Tiparet e Eurobondit, çmimi më i shtrenjtë që në 2010, maturiteti ulet për shkak të interesave të larta

Tiparet e Eurobondit, çmimi më i shtrenjtë që në 2010, maturiteti ulet për shkak të interesave të larta

Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj. Eurobondi 5-vjeçar në shumën 600 milionë euro i emetuar të martën ishte i dyti për nga vlera, pas emetimeve të viteve 2020 dhe 2021, që kishin një vlerë totale prej 650 milionë eurosh secila. Për nga çmimi, Eurobondi i kësaj jave ishte emetimi i dytë më i shtrenjtë, pas Eurobondit fillestar, të emetuar në vitin 2010. Edhe Eurobondi i parë, i vitit 2010 kishte maturitet 5-vjeçar dhe u emetua me një yield prej 7.625%.

Ndërkohë, emetimi i fundit me të njëjtin maturitet, atë 5-vjeçar, i realizuar nga Qeveria Shqiptare ishte kryer në vitin 2015. Në atë rast, yield-i i obligacionit rezultoi 5.875%, në nivel lehtësisht më të ulët në raport me yield-in prej 6.125% të obligacionit 5-vjeçar që u emetua dje. Nga viti 2018 e në vazhdim, qeveria shqiptare ndoqi një strategji të zgjatjes së maturitetit të obligacioneve. Emetimet e viteve 2018 dhe 2020 kishin maturitet 7-vjeçar, ndërsa ai i vitit 2021 kishte maturitet 10 vjeçar.

Kjo zgjatje mbështetej në konsolidimin e Shqipërisë si huamarrës në tregjet ndërkombëtare, por edhe në maksimalizimin e përfitmeve nga epoka e normave të ulëta historike të interesit. Eurobondi 7-vjeçar i vitit 2018 u emetua me një yield 3.55%, ai i vitit 2020 me një yield prej 3.625%, ndërsa Eurobondi 10-vjeçar i vitit 2021 me një yield prej 3.75%. Në emetimin e këtij viti, qeveria shqiptare ka vendosur të ulë sërish maturitetin e instrumentit të huamarrjes në pesë vjet, veprim që duket se kishte si qëllim kryesor uljen e kostos së financimit, në kushtet kur normat e interesit janë rritur ndjeshëm, si përgjigje e bankave qendrore dhe tregjeve ndaj inflacionit të lartë.

Kuponi prej 6.25% dhe yield-i prej 6.125% i Eurobondit shqiptar është në nivele të ngjashme me ato të siguruara nga Maqedonia e Veriut, në Eurobondin e fundit të muajit shkurt. Por, Eurobondi maqedonas kishte një maturitet më të shkurtër, katërvjeçar, ndaj duke konsideruar këtë ndryshim, çmimi i siguruar nga Eurobondi shqiptar në harkun e katër muajve më pas mund të vlerësohet pak më i mirë. Në fund të tremujorit I 2023, stoku i Eurobondeve i emetuar nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 1.8 miliardë eurove, ndërsa me emetimin e këtij muaji ky stok rritet në 2.4 miliardë euro.

Gjithashtu, ky emetim e çon stokun total të borxhit në euro në vlerën e rreth 4.6 miliardë eurove, shumë që përbën rreth tret të katërtat e borxhit të jashtëm ose afërsisht sa 34% e borxhit publik (totali i llogaritur si stoku i marsit 2023 plus vlerën e Eurobondit të kësaj jave). Efekti i Eurobondit të fundit në ecurinë e borxhit publik pritet të jetë afatshkurtër, pasi, sipas Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe do të përdoret për shlyerjen e borxheve që maturohen gjatë këtij viti. Në fund të tremujorit I, borxhi publik vlerësohej sa 63.3% e PBB-së.

Huamarrja e qershorit mund ta rrisë përkohësisht nivelin e borxhit në tremujorin II, ndërsa deri në fund të vitit pritet sërish një ulje graduale, falë shlyerjes së detyrimeve të tjera, por edhe efektit të fortë të kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit të Euros ndaj Lekut ka pësuar rënie me gati 11% krahasuar me një vit më parë, duke shkaktuar, mes të tjerash, një ndikim të fortë në uljen e stokut të borxhit publik, llogaritur në Lekë./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bsjsi: 09/06/2023 03:35

    Po beni cmosin per te falimentuar Shqiperine e? Kuvendi miratoi 500 mln, ju morret hua 650mln. 100 e ca nga ky borxh gjoja do shkonte per pagat dhe u financua nga banka private ne Shqiperi. Keto banka, kerkuan garanci dhe kolateral nga qeveria, specifikisht ne sektorin e energjise. Cfare ekonomie po ben o Km rrumpalla? Si do paguhen keto euro qe merren borxh? Antikombetarizmi dhe psikopatia e theksuar e Rames duhen “ndrequr” sa me pare!

    Përgjigju
    • Financa: 12/06/2023 01:52

      Nese qeveria nuk ka garanci per kthimin e borxhit, sado qe te kerkoje, askush nuk ijep. Pra i jaoin, se kane garanci qe i kthehen se bashku me perfitimin e interesave. Keto jane llogari finsnciare dhe jo politike dhe investitoret nuk duan ta dijne, as per Rsmen as per Berishen, por per te fituar PARA !!!

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Sulmi i Iranit mbi Izraelin, koloneli Toçi: U kalua vija e kuqe, mesazhi i qartë! Cika: Konflikti fsheh interesa mes shumë shteteve

Sulmi i Iranit mbi Izraelin, koloneli Toçi: U kalua vija e kuqe, mesazhi i qartë! Cika: Konflikti fsheh interesa mes shumë shteteve