DOKUMENTI/ U dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen 'Babale', Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit në Gjykatë të Lartë

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i burgosur me 1 vit për veprën penale "kallëzim i rremë" në dosjen "Babale", me vendim të formës së prerë, i lënë në fuqi më 26 Shtator nga Apeli i Tiranës, i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs.

Ish-ligjvënësi që e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, i kërkon pezullimin e vendimit shkallës së tretë, duke pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.

Ai pretendon nxitim nga Prokuroria dhe Gjykata në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë. Salianji kërkon nëpërmjet avokatëve që të pezullohet dënimi, derisa Gjykata e Lartë të shprehet për kërkesën e tij.

“Në lidhje me këtë kërkesë, duke qenë se vendimi i Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk na është vënë në dispozicion as i arsyetuar dhe as i përmbledhur, si fillim kemi depozituar një “Rekurs të përmbledhur” pranë kësaj gjykate, duke ruajtur të drejtën për plotësimin e tij pas njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës. Në lidhje me këtë fakt i jemi referuar qëndrimit të mbajtur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 00-2024-1288 Vendimi, datë 12.07.2024”, thuhet në rekursin e Salianjit.

Ish-deputeti ka gjetur edhe pikëmbështetje në arsyetimet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, duke përmendur një prej pikave të tij, Nenin nr. 164:

“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, ç’ka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale”, theksohet më tej.

Në kërkesën me rreth 9 faqe dorëzuar në GJL, përmendet edhe pasoja e rëndë e ndërprerjes së mandatit, si një nga shkaqet që vendimi i Apelit nuk duhej ekzekutuar menjëherë.

“Po ashtu, është e qartë se ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se ekzekutimi i këtij vendimi, është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv (vendim i shkurtuar), format ky që nuk njihet nga K.Pr.Penale apo nga ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, fakt ky që na pamundëson edhe depozitimin e rekursit pranë Gjykatës së Lartë”, nënvizon ai në dokumentin e rekursit.

Parlamenti u njoftua dje (30 Shtator) për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të deputetit nga ana e Ervin Salianjit. Ai po vuan dënimin në Burgun e Fierit, prej të premtes së kaluar (27 Shtator).

Salianji pretendon pafajësi, teksa në dosje dhe konkluzionet e palës mbrojtëse u vu re se nuk është kërkuar pezullimi i vendimit dhe konvertimi i tij në masë më të lehtë, si dënimi me kusht në shërbim prove apo me punë në komunitet.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë

PISTAT/ Vrasja e shqiptarit Beni Arshiaj në Itali, nga kodi i Kanunit, tek misteri i kameras së manipuluar! Kishte dhe emër të dytë