Tregtia e jashtme/ Defiçiti tregtar ulet 5% në një vit, 16.8% më shumë eksporte si 7-mujor

Tregtia e jashtme/ Defiçiti tregtar ulet 5% në një vit, 16.8% më shumë eksporte si 7-mujor

Foto Ilustruese

Në korrik eksportet e mallrave nga vendi ynë arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u rritur me 7.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0.2% në krahasim me qershorin 2018. Importet e mallrave arritën vlerën 58 miliardë lekë, duke u rritur me 5.4% në krahasim me një vit më parë dhe me 6.8% në krahasim me qershorin, njoftoi dje Instituti i Statistikave.

Deficiti tregtar i këtij muaji rezulton 31 miliardë lekë, duke u rritur me 3.3% krahasuar me korrikun 2017 dhe me 13.7% në krahasim me qershorin e këtij viti.  Në shtatëmujorin e parë të vitit 2018, eksportet e mallrave arritën vlerën 185 mld lekë, duke u rritur me 16.8 % krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 367 mld lekë, duke u rritur me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 182 mld lekë, duke u ulur me 5%, krahasuar me 2017-ën. 

Ecuria

Eksportet gjatë shtatëmujorit janë rritur me 16.8%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5.4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4.5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3.5 pikë përqindje. Eksportuesit e tekstileve e këpucëve janë ankuar vazhdimisht për efektin negativ që po vjen nga zhvlerësimi i euros, që aktualisht është stabilizuar në 126 lekë, nga 134 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar dhe rreth 139-140 lekë që këmbehej mesatarisht në periudhën 2010-gjysma e parë 2016. Pavarësisht efekteve të kursit, industria vijon t’i gëzohet një kërkese të lartë nga partnerët e huaj.

Eksportet kanë vijuar tendencën e tyre rritëse edhe në korrik, megjithëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm. Kjo ka bërë që për 7-mujorin, shitjet e mallrave e produkteve jashtë vendit të ngadalësohen në 16.8%, nga 18.3% që ishte zgjerimi për 6-mujorin, duke treguar se performanca e mirë e muajve të mëparshëm ka ardhur më shumë nga faktorë rastësore si energjia elektrike e nxitur nga reshjet, se sa pasojë e një zhvillimi të qëndrueshëm të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Pothuajse të gjitha grupet kanë shfaqur ngadalësim të rritjes në korrik në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa si shtatëmujor importet janë rritur me 4.8%, krahasuar me shtatëmujorin 2017. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve janë: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1.9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +0.4 pikë përqindje. 

Drejtimet

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (5.3%), Kosova (17.8%) dhe Spanja (71.7%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-27.5%), Turqia (-13.6%) dhe Ukraina (-52.5%). Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve në krahasim me një vit më parë janë: Italia (1%), Greqia (3.6%) dhe Turqia (2.7%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania (-2.3%), Spanja (-0.6%) dhe Shtetet e Bashkuara (-3.2%). 
Shkëmbimet tregtare për shtatëmujorin me vendet e BE zënë 67.2% të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35.6%), Greqia (6.9%), Gjermania (6.7%) dhe Kina (5.9%).

Detaje
Destinacionet

Shkëmbimet tregtare për shtatëmujorin me vendet e BE zënë 67.2 për qind të gjithë volumit të kryer të tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (35.6%), Greqia (6.9%), Gjermania (6.7%) dhe Kina (5.9%)

Dinamika

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në krahasim me një vit më parë, janë: Italia, Kosova dhe Spanja. Vendet me të cilat eksportet kanë pasur ulje janë: Kina, Turqia e Ukraina

Taksat
Ndryshon sistemi i verifikimit të pajisjeve fiskale në Tatime-Dogana

Financat: Nuk do të ketë kosto shtesë, përdoren pajisje aktuale

Administrata Tatimore pritet të aplikojë së shpejti një sistem të ri teknologjik të faturimit, njoftoi ministria e Financave dhe Ekonomisë. Projekti i fiskalizimit synon krijimin e një sistemi on line të mbikqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes. Ministria e Financave ka hapur tenderin me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro, për të kontraktuar kompaninë që do të instalojë sistemin.Sipas Financave, bizneset nuk do të kenë nevojë të blejnë kasa të reja, pasi sistemi do të instalohet në kasat aktuale dhe do të jetë pa pagesë.

Aktualisht në Shqipëri mendohet se ka 160 mijë kasa, që përdoren nga bizneset. Ministria e Financave thotë se sistemi i ri ul kostot për administratën dhe mbyll shtigjet për evazion. Madje, sipas saj ai sjell përfitime edhe për biznesin, duke i mundësuar plotësimin automatik të librave të shitjes dhe atyre të blerjeve.

Sistemi aktual i Tatimeve është instaluar fillimisht në vitin 2010, por ka rezultuar problematik. Në vitin 2015, qeveria shpenzoi 16 milionë euro për modernizimin e sistemit, por problemet nuk u zgjidhën. Sistemi i ri, ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010, do të lidhet edhe me modulin aktual të manaxhimit të riskut në Tatime e më pas edhe në Dogana, për të mundësur një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve. Çfarë ndryshon?

Sistemi aktual

Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës, kur mbyllet kasa manualisht. Sistemi aktual është i centralizuar; nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. Në të njëjtën kohë, me sistemin aktual mungon një analizë e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit; nuk identifikohen faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe për shkak të mos-deklarimit të shitësit dhe blerësit, elemente këto të domosdoshme për efektivitetin e punës së administratës tatimore.

Sistemi i ri

Sistemi i ri, përveç se adreson këto mangësi, sjell edhe disa risi të rëndësishme:  Është një sistem gjithëpërfshirës që mbulon transaksionet Biznes-Konsumatorë (B2C) dhe Biznes-Biznes (B2B); do të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore; do të mundesojë plotesimin automatik të formularëve që tatimpaguesit duhet të dorezojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes, apo të para-plotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH); në transaksionet B2B, do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së. 

Projekti i fiskalizimit është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e dixhitalizimit të administratës fiskale, në favor të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe uljes së evazionit fiskal si dhe transformimit në të njëjtën kohë të marrëdhënies dhe bashkëveprimit mes administratës fiskale dhe tatimpaguesve, thekson ministria e Financave dhe Ekonomisë. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit