"The Economist" për Albin Kurtin: Provokoi në mënyrë të parashikueshme protestat dhe injoroi thirrjet e diplomatëve perëndimorë

Kryeministri Albin Kurti

Që nga viti 1999, Serbia ka udhëhequr me një administratë paralele në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, duke përfshirë një shërbim të fshehtë policor të sigurisë. Ky shërbim është i përfshirë në rrjete kriminale, të cilat lulëzojnë duke bërë biznes me homologët e tyre kosovaro-shqiptarë.

Më 29 maj 2023, kur një turmë serbe i sulmoi trupat e NATO-s të cilët e ruanin ndërtesën e një komune në Zveçan, në Kosovën veriore, edhe kancelaritë e Evropës dhe Uashingtonit u alarmuan nga kjo ngjarje.

Të paktën 80 persona u plagosën, duke përfshirë 30 paqeruajtës të NATO-s. Të nesërmen, turma ishte zhdukur. Mirëpo fatkeqësia u shmang vetëm për pak: nëse trupat e NATO-s do ta kishin vrarë ndonjë nga serbët, situata do të kthehej shpejt nga një përleshje e keqe në Ballkan në një incident që Rusia dhe robotët e saj do ta kishin shfrytëzuar, duke i akuzuar paqeruajtësit për vrasjen e civilëve të paarmatosur. (Në fakt, personat përgjegjës për sulmin ishin të armatosur dhe pothuajse me siguri i përkisnin një grupi të organizuar). Dhuna në Kosovë mund të përshkallëzohet shpejt.

Pse ky vend është kaq i përçarë dhe çfarë i nxiti trazirat e fundit?

Deri në shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë në vitet 1990, Kosova ishte pjesë e këtij vendi – jo si republikë brenda federatës, por si krahinë e Serbisë. Sot, për këtë arsye, liderët e Serbisë thonë se Kosova nuk ka të drejtë për pavarësinë që e shpalli në vitin 2008. Megjithatë, Serbia nuk mund të bënte asgjë për ta ndaluar shpalljen e pavarësisë. Sundimi i Serbisë mbi Kosovën përfundoi me forcë në vitin 1999 kur NATO ndërhyri për t’i ndaluar luftimet midis forcave serbe të sigurisë dhe guerilëve etnikë shqiptarë. Më pas Kosova u mor nën administrimin e OKB-së.

Popullsia e Kosovës është kryesisht me etni shqiptare. Vetëm rreth 5% e 1.8 milionë banorëve të saj janë serbë; gjysma e tyre jetojnë në veri të vendit, ku pothuajse nuk jeton asnjë shqiptar. Serbët e Kosovës e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 1999, Serbia e ka udhëhequr një administratë paralele në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, duke përfshirë një shërbim të fshehtë policor të sigurisë. Ky shërbim është i përfshirë në rrjete kriminale, të cilat lulëzojnë duke bërë biznes me homologët e tyre kosovaro-shqiptarë.

Në vitin 2013, qeveritë e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje bashkëpunimi. Një pjesë parashikonte dhënien e një forme të autonomisë komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke përfshirë katër sosh në veri. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim se ky plan “nuk ishte plotësisht në përputhje me frymën e kushtetutës”. Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, bëri fushatë kundër këtij plani.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, SHBA dhe BE-ja i kanë nxitur Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një marrëveshje të re. Mirëpo krizat në veri të Kosovës vazhdojnë të shpërthejnë vazhdimisht. Në nëntor serbët e Kosovës dhanë dorëheqje nga të gjitha pozitat zyrtare, duke përfshirë edhe komunat veriore; Shkaku për këtë ishte një mosmarrëveshje për përdorimin e targave serbe të automjeteve, mirëpo kjo ishte vetëm e fundit në një seri mosmarrveshjesh.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në veriun e Kosovë në prill të këtij viti, mirëpo serbët i bojkotuan ato, që do të thotë se kryetarët shqiptarë u zgjodhën nga vetëm disa qindra vota shqiptarësh që jetojnë në rajon. Votimi ishte i ligjshëm, mirëpo kryetarët kanë pak legjitimitet dhe nuk do të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre pa bashkëpunimin e serbëve që punojnë në komuna dhe i udhëheqin shërbimet komunale. Diplomatët perëndimorë i kërkuan kryeministrit Kurti që të mos e provokojë situatën. Megjithatë, Kurti i shpërfilli ato kërkesa, duke dërguar njësi speciale të policisë për ta marrë kontrollin e ndërtesave të komunave më 26 maj, duke provokuar në mënyrë të parashikueshme protesta.

Veprimet e kryeministrit Kurti i kanë zemëruar përkrahësit perëndimorë të Kosovës. Mirëpo Aleksandar Vuçiç, presidenti i Serbisë, nuk është në gjendje ta kapitalizojë situatën. Refuzimi i tij për t’iu bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë i ka humbur atij reputacionin e mirë dhe ai po përballet me demonstrata të mëdha antiqeveritare në Serbi. Partia kryesore serbe e Kosovës është një degë e Partisë së tij Progresive Serbe, mirëpo shumë serbë të Kosovës e kanë humbur besimin në të. Përkundrazi, ata e shohin veten si viktima të lojërave politike të luajtura ndërmjet liderëve serbë dhe shqiptarë të Kosovës. Në muajin mars, nën presionin e Perëndimit, Kurti dhe Vuçiç arritën një marrëveshje të re që përfshinte një zotim të rinovuar për ta formuar një asociacion të komunave serbe të Kosovës. Mirëpo të dy liderët e urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk ka asnjë dëshmi se që të dy kanë shumë vullnet politik që kjo marrëveshje të jetë e qëndrueshme. Periudha e trazirave të shpeshta nuk ka përfunduar ende.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Detar: 06/06/2023 12:36

    Fushate e turpshme kunder Albin Kurtit. Duket hapur qe si media jeni ne sherim te Edi Rames. Shqiptaret kan sot nje burre shteti dhe ai esht e Albin Kurti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Me kërkesë të Rithemelimit, mblidhet sot Sekretariati i Etikës: Anuloni votimin e 7 marsit, ligjet u kaluan pa kuorum

Me kërkesë të Rithemelimit, mblidhet sot Sekretariati i Etikës: Anuloni votimin e 7 marsit, ligjet u kaluan pa kuorum