Tjetër vendim i rëndësishëm i Gjykatës Supreme në SHBA, mbështetet trajneri që kërkoi të lutej në publik pas ndeshjeve

Tjetër vendim i rëndësishëm i Gjykatës Supreme në SHBA, mbështetet trajneri që kërkoi të lutej në publik pas ndeshjeve

Trajneri Joe Kennedy

Gjykata e Lartë mbështeti të hënën një trajner futbolli amerikan të një shkolle të mesme në shtetin e Uashingtonit, i cili kërkoi të gjunjëzohej dhe të lutej në fushë pas ndeshjeve, një vendim që mund të nxisë kryerjen e disa praktikave fetare në mjedise të tjera të shkollave publike. Në një vendim 6-3 në favor të trajnerit, me gjykatësit konservatorë në mbështetje dhe liberalët kundër, vendimi i Gjykatës së Lartë thotë se lutja e trajnerit mbrohet nga Amendamenti i Parë.

"Kushtetuta dhe traditat tona më të mira këshillojnë respektin dhe tolerancën reciproke, jo censurën dhe shtypjen, si për pikëpamjet fetare ashtu edhe për ato jofetare”, shkruan gjykatësi Neild Gorsch në emër të shumicës së Gjykatës së Lartë.

Rasti në fjalë i detyroi pjesëtaret e Gjykatës së Lartë që të gjejnë një mënyrë për të balancuar të drejtat fetare dhe lirinë e shprehjes së mësuesve dhe trajnerëve me të drejtat e studentëve që të mos ndjejnë trysni për të marrë pjesë në praktikat fetare. Ky është vendimi i fundit i një serie çështjes fetare të shqyrtuara nga Gjykata e Lartë.

Këtë muaj, Gjykata e Lartë vendosi që shteti Maine nuk mund të përjashtojë shkollat fetare nga një program që ofron ndihmë financiare për arsimimin në shkolla private, një vendim që mund të lehtësojë qasjen e organizatave fetare tek paratë e taksapaguesve.

Në argumentet kundër vendimit të shumicës, anëtarja e Gjykatës së Lartë, Sonia Sotomayor shkroi se vendimi për trajnerin “na çon më tej drejt një rruge të rrezikshme për të detyruar shtetet të ndërthurin veten me fenë”. Qëndrimit të saj iu bashkuan edhe dy anëtarët e tjerë liberalë të Gjykatës së Lartë, Stephen Breyer dhe Elena Kagan.

Trajneri dhe avokatët e tij nga grupi ligjor i krishterë “First Liberty Institute” ishin mes atyre që e brohoritën vendimin.

Avokati Paul Clement, i cili argumentoi çështjen në emër të trajnerit Joseph Kennedy, tha në një deklaratë se vendimi do t'i lejonte trajnerit "të kthehej më në fund në vendin që i takon - duke stërvitur lojtarët e futbollit dhe duke u lutur i vetëm në heshtje pas ndeshjes".

Vetë zoti Kennedy tha në një deklaratë: “Kjo është e mrekullueshme. Gjithçka kam dashur ndonjëherë ishte të kthehesha në fushë me studentët e mi. Falënderoj Zotin që iu përgjigj lutjeve tona dhe mbështeti familjen time gjatë kësaj beteje të gjatë”.

Zoti Kennedy, një i krishterë, është një ish trajner futbolli në shkollën e mesme Bremerton të shtetit Uashington. Ai filloi si trajner në shkollë në vitin 2008 dhe fillimisht u lut i vetëm në mes të fushës në fund të ndeshjeve.

Studentët filluan t'i bashkoheshin dhe me kalimin e kohës ai filloi të mbante fjalime të shkurtëra frymëzuese me referenca fetare. Zoti Kennedy e vazhdoi këtë praktikë për vite me rradhë dhe gjithashtu udhëhoqi studentët në lutje në dhomat e zhveshjes. Në vitin 2015 drejtoria e arsimit mësoi se çfarë po bënte trajneri dhe i kërkoi ta ndalonte këtë praktikë.

Zoti Kennedy i dha fund lutjeve me studentët në dhomat e zhveshjes dhe në fushë, por kërkoi që ai të lejohej të lutej në fushë dhe studentët t’i bashkoheshin nëse dëshironin.

Nën shqetësimet se mund të paditej për shkelje të të drejtave të lirisë fetare të studentëve, shkolla i kërkoi atij të ndalonte praktikën e gjunjëzimit dhe lutjes ndërsa ishte ende "në detyrë" si trajner pas lojës. Ndërsa ai vazhdoi të gjunjëzohej dhe të lutej në fushë, shkolla e pezulloi atë, por pa i prerë pagën.

Në një deklaratë, Drejtoria Arsimore e qytetit Bremerton dhe avokatët e tyre nga organizata Amerikanët e Bashkuar për Ndarjen e Kishës nga Shteti, thanë se vendimi minon ndarjen që kërkon Kushtetuta.

Drejtoria arsimore tha se kishte "ndjekur ligjin dhe kishte vepruar për të mbrojtur lirinë fetare të të gjithë nxënësve dhe familjeve të tyre" dhe se do të punonte me avokatët për të siguruar që qarku "të mbetet një mjedis mikpritës, gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit, familjet e tyre dhe stafin.”

Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë - Breyer, Kagan dhe Samuel Alito janë arsimuar në shkolla të mesme publike, ndërsa pjesa tjetër në shkolla katolike./ VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me nismën e PS për të zbuluar politikanët bashkëpunëtorë të ish-sigurimit?



×

Lajmi i fundit

​​​​​​​Merr flakë marketi përballë ambasadës së Kosovës në Tiranë! Zjarrfikësit në vendngjarje (FOTO)

​​​​​​​Merr flakë marketi përballë ambasadës së Kosovës në Tiranë! Zjarrfikësit në vendngjarje (FOTO)