largon nga njerëzit, por në qendër të cilës është e rëndësishme të qëndrosh i lirë të zgjedhësh. Mbi këtë liri kam bazuar profesionin tim dhe konceptin tim të pavarësisë. Të jesh një gazetar i pavarur nuk do të thotë të mos kesh një gjykim, por do të thotë ta formosh këtë gjykim në mënyrë të lirë. Kush nuk është dakord me gjykimin tënd, do të të kritikojë dhe ti mund të kritikosh kë nuk e mendon si ty në atë shkëmbim normal rolesh dhe idesh mbi të cilat bazohen demokracitë moderne dhe pluralizmi i ideve. Është gënjeshtra ajo që nuk e toleroj, është mëkati që shpesh lind nga mungesa e kulturës, shumë shpesh nga ligësia ose nga mungesa e lirisë. Për një njeri të lirë është shumë e thjeshtë të thuash të vërtetën. Për një skllav, gënjeshtra është e vetmja “e vërtetë” që arrin të shqiptojë.

Nuk i kam dhënë asnjëherë rëndësi përvjetorëve derisa ndonjëherë kam harruar edhe ditëlindjen time. Dhe nëse sot, për herë të parë, në tetë vite kujtoj këtë datë, është edhe falë mikut tim, Adit, që pak ditë më parë ma kujtoi duke më dërguar një foto të atyre ditëve. Isha në krah të teknikëve, me një televizor në shpatulla, duke i ndihmuar ta montonin për të mbaruar punë shpejt. E dua këtë punë, e dua punën në përgjithësi dhe kam besuar e vazhdoj të besoj se mënyra e vetme për t’u rritur, është puna. Ua përsëris edhe kolegëve: të rinjve që fillojnë dhe të tjerëve që falë eksperiencës së tyre bëjnë karrierë. Të gjithë këtyre sot u drejtoj falenderimin tim, sepse sot Report TV është Report TV falë punës së të gjithëve. Do të rritemi akoma, sepse ndershmëria dhe profesionalizmi na e kanë shtruar rrugën në këto 28 vite dhe do të vazhdojnë ta bëjnë edhe në të ardhmen. Dhe kjo është prova me e madhe e dashurisë që kemi marrë nga pjesa më e mirë e Shqipërisë, ajo pjesë që beson e lirë në të njëjtat vlera tonat dhe ëndërron atë që ëndërrojmë dhe ne.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Jona: 13/05/2020 18:46

    Vazhdo punen se je fantastik. Puna te nxjerr ne drite, si do te orvaten Sali & co te ta nxijne!

    Përgjigju
  • Kalsiandër: 13/05/2020 12:11

    Bollino jeni media e asnjanëshme dhe e vërtet. Jeni oksigjeni që i jep jetë shoqëris dhe inkurajim gazetarëve të vërtet. Me dorën në zëmer, FALEMINDERIT!

    Përgjigju
  • 007: 13/05/2020 05:59

    Keep tuned

    Përgjigju
  • Zh.....Aaa: 12/05/2020 22:52

    O Bolino o numero 1

    Përgjigju
  • Avanti: 12/05/2020 22:50

    Auguri!..jemi me fat qe ju kemi ju..z.Bollino...

    Përgjigju
  • A...Zh: 12/05/2020 21:27

    Urime e suksese Report Tv e Bollino! Faleminderit qe na mbani te informuar e ankoruar 24/24! Jeni te mrekullueshem!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin

GOLAT/ 120 minuta dhe 10 penallti, Real Madrid kalon Man. Cityn dhe gjen Bayern Munich në gjysmëfinalet e Champions! Bavarezët i falen Kimmich duke larguar Arsenalin