U gjet pas 22 vitesh, nëna rrëfen takimin e parë me të bijën: Nuk mbante mend mbiemrin, e rëndësishme që e gjeta gjallë

U duk e pabesueshme për familjarët, por jo vetëm edhe për publikun, kur në janar të këtij viti emisioni ’’Pa Gjurmë" në Report TV dha lajmin e shumëpritur për gjetjen e Teuta Rrahmanit, që u zhduk në vitin 1998, nga Tirana. 9 muaj më parë, Teuta vendosi të rilidhte kontaktet me familjarët, kur përmes një telefonate live përcolli emocione të papërshkrueshme. Prindërit nuk pritën gjatë, Milazim dhe Gëzime udhëtuan nga Shqipëria drejt Holandës për t’u takuar me të bijën. Lajmi për gjetjen e vajzës nga Kukësi, që u zhduk 14 vjece, preku zemrat e të gjithëve ne. Të njëjtat emocione i risollëm edhe këtë hënë, kur ’Pa gjurmë’ shfaqi për herë të parë fotot, nga ky takim i përmallueshëm që nga pritja në aeroport e deri tek qëndrimi i gjatë i prindërve me vajzën, sot një 36-vjecare. Ata u pritën në shtëpinë ku Teuta jeton me bashkëshortin, një shtetas holandez dhe dy fëmijët e saj. E ftuar në studio, e ëma përcolli emocionet e përjetuara dhe të ndjera, në bisedat e gjata të bëra nënë e bij. Ajo tha në studion e ’Pa Gjurmë’ se edhe Teuta kishte 5 vite që i kërkonte, por nuk kishte mundur t’i gjente pasi nuk mbante mend mbiemrin e saj.

 

Pas 22 vitesh, Teuta Rrahmani takohet me prinderit

 

’Ajo ishte munduar nëpër rrjetet sociale, por kishte harruar mbiemrin e saj, nuk mbante mend asgjë, ndaj nuk na gjente dot. Madje kishte harruar edhe gjuhën. Nga ana tjetër, ajo ishte munduar për 5 vite më radhë të na kërkonte, kishte bërë cdo përpjekje, ishte përpjekur shumë të kujtohej, por kishte humbur cdo kontakt me Shqipërinë, prej 22 vitesh. Më premtoi  se në Shqipëri do të vij shumë shpejt’, rrëfen nëna

Me sytë plot gëzim, nëna përshkruan edhe një herë castin kur ’Pa Gjurmë’ i komunikoi 9 muaj më parë lajmin e gjetjes, moment kur iu rikthye shpresa e humbur. Takimi i prindërve me të bijën zbardhi cdo të vërtetë për këtë mungesë të gjatë të Teutës, detaje të cilat nëna nuk dëshiroi t’i bënte publike.

‘Ju u bëtë shkaktare që gjeta vajzën. Në fund unë i humba shpresat, por nuk i humbe ti. Madje doja të hiqja dorë përfundismisht për ta kërkuar. Kur ju na morët në telefon jam çmendur fare. Thashë kjo do jetë shpresa e fundit.U nisëm me bashkëshortin dhe djalin dhe qëndruam një javë atje. U takuam me Teutën. Kontaktet me Shqipërinë i kishte humbur plotësisht. Ne folëm shumë gjatë si nënë e bij’, rrëfen nëna

E fejuar kur ishte ende një e mitur, Teuta Rrahmani u zhduk nga banesa e xhaxhait të saj në Tiranë, kur doli herët në mëngjes dhe nga ajo ditë do të kalonin 22 vite. Familjarët e kërkuan pareshtur në emisionin ’Pa Gjurmë’, ku erdhën mjaft dëshmi të reja. Teuta Rrahmani ishte informuar nga një shoqja e saj, se po kërkohej prej dy vitesh në studion e emisionit, kur vendosi të reagonte më 23 janar. Familja dyshoi në gjithë këto vite se Teuta u rrëmbye nga një djalë nga Tropoja. Familja ka tërhequr cdo lloj denoncimi të bërë për Teutën, duke thënë se e rëndësishme është që gjetën vajzën të gjallë.

Odeta Dume: Në këtë studio janë përmendur shumë emra, që dyshohet se mund ta kishin trafikuar vajzën.

‘Po janë përmendur shumë emra, por ne kemi tërhequr cdo lloj denoncimi që kemi bërë më parë. Unë nuk e kam pyetur për jetën që ka bërë në këto vite. E rëndësishme është që gjeta vajzën dhe e gjeta mirë dhe është gjallë. Teuta nuk ka ardhur akoma në Shqipëri. Tani flasim dy herë në ditë. Që kur pa emisionin, Teuta mësoi se kërkohej nga ne. Bashkëshorti e dinte të gjithë historinë e saj. Ai e mbështeste shumë Teutën, për të na gjetur. Dashtë Zoti kështu të përfundojnë të gjithë. Të gjejnë familjarët sic gjeta unë Teutën’, përfundon rrëfimin plot emocione nëna e Teutës, Gëzime Rrahmani.

Teuta nuk është i vetmi rast gjetje në emisionin ’Pa gjurmë’ në Report TV, por është një nga rastet që jep shumë shpresë. Një histori sa e dhimbshme, por me një fund të lumtur jep shpresë për qindra të tjerë të humbur, që janë kërkuar dhe kërkohen ende në emisionin ’Pa Gjurmë’. Misioni në Report TV vazhdon me të tjera ’Teuta’…

 

VIDEO/Emisioni i plotë

O.D./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Kush prek votën t'i pritet dora' , a e mbështesni propozimin e Presidentit Meta?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Sindikata ndërkombëtare letër Ramës për naftëtarët: Të ndërhyjë sa më shpejt për të siguruar pagat e prapambetura