Trump dhe Zelensky takohen në Nju Jork

Trump dhe Zelensky takohen në Nju Jork

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Nju Jork me Donald Trumpin, kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.

Takimi vjen mes rritjes së tensioneve mes dy zyrtarëve lidhur me mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

“Mendoj se kemi një qëndrim të përbashkët se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk mund të fitojë”, tha Zelensky.

Pasi arritën së bashku në takim, Trump tha se “vetë fakti që jemi bashkë sot është shenjë e mirë”.

Takimi u zhvillua në Kullën Trump në Nju Jork, një ditë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kundërshtarja demokrate e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, u takua me liderin ukrainas dhe shprehu mbështetje të palëkundur për Ukrainën.

Trump dhe Harris kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes së Ukrainës, teksa lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon.

Trump në ditët e fundit ka lavdëruar fitoret historike ushtarake të Rusisë dhe ka insistuar se SHBA-ja ka nevojë “të largohet” dhe t’i japë fund përfshirjes me Ukrainën.

Gjatë një interviste për The New Yorker, që u publikua më herët gjatë kësaj jave, Zelensky la të kuptohet se Trumpi nuk e kupton dhe e thjeshton konfliktin. Udhëheqësi ukrainas tha se kandidati i Trumpit për nënpresident, JD Vance, ishte “shumë radikal” dhe po avokon që Ukraina “të bëjë një sakrificë” duke “hequr dorë nga territori i saj”.

Gjatë kësaj jave, Trumpi në dy raste ka kritikuar Zelenskyn. Duke folur gjatë një ngjarjeje në Karolinën e Veriut të mërkurën, Trump tha:

“Çdo marrëveshje – qoftë marrëveshja më e keqe – do të ishte më e mirë nga ajo që kemi tani”.

Ndërkaq, Harris në takim me Zelenskyn tha se Trumpi po kërkon që Ukraina të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe propozimet e tij, sipas saj, “nuk janë propozime për paqe, por propozime për dorëzim”. Por, Trump ka deklaruar se ai nuk po avokon për dorëzim./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dënimi i Salianjit, avokati: Vendim politik, u dërgua në burgun e Fierit

Dënimi i Salianjit, avokati: Vendim politik, u dërgua në burgun e Fierit