Topi dekoron personalitete të shquara të skenës

Topi dekoron personalitete të shquara të skenës
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot paradite figura të shquara të artit skenik e të kinematografisë shqiptare, personalitete artistike të dashura e të njohura për mbarë publikun shqiptar. Me këtë rast, në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, ishin të pranishëm aktorë, regjisorë, kineastë, piktorë, skenografë, familjarë, etj.

Ceremonia e dekorimit u çel me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe me leximin e dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko. Duke përshëndetur të pranishmit, Presidenti i Republikës theksoi: “Në këtë sallë zhvillohen çdo vit me dhjetëra ceremoni, por kjo e sotmja, për nga pjesëmarrja dhe personalitetet e shquara që nderon kam bindjen se mbetet ndër më të veçantat. Nuk nderojmë thjesht një grup artistësh apo karriera personale; ne sot nderojmë një epokë kinematografie, një brez të jashtëzakonshëm artistësh që me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën dhe kujtesën tonë kulturore dhe shoqërore. Një jetë në skenë, një jetë përpara publikut, një jetë në mendjet dhe zemrat e miliona shikuesve duke demostruar përherë e më shumë talent të rallë dhe mjeshtëri artistike, humanizëm dhe përkushtim qytetar.

Ne ju jemi përjetë mirënjohës ju, sepse me personalitetin dhe aktrimin tuaj ushqyet në një epokë të errët shpirtin tonë, ëndrrat, dëshirën tonë për liri. Ju ishit pishtarë drite në natën e gjatë të diktaturës. Tek secili prej jush, aktori, historia dhe fjala u bënë një dhe në këtë lidhje kryet realizimin tuaj si aktorë të mëdhenj si mjeshtra të artit të shtatë duke u skalitur në ndërgjegjen kombëtare. Raporti juaj me fjalën, me skenën ishte shpirtëror një fluturim në lartësi, një ngjizje hyjnore.

Më shumë se dy breza janë lindur dhe rritur me ju, me interpretimin tuaj, ju njohin shpesh përmes personazheve dhe kanë bërë të tyret fjalët tuaja të intepretimit, sepse me rolet tuaja u shndërruat në mishërim të një pasioni të madh, të virtyteve apo veseve njerëzore, të shpresave dhe enigmave tona në një botë të mbyllur. Suksesi juaj është dëshmi e një tradite të fortë kinematografike, e një plejade të jashtëzakonshme artistësh që lindin dhe e ndërtuan karrierën e tyre në një kohë të vështirë për ata që ju panë e ju ndoqën dhe për shoqërinë shqiptare.

Shpesh ju u ndeshët me privime dhe censurë, me presione biografike dhe mure të shurdhër, por ju, me kurajo, qytetari, aftësi dhe talent ia dolët të krijonit një art që u mbijetoi kohërave, të mbillni shpresën dhe optimizmin edhe atëherë kur vendi ishte në errësirë, të mbushnit zemrat e njerëzve edhe atëherë kur jeta e kujdo ishte e rrezikuar. E nisët karrierën në moshë shumë të re, aktruat në disa qindra filma dhe teatro, drama dhe skena, - duke u shndërruar me të drejtë në emblema të gjalla të kinematografisë shqiptare. Nëse Shqipëria do të kishte një ‘Holliud’ të saj, kam bindjen se ju do të ishit përfaqësueset më të denja të tij.

Shpesh ne shohim se politika zakonisht mbetet lajm i parë, por unë sot dëshiroj të apeloj median dhe publikun që të kthejnë kokën nga ato vlera humane dhe talenti, aktiviteti dhe pune fisnike që ju keni përfaqësuar dhe përfaqësoni dhe që i mungojnë dukshëm edhe politikës. Koha ka dëshmuar se politikanët, natyrisht megjithë punën e vyer që bëjnë, shkojnë dhe vijnë, kurse arti dhe artistët, krijimtaria e tyre e pasur, është dhe mbetet mbi vitet, dekadat dhe shekujt. Ceremonia e sotme e dëshmon këtë.

Ndaj më lejoni, që në emër të shtetit shqiptar, në emër të Institucionit që përfaqësoj dhe të qytetarëve jashtë kësaj salle, në emrin tim personal të nderoj zyrtarisht karrierën tuaj artistike me vlerësimet më të larta! Është një nderim që ndoshta duket disi i vonë, por mëse i merituar, një kthim borxhi moral për gjithçka që ju bëtë në dekada në dobi të artit dhe të shoqërisë shqiptare.

Ceremonia e sotme sigurisht nuk është përmbyllëse, por edhe inkurajim për ju për të vazhduar edhe më tej. Ne duam, ne urojmë dhe ne shpresojmë t’ju kemi në skenë edhe për shumë vite të tjera, për të përfituar sa më shumë nga talenti juaj i jashtëzakonshëm, nga aftësia e juaj e rrallë për ta bërë subjektin kinematografik real e jetësor, dhe kështu, për t’i dhënë edhe më shumë vlera e pasuri kinemasë, teatrit shqiptar, shoqërisë shqiptare, e cila ka pasur, ka dhe do të ketë nevojë për ju – një pikë referimi shumë e rëndësishme e qytetarisë tuaj, e talentit tuaj, e profesionalizmit tuaj dhe asaj që shoqëria ka nevojë sot: e humanizmit tuaj.

Kështu që më lejoni edhe njëherë të vlerësoj karrierën tuaj dhe t’ju falenderoj që ishit të pranishëm këtu dhe që e meritoni plotësisht këtë titull, që do ta merrni tani formalisht!”

Në shenjë vlerësimi e nderimi të veçantë, Presidenti Topi u dorëzoi Urdhrin “Nderi i Kombit”, përkatësisht: Zonjës Drita Pelingu, me motivacionin: “Artistes së shquar, një nga pionieret e skenës shqiptare që me rolet e saj të shumta nga dramaturgjia jonë dhe ajo botërore, të realizuara me mjeshtëri, kontribuoi në krijimin dhe zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë kombëtare, regjisores e pedagoges që me përkushtim e pasion përgatiti breza të tërë të artistëve shqiptarë”; Zonjës Margarita Xhepa, me motivacionin: “Artistes së madhe të skenës, që me interpretimin mjeshtëror të roleve nga kryevepra të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore dha kontribut të çmuar në zhvillimin e teatrit shqiptar si dhe me arritjet e saj të pazakonta në rolet në filmat shqiptarë la gjurmë të pashlyera në zhvillimin e këtij arti”; Zonja Tinka Kurti, me motivacionin: “Artistes së madhe të skenës, pionieres së filmit shqiptar që me interpretimin mjeshtëror të shumë roleve nga dramaturgjia botërore dhe ajo vendase dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe pasurimin e teatrit dhe kinematografisë kombëtare”.

Ndërsa me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit dekoroi: Zonjën Edi Luarasi, me motivacionin: “Për kontributin e spikatur në teatrin dhe kinematografinë kombëtare, nëpërmjet lojës së saj larg skematizmit dhe shabllonizmit si dhe për qëndresën me dinjitet ndaj persekutimit komunist, duke krijuar personalitetin e një gruaje dhe artisteje, që përbën pikë referimi në historinë e artit shqiptar”; Zonjën Roza Anagnosti, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në artin skenik shqiptar, duke krijuar me mjeshtëri të lartë një galeri të pasur figurash dhe, veçanërisht, në kinematografi, ku afirmoi vlerat më të arrira, nëpërmjet interpretimit të veçantë dhe krijimit të figurave të paharruara dhe të dashura për publikun”; Zonjën Liljana Tesho (Kabo), me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në realizimin e shumë filmave shqiptarë, si piktore grimi, me nivel shumë të lartë artistik e profesional dhe me fantazi në krijimin e figurave artistike si dhe për ndihmesën që u jep, si pedagoge, brezave të rinj të kineastëve”; Zotin Llukan Bushi, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm, si një nga themeluesit e grimit artistik filmik në Shqipëri, për realizime të arrira artistikisht në filmat shqiptarë, në mënyrë të veçantë të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, si dhe për ndihmesën e dhënë në formimin e brezave të artistëve të rinj në këtë fushë”.

Duke falënderuar për nderimin e lartë, personalitetet e dekoruara i shprehën mirënjohjen e thellë nga zemra Kreut të Shtetit shqiptar për këto vlerësime, të cilat i mbushin me gëzim dhe krenari.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Zhdukja e 3-vjeçarit në Durrës, lihet në burg gjyshi dhe kunati i tij

Zhdukja e 3-vjeçarit në Durrës, lihet në burg gjyshi dhe kunati i tij