U abuzua nga roja në Tiranë, AMA: Kujdes! Media mos të publikojë të dhëna që identifikojnë të miturën

TIRANE-Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive kanë reaguar duke bërë një deklaratë për mediat pas rastit të Kamzës ku roja i shkollës dhe tre të rinj, dy prej tyre nxënës përdhunuan të miturën pas kërcënimeve dhe shantazheve me video.

AMA u bën thirrje medieve që të jenë të kujdesshme dhe të mos publikojnë të dhënat personale, të privatësisë dhe kofidencialitet. Sipas AMA-s, informacione të tilla të bëra publike, që i bën fëmijët të identifikueshëm në rastet kur ato janë viktimë e një ngjarjeje të rëndë, ndikojnë në riviktimizimin e fëmijës dhe rehabilitimi i tyre bëhet shumë i vështirë më pas.

Report Tv dhe Shqiptarja.com kanë qenë mjaft të kujdesshëm duke mos publikuar të dhëna që çojnë në identifikimin e së miturës që është abuzuar, por një pjesë e mediave nuk ka respektuar të ruajnë të fshehta të dhënat e viktimës duke paraqitur rastet me detaje dhe intervistuar të afërm të fëmijës, duke bërë të mundur identifikimin. Ky reagim i AMA duket se shkon pikërisht me këto media, ku me publikimin e të dhënave kanë dëmtuar normat ligjore dhe etike, dhe dëmtuar edhe më shumë fëmijën e abuzuar.

"Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dënojnë rëndë çdo formë të abuzimeve seksuale me fëmijët, brenda dhe jashtë rrethit të tyre familjar. Abuzimi seksual me fëmijët është një nga format më të rënda të dhunës ndaj fëmijëve. ASHMDF po punon me Njësitë vendore për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe partnerët e saj për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe rehabilitimin e tyre. AMA, duke e konsideruar mbrojtjen e fëmijëve si prioritetin kryesor të saj, është e angazhuar për të mbrojtur fëmijët nga transmetimet e dëmshme audiovizive, duke apeluar ndaj operatorëve audiovizivë për të respektuar normat ligjore dhe etike, si dhe të mbajnë parasysh interesin më të lartë të fëmijëve.

ASHDMF dhe AMA nxisin qytetarët dhe komunitetet përreth fëmijëve të denoncojnë sa më shpejt çdo rast të dyshuar apo konstatuar të abuzimit me fëmijët. Vetëm raportimi i shpejtë do të mundësojë parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima. Gjithashtu, nisur edhe nga ngjarjet e fundit të rënda të abuzimeve seksuale me fëmijët,ne jemi të shqetësuar për mënyrën se si këto raste janë raportuar në media.

Mediat e shkruara, portalet online, por edhe mediat audiovizive kanë paraqitur rastet me detaje, kanë intervistuar të afërm të fëmijës, duke bërë të mundur identifikimin e fëmijëve viktima të abuzimit. Gjithashtu, mediat ka publikuar detaje nga banesa, zonës administrative, qytetit ku ka ndodhur ngjarja, me pasojë identifikimin e mundshëm të fëmijës.

Publikimi i këtyre të dhënave është në shkelje të parimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar, ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të Kodit të Transmetimit, një kuadër ligjor që sanksionontë drejtat e fëmijëve për të qenë të mbrojtur, për ruajtjen e të dhënave personale, privatësisë dhe kofidencialitet. Informacione të tilla të bëra publike,që i bën fëmijët të identifikueshëm në rastet kur ato janë viktimë e një ngjarjeje të rëndë, ndikojnë në riviktimizimin e fëmijës dhe rehabilitimi i tyre bëhet shumë i vështirë më pas.

Parimet bazë që mediat duhet të njohin dhe respektojnë, bazuar në legjislacionet kombëtare dhe ndërkombëtare shprehin qartë mbrojtjen që gëzojnë fëmijët në media. Nga parimi kryesor që është interesi më i lartë i fëmijës, burojnë parime të tjera për mos diskriminim, respektimi i jetës private, familjare, banesës, e korrespondencës, mbrojtja e moralit dhe e dinjitetit të fëmijës.

Mediat kanë për detyrë të respektojnë etikën, sidomos kur ato transmetojnë lajme që kanë të bëjnë me fëmijët. Në çdo publikim, media duhet të konsiderojë mbrojtjen e interesit të fëmijës para çdo interesi tjetër. Transmetimi i figurës apo detajeve mbi ngjarjen që e bëjnë lehtësisht të mundshëm identifikimin e plotë të të fëmijës viktimë, janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore që media duhet të respektojë.

ASHDMF dhe AMA kanë ndjekur me shqetësim publikimin e lajmeve mbi ngjarjet ku janë përfshirë fëmijët viktima. Bazuar në ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve” dhe në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, apelojmë ndaj mediave, përfshirë dhe ato audiovizive për të respektuar parimet e ruajtjes së privatësisë dhe kofidencialitetit të fëmijës. Gjithashtu, u bëjmë apel mediave të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të bëhen partnerë në parandalimin e abuzimeve me fëmijët, duke denoncuar edhe normat dhe sjelljet sociale që influencojnë abuzimin seksual të fëmijëve" mbyllet deklarata.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët