Tregu i karburanteve/ Hapet rruga për koncesionin e kontrollit të matësve të naftës e gazit

Me Vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik nr. 77/2019, datë 7 shkurt 2019, është hapur përfundimisht rruga për kryerjen nga privatët të procesit të kontrollit të matësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm nëpër pikat e shpërndarjes së karburanteve. Deri më sot, ky proces kryhet nga një institucion shtetëror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Tek ky Komision vitin e kaluar ishte paraqitur një ankesë nga ana e kompanisë zvicerane “Penzoil Trading SA”, e cila kishte kërkuar që, para se të zhvillohej tenderi, të modifikoheshin dokumentat, duke qenë se dokumentat e paraqitura nga ministria e Financave dhe Ekonomisë shkelnin barazinë në tendera të operatorëve ekonomikë. Por Komisioni ka kundërshtuar të gjithë argumentimin e zviceranëve.

Procesi
Dy herë në vit, është qenë Drejtoria e Metrologjisë që ka kryer deri tani kontrollin e pompave të naftës dhe të gazit të lëngshëm, shërbim që synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet me sasinë e karburantit. Por një vendim i Këshillit të Ministrave, i pasuar nga një tender i shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i ka hapur rrugën dhënies së këtij shërbimi me koncesion. Në dhjetor 2016 në qeveri ka ardhur një propozim i pakërkuar nga kompania “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve. Një vit e gjysmë pas propozimit, kompanisë private iu akordua nga Këshilli i Ministrave një bonus prej 10 pikësh, në një garë me fond limit 64.8 milionë lekë të reja për një periudhë 20-vjeçare.Më 17 shtator 2018 ministria e Financave e shpalli tenderin. Në datën 18.09.2018 është publikuar në sistemin e prokurimeve elektronike në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura konkurruese “E hapur”, me objekt: “Për kontrollin ligjor të instrumentave matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumentave shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN)”, me fond limit 64.890.600 lekë.

Kundërshtimi
Ndërsa më datë 28.09.2018, operatori ekonomik ankimues “Penzoil Trading SA” sh.p.k., ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke kundërshtuar kriteret e kualifikimit. Sipas ankesës, kërkohet që operatorët ekonomikë të paraqesin certifikatë akreditimi të llojit ISO/IEC17020:2012 në fushën e inspektimit për verifikimin e shpërndarësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Kërkesa e mësipërme e cila specifikon fushën e veprimtarisë vetëm në inspektimin e shpemdarësve të karburantit, ngushton rrethin e operatorëve pjesëmarres të cilët mund të jenë aktivë dhe në fushën e inspektimit të matësve në mjekësi apo në pikat e shumicës të terminalëve të shpërndarjes të karburantëve, duke qënë se në parim konsistojnë në të njejtën lloj veprimtarie si ajo e kontrollit të matësave në shpëmdarësit e karburantëve ndaj, duhet të lihet i hapur sektori ne të cilin ushtrohet inspektimi dhe në të cilin subjekti është i akredituar për të ofruar shërbim.

Gjithashtu, ky kriter i vendosur është haptazi diskriminues për ofertuesit e huaj përsa kohë kërkohet që certifikata në fjalë të jetë lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, një kërkesë kjo e mundur për t’u realizuar vetëm nga subjekte te regjistruara në Shqipëri, theksojnë zviceranët.Po kështu, firma e huaj mendon se mospublikimi nga Agjencia e Prokurimit Publik i studimit të fizibilitetit cenon haptazi parimin bazë të transparencës, mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabarte të ofertuesve, pasi privon të tjerët nga informacioni bazë në funksion të vlerësimit për të marrë pjesë ose jo në procedurë si dhe realizimin e një oferte të plotë dhe të kënaqshme.Po kështu, “Penzoil” thekson se ky koncesion nuk duhet trajtuar si propozim i pakërkuar, pasi ky sektor nuk është mes sektorëve të parashikuar në nenin 4 të Ligjit për Koncensionet dhe Partneritetin Publik Privat.

Opinionet
Përveç kundërshtive në procesin e prokurimit, janë ngritur disa probleme edhe nga bizneset dhe shoqatat e mbrojtjes së konsumatorit.Një problem i mgritur është ai se nuk dihet se cili do të jetë përfitimi dhe cila është realisht leverdia e dhënies me koncesion, ndërkohë që, nga ana tjetër, po i jepet një privati një të drejtë që praktikisht i takon shtetit. Po kështu, janë ngritur shqetësime për shmangien në këtë rast nga detyrimi ligjor për konsultime me publikun dhe grupet e interesit si dhe përjashtimin e kompanive të huaja nga konkurrenca përmes kriterit për akreditimin.

Ndërkohë, shqetësim tjetër mbetet rreziku i rritjes së kostos në sektor, që do të transferohej nga kompania private tek blerësi fundor, duke rritur çmimin me pakicë të naftës, benzinës e gazit.Ndërkohë, koncesioni i pompave nuk është ngarkesa e parë mbi çmimin e karburanteve, por e treta, që qeveria u ngarkon qytetarëve nëpërmjet privatëve. Dy të parat janë “tarifa e markimit” dhe ajo e “skanimit”, parà të cilat paguhen nga qytetarët në çmimin e naftës, por në vend që të shkonin në buxhetin e shtetit, janë devijuar në llogari private përmes koncesioneve, të cilat lindin si oferta të pakërkuara dhe me procedura të kontestuara.

Vendimi
Pavarësisht gjithë problematikës, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të mos pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Penzoil Trading SA” për procedurën konkurruese “E hapur”, me objekt: “Për kontrollin ligjor të instrumentave matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumentave shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN)”. Përfundimisht, ministria lejohet të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së mësipërme konkuruese.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjykata Administrative vendosi anulimin e vendimit të Komisionit të Prokurorimeve Publike dhe riberjen e kritereve të Koncesionit të pompave të naftës.: 27/05/2019 17:12

    Gjykata Administrative vendosi anulimin e vendimit të Komisionit të Prokurorimeve Publike dhe riberjen e kritereve të Koncesionit të pompave të naftës. Ishte gjykatësja Nafije Hasko ajo që dha vendimin i cili do të zbardhet pas disa ditësh. Për here të parë një Gjykatës jep një vendim të tillë në Shqipëri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Shefi i CIA-s: Ukraina mund të humbë pa ndihmën e SHBA

Shefi i CIA-s: Ukraina mund të humbë pa ndihmën e SHBA