Timo Flloko përballë studentëve për 'Artin e aktorit', përvoja hollivudiane e mesazhet për të rinjtë: Kam mësuar dhe nga parealizimet, duhet të gjesh forcën të ringrihesh

Timo Flloko qëndron përballë auditorit me studentë të aktrimit  e pedagogë... Në sallën ‘Black box’ të “Arteve”, muri i katërt, jashtë kontekstit performues teatral, rrëzohet lehtë përmes një bisede të thjeshtë e batutash, që aktorit e pedagogut të “Aktrimit” i vijnë natyrshëm...

“Talenti, thotë Riçard Boleslavski, lind, nuk mund të mësohet, çfarë mësohet është teknika”, thotë artisti Timo Flloko.

Është prezantimi i librit “Arti i Aktorit”  i Riçard Boleslavski,  shkas i këtij takimi, të cilin Flloko e ka sjellë në shqip në 134 faqe, për rëndësinë e veçantë të 6 leksioneve manualistike që aktori duhet të bëjë me veten si krijues.

“Libri është një ese mbi artin e aktrimit. Nuk është përkthyer për të mbushur mungesën e bibliotekës dhe të librave në përgjithësi në botimet tona, është përkthyer për ju, për studentët”, shton më tej Flloko.

Autografi i Daniel Mc Vicar që i paraprin përmbajtjes së librit, mbart edhe historikun e njohjes së Fllokos me të në vitet ’90 kur aktori amerikan ia dhuron duke i theksuar vlerat e tij për teknikën aktoriale.

“Rastisi që të vinte në Shqipëri dy herë, pasi u njohëm, ai shfaqi interes dhe e mora një ditë në auditor, ku i bëri shumë përshtypje shkolla jonë, niveli i saj dhe parimet mbi të cilat funksiononte, metoda e Stanislavskit si dhe të gjitha përvojat më të mira të artistëve tanë”, tregon aktori.

Përmes përvojës personale në teatër e kinema ndan këndvështrimin e tij për “Forcën transformuese të aktorit në krijimin e rolit në skenë dhe në ekran”...

“Kam mësuar më shumë nga parealizimet e mia, sesa nga fitoret, sepse nuk ka mundësi që t’i realizosh të gjitha në maksimum. Por, duhet të mos biesh në depresion krijues, duhet të gjesh forcat e të ringrihesh”, rrëfen Flloko.

E nën ngacmimet e të pranishmëve ndalet edhe tek përvoja hollivudiane që zë fil në vitin ‘97, duke rrëfyer kur u paraqit me Herion Mustafarajn në audicionin e parë të cilin e fitoi. Në atë rast regjisori i “Wish master” e pat pyetur “Po ti ku ke qenë”... ndërsa i kishte caktuar edhe rolin e Mustafait.    E megjithatë rolet e tij përgjatë kësaj eksperience, i konsideron si simbolike, por veçmas vlerëson leksionet e marra nga vëzhgimet në paskuinta.

“Parimisht, asnjë gjë nuk ndryshon, por ndryshojnë kushtet sigurisht”, thotë ai.

Në fund të takimit, artisti lë mbi libër autografin përmes bisedash të shkurtra. “Sinqerisht”, thotë , siç na shkruante dikur Bekim Fehmiu mua edhe Verës, në nënshkrimin-kujtim. 

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet