Turizmi kurativ në Elbasan, Gjiknuri takim me bizneset: Zgjidhje të furnizimit me energji dhe të shfrytëzimit të ujërave termale

Turizmi kurativ në Elbasan, Gjiknuri takim me bizneset: Zgjidhje të furnizimit me energji dhe të shfrytëzimit të ujërave termale

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri gjatë takimit me bizneset

Shumë shpejt zona e Llixhave në Njësisë Administrative Tregan të Bashkisë Elbasan do të marrë zgjidhje të problemit të furnizimit me energji elektrike dhe për shfrytëzimin e ujërave termale. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut bashkëbisedoi me bizneset e zonës ku u njoh nga afër me kërkesat e tyre, ku dy më kryesoret ishin përmirësimi i cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe shfrytëzimi i ujërave termale.

Teksa i siguroi për zgjidhjen e këtyre dy kërkesave, Sekretari i Përgjithshëm i PS theksoi se llixhat e Elbasanit janë një potencial i rëndësishëm ekonomik jo vetëm për zonën, por për gjithë qytetin.

“Llixhat e Elbasanit janë një nga elementët e atraksionit turistik, por që njëkohësisht po kthehet në potencial të madh ekonomik për Elbasanin, sikurse është kjo zonë. Është krenari për qytetin, por mbi të gjitha është një mundësi e mirë ekonomike edhe në të ardhmen.Unë mendoj që me shtimin e kapaciteteve, por edhe përmirësimin e shërbimeve, por edhe pozicioni gjeografik që ka Elbasani, pasi vijnë njerëz nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, do ketë shtim të vizitorëve. Pra, krahas qëndrimit këtu ke edhe një qytet si Elbasani i cili është lehtësisht i vizitueshëm, ka aktivitete dhe shërbime shëndetësore që në fund të fundit u shërbejnë atyre që vijnë këtu”,  tha ai.

Gjiknuri nënvizoi se afërsia me Tiranën, por dhe investimet nga ana e qeverisë dhe e pushtetit vendor që do të bëhen, do të rrisin aftësitë e zonës për të konkurruar në fushën e turizmit. “Nëse këtu bëhet një infrastrukturë e mirë, mund të jetë atraktive edhe për ata që vijnë nga jashtë me linja ajrore. Tirana nuk është më shumë se një orë. Nuk duhet parë vetëm pjesa rajonale, por natyrshëm që të shkosh te këto lloj tregjesh do më shumë shërbim, do më shumë investime. Jo të gjitha ju i përballoni vetë, edhe qeveria duhet të mendojë se çfarë lehtësirash mund të krijojë. Qënia afër kryeqytetit është në vetvete një treg i madh potencial. Nëse përmirësohet shërbimi dhe investimet që duhet të jenë më të mëdha, tregu është goxha i madh, shtoi ai.

Drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan u shpreh se kjo perspektivë e re për Elbasanin dhe zonën e llixhave veçanërisht, kërkon një bashkëpunim pushtet vendor – investitorë – qeveri. “Perspektiva e kësaj zone është goxha e mirë dhe do rritet në mënyrë eksponenciale. Pyetja që shtohet është: A i paraprijmë ne kësaj? A bëjmë ne marketimin e duhur? Nëse arrijmë këtë, këtu fluksi është i garantuar. Kjo padyshim kërkon një bashkëpunim, pushtet vendor – investitorë – qeveri”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledjan Llatja garantoi bizneset e zonës së llixhave për mbështetje dhe vijimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës. “Kur kam ardhur në fillim, problemet kryesore ishin infrastruktura, tregu, pastërtia, gjelbërimi. Unë kam qenë gjithmonë pro biznesit dhe kam dashur gjithmonë zhvillimin e turizmit. Ju e dini që ne kemi aplikuar dhe do aplikojmë për fonde nga BE. Kemi 3000 turistë sot që flasim. Përveç numrave dhe kapaciteteve që kemi duhet që edhe ju të jeni në unison si biznese. Ne kemi një plan që do vazhdojë, ashtu sikurse filluam me asfaltimin, do bëjmë edhe disa gjëra të tjera”, theksoi kryebashkiaku Llatja.

Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend. Pranvera dhe Vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë, por edhe turistë në vit.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë