TIRANË- Një ditë pasi lajmëroi aksionin për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama u bën edhe njëherë thirrje zaptuesve që të reflektojnë para se autoritetet të zbresin në terren. Kreu i qeverisë ka marrë në duar rastet e para, pasi u dha deputetëve porosi që të evidentojnë çdo problematikë të qytetarëve të Tiranës.

Rama ka ndarë disa foto nga zaptimi i hapësirave publike në zonën e “21 dhjetorit” në kryeqytet, krahas së cilave shkruan se kjo është situatë klasike “toke të xanun”. Edhe njëherë kërkon lirimin e hapësirave publike, ndërsa zaptuesve u kujton se nëse nuk do të veprojnë vetë do të përballen me gjoba ose hetim penal.

“Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori - kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë…”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shkruan se është koha që shumica të marrë atë që i takon dhe pakica të kthejë mbrapsht atë që nuk i takon.

“Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon”, shkruan Rama.

Më i ashpër është me rastin e Vlorës, ku brenda 48 orëve kërkon lirim të hapësirave publike në Lungomare dhe heqjen e strukturave të paligjshme. Në të kundërtën, Rama u thotë zaptuesve se nga e hëna nuk do të kenë asgjë në dorë. Ndërsa ka ndarë disa foto nga zaptimi në Lungomare, kryeministri shkruan se ky zaptim i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”.

Sipas tij, janë zaptuar trotuaret dhe hapësirat e përbashkëta, nën justifikimin se prona u përket ndërtuesve të pallateve, ndërkohë që në realitet u takon të gjithë banorëve. E gjithë kjo, Rama thotë se ka ndodhur nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite.

“Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite! Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë”, shkruan Rama.

Në një tjetër postim, kryeministri Rama ka ndarë denoncimin e një qytetari, i cili i ka dërguar një foto nga zaptimi i hapësirës publike në një kompleks pallatesh në njësinë numër tre në Tiranë. Krahas fotos Rama shkruan: “Barrikada tipike që duhen shkulur nga vetë ngulësit e tyre, përpara se sa bashkë me shkuljen t’u mbetet në dorë edhe fatura e gjobës, bashkë me ndjekjen penale”.

“Mirëdita kryeministër! Duke marrë shkas nga aksioni që keni nisur për zaptimin e hapësirave publike nga bizneset, bashkëngjitur po ju dërgoj një video të kompleksit ASL në Tiranë, në krah të spitalit të Neurokirurgjisë, njësia nr.3, ku për ne si banorë të kompleksit është e vështirë lëvizja për shkak se lokalet e kanë shtrirë veprimtarinë e tyre edhe në hapësirën e përbashkët të pallatit. Video që do ju dërgoj e tregon qarte këtë situate”, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Aksioni u paralajmërua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili u ka lënë deputetëve dy javë kohë që të evidentojnë rastet në terren. Nëse nga bizneset dhe qytetarët nuk do të ketë reflektim, në mesin e muajit korrik do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave publike.