Turizmi dhe e ardhmja e tij në fokusin e një konference ndërkombëtare

Turizmi dhe e ardhmja e tij në fokusin e një konference ndërkombëtare

Zhvillimet në fushën e turizmit dhe perspektiva e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë shqiptare janë pjesë e konferencës ndërkombëtare që po mbahet në Universitetin e Shkodrës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga universitetet e Shqipërisë, rajonit dhe më gjërë. Sipas studiuesve, rritja e shpejtë e numrit të turistëve ndërkombëtar po ndikon në ekonominë vendit, por, ata shtojnë, se është i rëndësishëm që turizmi të mbështetet në praktikat më të mira të turizmit të qendrueshëm për të patur një zhvillim afatgjatë.

Pjesëmarrja në konferencën ndërkombëtare e shumë studiuesve nga universitetet shqiptare si dhe të rajonit dhe europës është tregues i interesimit të stafeve akademike mbi përvojën shqiptare në fushën e turizmit, problematikat dhe perspektivat e këtij sektori.

Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në fund të muajit tetor, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 9 milionë turistë të huaj, tregues ky 32 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo ka bërë që Shqipëria të përfshihet ndër destinacionet e rëndësishme turistike.

“Numri i turistëve ndërkombëtarë ishte diçka e papritur. Nuk pritej në numra dhe shifra të tilla. Mendoj se vështirësia e parë, me të cilën u hasën të gjitha bizneset turistike, ishte mungesa e kapaciteteve. Kapaciteteve fizike për t’i shërby dhe infrastrukturave mikpritëse për t’i shërby këtyre turistëve, po njëkohësisht edhe në mungesën e kapaciteteve të burimeve njerëzore”, thotë Albana Boriçi, zv. dekane e fakultetit ekonomik, Universiteti i Shkodrës.

Profesoreshë Albana Boriçi thotë se promocioni që është bërë vitet e fundit për vlerat turistike, si nga qeveria ashtu edhe shoqatat dhe vetë turistët e huaj, përmes asaj që quhet "marketing gojor", ka ndikuar në interesimin e gjërë si për turizmin bregdetar, atë malor, kulturor, por edhe dentar.

Për profesoreshë Mirjam Dibrën, e cila drejton departamentin e turizmit në Universitetin e Shkodrës, investimet e realizuara ndër vite, si nga qeveria ashtu edhe sektori privat, në drejtim të infrastrukturës lidhëse me destinacionet turistike, rilindjes së zonave urbane, ngritjes së resorteve turistike dhe promovimin e trashëgimisë historike, natyrore dhe kulturore, kanë dhënë rezultatet e tyre ketë vit me shtimin e numrit të turistëve.

Por, profesoreshë Dibra shton se është e rëndësishme të vlerësohen problematikat e krijuara këtë vit nga fluksi i madh i turistëve të huaj.

“Prandaj duhet të ecet paralelisht me përgatitjen e infrastrukturës, supërstrukturës, me nxitësa, t’i stimulojnë që të vijnë investimet drejt Shqipërisë në mënyrë që të përballohet ky fluks. Por, sidomos, është e rëndësishme të përgatisim të rinjtë që të rrijnë dhe t’i shërbejnë turizmit. Tashmë edhe bizneset turistike janë ndërgjegjësu mbi rëndësinë që kanë burimet njerëzore dhe kanë filluar rritjen e pagave të punonjësve që shërbejnë në bizneset e tyre”, thotë ajo.

Për profesorin nga Universiteti Vidzeme, Aigars Anderson, Shqipëria ka burime të shumta turistike, një pjesë e të cilave ende të pashfrytëzuara. Në shumë vende europiane , thote ai, universitetet dhe kampuset e tyre janë jo vetem pjesë e programeve dhe projekteve për fuqizimin e sektorit turistik, por edhe pjesë e guidave turistike.

“Tani ambienti akademik po ndryshon, nuk ka rëndësi sa universitet i madh jeni dhe ku jeni, pasi rrjeti europian i universiteteve të së ardhmes krijon mundësinë e këmbimit të përvojave dhe programeve edhe në fushën e turizmit duke bërë që të jeni të dobishëm në fuqizimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë vendase”, thotë ai.

Edhe pas përfundimit të sezonit të plazhit, numri i turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë vazhdon të rritet. Kështu, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 691 mijë turistë të huaj ose 89% më shumë se një vit më parë. Për profesoreshë Boriçin, rritja e numrit të turistëve ndërkombëtarë që vizitojnë vendin është një e mirë për ekonominë pasi ata sjellin të ardhura dhe punësim.

Por, ajo shton se një vend i vogël si Shqipëria duhet të jetë i kujdesshëm në lidhje me turizmin masiv.

“Eksperienca e vendeve europiane, që njihen për zhvillimin e turizmit në mënyrë masive, sidomos në vitet 70’,80’, ka treguar që turizmi masiv me kalimin e kohës bëhet më shumë i dëmshëm sesa me përfitim. Prandaj, që ta mbajmë sa më të qëndrueshëm, është e nevojshme të mbështetemi në praktikat e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm”.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, sektori turistik i Shqipërisë deri në fund të vitit pritet të presë 10 milion turistë të huaj duke shënuar kështu treguesin më të lartë ndër vite./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, reagon KLGJ: Dënojmë këtë akt kriminal, të zbardhet ngjarja

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, reagon KLGJ: Dënojmë këtë akt kriminal, të zbardhet ngjarja