U gjet sot i masakruar, çfarë thoshte ish-pjesëtari i UÇK-së për Berishën, UDB-n, Haklajt dhe vrasjen e Azemit

U gjet sot i masakruar, çfarë thoshte ish-pjesëtari i UÇK-së për Berishën, UDB-n, Haklajt dhe vrasjen e Azemit

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi u gjet sot i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Komunës së Pejës. Qerimi kishte qenë njëri nga ushtarët e parë të UÇK-së.

Në një intervistë të dhënë për DITA-n në vitin 2013, ai i rrëfen detaje të këtyre kohëve, duke e akuzuar madje Berishën edhe për një takim që sipas Kelmendit ai ka zhvilluar me Zhelko Raznatoviç Arkanin në Shkodër në vitin 1992.Më tej Kelmendi hidhet në ngjarjet mes viteve 1997-1999 ku ndër të tjera sqaron edhe rolin e Berishës gjatë luftës së Kosovës.

Gjatë intervistës, Kelmendi përmend edhe natyrën e lidhjeve mes UÇK-së dhe familjes Haklaj në Tropojë, veçanërisht Fatmir Haklajt.

Zoti Kelmendi, një libër i studiuesve James PettifSer dhe Miranda Vickers përmend faktin se kur Berisha ishte President në Tiranë u arrestua Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Përmendet dhe një antentat ndaj Hashim Thaçit ku mbeti i vrarë shoku i tij i dhomës gazetari Ali Uka. Ju keni qenë ndër themeluesit kryesorë të UÇK-së asokohe, i konfirmoni ju këto analiza dhe cili ka qenë aktiviteti i kësaj organizate në fillim të viteve 90’ në Shqipëri?

Në fund të vitit 1991,në dimrin e egër të këtij viti,një grup i ish-antarëve të LPK-së(Lëvizja Popullore e Kosovës), një organizat ë klandestine në Kosovë, ne jemi nisur maleve të Gjeravicës, dhe mbetëm në dëborë dhe nuk mundëm të depërtojmë në Shqipëri. Për peripecitë e atij udhëtimi dhe të udhëtimeve tjera nuk do marrë kohë të rrëfehem sot. Në janar të vitit 1992, në përpjekjen tjetër, po në borën mbi një metër, ia dalim të shkojmë në Shqipëri. Në Shqipëri, meqënëse shkuam sëbashku me vëllain e Adrian Krasniqit (tani i shpallur Dëshmor dhe Hero), pra me Ilir Krasniqin, i cili në atë kohë ishte antar i LPK-së u vendosëm tek një familjar i afërt i Ilir dhe Adrian Krasniqit, pra u vendosëm tek vëllezrit Besnik, Agim, Lul dhe Edi Krasniqi (i aksidentuar në vitin 1992 në komunikacion dhe i vdekur). Kjo familje shqiptare e Kosovës ishte detyruar të shpërngulej nga Kosova për në Shqipëri, gjatë aksionit famëkeq të armëve, që e drejtonte krimineli i atëbotshëm Rankoviçi, në vitin 1956. Në Bajram Curri kemi ndejtur dhe u çlodhëm me sa mbaj mend nja dy-tre ditë. Iliri dhe Ramadan Kastrati qëndruan në Bajram Curri ndërsa unë dhe Sali Kelmendi (djali i vëllait tim) vazhduam rrugën në Tiranë sepse misioni konsistonte në vendosjen e lidhjeve të organizatës tonë, për të parë mundësitë, se si mund të organizonim bartjen e armëve në Kosovë.

Në Tiranë takova vëllain tim Ibrahim Kelmendi, që është i njohur për opinionin si themelues i LPK-së sëbashku me Kadri Zekën dhe Jusuf Gërvallën. Kur shkuam atje ishte koha e kaosit dhe u skandalizuam me situatën në Shqipëri. Në Shqipëri ishim nisur me kërkesën e Nënkrytarit të LKP-së, Dega Jashtë Vendit, pra ishim nisur me kërkesë të Muhamet Kelmendit, i cili kishte dërguar mesazhe përmes dikujt tjetër, me qëllim që antarë të LPK-së të vinin e të organizonin bartjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë. Koha dhe hapësira kur shkuam në Shqipëri ishte plot kaos, me zhvillime të neveritshme politike, me gangsterë që kishin përçudnuar jetën e shqiptarëve në Tiranë e gjetiu. Me Ibrahim Kelmendin (vëllain tim) u dakorduam që të takohemi me një oficer të Kosovës, që kishte qenë i burgosur në Jugosllavi. Meqë Xhafer Jasharaj kishte afërsi dhe miqësi me Zv.Kryeministrin e Kosovës Ramush Tahirin, na propozoi që t’i trokasim në derë dhe me ndërmjetësimin e Jashar Salihut, në Sheshin Skënderbej, aty tek një qoshe e çimentos, ku ishte tregu i valutës, takohem me Zv. Kryeministrin Ramush Tahiri. Natyrisht nuk kishte nevojë të prezantohesha meqë mestar i takimit tonë ishte oficeri Xhafer Jashari.

Të them të drejtën, Ramush Tahiri më mirëpriti dhe e vlerësoi gatishmërinë e të rinjve të LPK-së që kishin filluar të mendonin për armatosjen e njësiteve. Z.Ramush Tahiri më tha se në Shqipëri është një situatë kaotike dhe sugjeroi që të presim zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 dhe të shpresojmë se po fiton Sali Berisha , (që konsiderohej në atë kohë si dora jonë) dhe nëse fiton Sali Berisha atëherë çështja e armatimit të grupeve në Kosovë do të jetë një çështje e lehtë teknike. Ramush Tahiri më propozoi që takimin tjetër ta mbajmë pas zgjedhjeve, 3 javë ose 4 javë pas zgjedhjeve. Meqë kisha marrë premtime të mëdha nga parashikimet e Ramush Tahirit, duke patur parasysh se ai ishte dhe Zv.Kryeministër në qeverinë Bukoshi u ngazëlleva dhe nuk përmbahesha nga gëzimi.

A u realizua takimi?

Krejt këtë përshkrim të zgjeruar e bëra për të ardhur tek ky detaj. Vjen koha dhe diku pas 5 javësh bëhet takimi i dytë në mes meje dhe Zv.Kryeministrit Ramush Tahiri dhe ishte një takim që nuk do e dëshiroja kurrë, sepse Ramush Tahiri erdhi me fytyrë të mërzitur që reflektonte keqardhje dhe zhgënjim. Priste një takim rezultati i të cilit do na angazhonte dhe do na gëzonte të gjithëve, por ndodhi e kundërta nga takimi u përcoll vetëm zhgënjim. Kur erdhi për të më përcjellë mua rezultatet e takimit Ramush Tahiri më tha tekstualisht këto fjalë : “Ju lumshin krahët juve të ilegales,dhe mos shpresoni te Sali Berisha, sepse na ka zhgënjyer. Ai po preferon të mbajë dhe të krijojë kontakte vetëm me strukturat sekrete shqiptare, që ishin pjesë e UDB-së”. Më pas Ramush Tahiri më kërkoi ndjesë që më kishte mbajtur me shpresë për disa javë me radhë.

Unë u theva shumë nga ky takim dhe nuk di si kam arritur tek banesa ku banonte vëllai im Ibrahimi, ku e njoftova për epilogun e takimit tim me Ramush Tahirin. Gjatë qëndrimit tim kam patur rastin që të takoj udhëheqësit e studentëve, që e quanin veten Studentët e Dhjetorit, duke filluar nga Azem Hajdari, Arben Lika, Miftar Gjanaj dhe gjithë të tjerët. Në takimet me disa nga këta jam zhgënjyer shumë sepse jam befasuar se si rastisën këta njerëz që të jenë në krye të këtyre ndryshimeve kaq të rëndësishme? Me përpjekje e pa sukses kam qëndruar në Tiranë deri më datën 18 gusht. Aty kemi qëndruar bashkë edhe me shokët tanë të LPK-së, si me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Naser Krasniqin, të cilët kishin ardhur në Tiranë që të hulumtonin rrugët dhe mënyrat për të krijuar lidhje dhe për të parë mënyrat se si mund të realizonim furnizimin me mjete luftarake.

Pra grupi i rezistencës kosovare nuk ka qenë i mirëpritur në Shqipëri në kohën kur Shqipëria kontrollohej nga ish-presidenti Berisha?

Pas fitores së Sali Berishës në vitin 1992 është bërë një listë e zezë kundër ilegalëve dhe pjestarëve të LPK-së dhe është penguar dhe ndaluar kushdo që ka bërë përpjekje që në Kosovë të kalonte ilegalisht armatim për njësitet ilegale të LPK-së në atë kohë. Presidenti Sali Berisha në Shqipëri i strukturoi mirë pacifistët dhe strukturat e UDB-së të cilat ishin filiale të UDB-së së Prishtinës dhe Beogradit.

Për këto zhvillime, besoj se është koha të shprehen dhe flasin ata njerëz që kanë qenë më kompetent se unë. Edhe Lista e Zeze e patriotëve të organizuar në LPK, por edhe të organizuar në LKÇK ekziston dhe është mirë të bëhet transparente.

Po thoni që shteti shqiptar asokohe ka patur lista të zeza me emrat e veprimtarëve ilegalë të Kosovës për t’i neutralizuar?

Më lejoni t’iu shpjegoj një rast. Nga Kosova në 1991 kanë shkuar drejt Shqipërisë dy grupe të organizuara,me vullnetarë nga Kosova dhe nga diaspora. Meqë tani Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti u bënë figura të njohura, sot këto dy grupe për të cilat po flas etiketohen si grupi e Adem Jasharit dhe grupi i Zahir Pajazitit. Gjatë qëndrimit dhe kontakteve në Shqipëri njëri nga grupet ka dhënë informacione të sakta për antarët e në Kosovë dhe me të arritur në Kosovë kanë nisur ti arrestojnë dhe ti përndjekin. Ndërsa grupi tjetër që nuk dha emrat e vërtetë të veprimtarëve të tij gjatë vizitës në Tiranë, u shpëtoi arrestimeve dhe përndjekjes. Si pasojë e dekonspirimit në atë kohë, ka filluar dhe përndjekja e Adem Jasharit në Drenicë.

Çfarë mendonin ish udhëheqësit e UÇK-së Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti për Berishën? Si e shikonin ata Berishën?

Përshtypjet dhe pikëpamjet e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit por edhe gjithë bartësve të organizmit të celulave të para të UÇK-së në lidhje me Sali Berishën kanë qenë të qarta.

Vazhdimisht ia kemi bërë me dije kujtdo që ka lidhje me UÇK-në se në Shqiperi, ku drejtonte Sali Berisha, të bëjmë kujdes të madh sepse nga shteti i Sali Berishës dhe nga zyra e Kosovës që ishte instaluar aty duhet të bënim kujdes njësoj sikur të ishim në Kosovë dhe vazhdimisht kemi marrë masa mbrojtëse, nga survijimet dhe përndjekjet e mundshme.

Edhe Adrian Krasniqi, në muajin shkurt 1997 është prangosur dhe i është marrë armatimi personal që dispononte nga larot e Berishës. Në muajin tetor 1997 Adriani është vrarë. Por ky arrestim mund të ketë qenë edhe i rastësishëm ndaj nuk dua të spekuloj me këtë rast. Me keqardhje e them se sheti i Sali Berishës, qeveria Bukoshi, Zyra e Kosovës, kishin ndërlidhje me nëntokën e zezë të UDB-së. E them me bindje dhe mendoj edhe sot e kësaj dite kështu.

Për lidhje të tilla të kësaj natyre ka materiale edhe shteti shqiptar dhe kur arkivat të hapen do vërtetohet kjo që po ju them unë.

Në ç’rrethana u vra miku juaj Ilir Konushevci në vitin 1998? Si i kishit ju të dhënat për vrasjen e tij?

Ilir Konushevci është vrarë nga banda e Demir Demirit që ishte mik i Azem i Hajdarit dhe për detajet e kësaj vrasje ekzistojnë shënime të evidentuara në zyrat e shtetit, në prokurori dhe në policinë e atëhershme të Shqipërisë.

Konushevci ishte një mik edhe i familjes Haklaj në Shqipëri apo jo?

Ilir Konushevci e ka njohur shkurtimisht Fatmir Haklajn dhe nuk kanë patur ndonjë lidhje të veçantë. Fatmir Haklaj, që në vitin 1997 endej gjysmë-ilegal ne Bajram Curri dhe Tropojë. Ka ardhur tek ne dhe na është vënë në dispozicion, që të ndihmonte nga pengesat që na ishin krijuar pas konsolidimit të bazës që e kishim në Bajram Curri tek vëllezërit Krasniqi, të cilët i përmenda më herët.

Një tjetër bazë ne e kishim tek familja e Sylejman Berishës, që ishte një i afërm i Sali Berishës, por shkaku pse jemi lidhur me të ishte miqësia që familja Krasniqi ka patur me familjen e Bacës Sylejman Berisha, meqë vajza e Sylejman Berishës, Zyraja, ishte e martuar me Lul Krasniqin, një i afërm i Adrian Krasniqit.

Pra siç ju thashë Fatmir Haklaj ka shprehur dëshirën me na dal në ndihmë, neve si UÇK, por unë personalisht gjatë një takimi i kam thënë tekstualisht: “Fatmir, ti sot je në gjak me një pjesë të kësaj treve dhe ndihma jote karshi nesh nuk shihet mirë nga kundërshtarët e shumtë që ti ke, ndaj më e udhës është që me ne të rrish indiferent, sepse neve nuk na leverdis të jemi në sy të keq nga një pjesë e Malësisë së Madhe”. Fatmiri e ka mirëpritur këtë këshillë timen. Madje atë natë ai ka ardhur vonë në takim dhe mbante kapuç, dhe ja vura në dukje këtë fakt duke i thënë : “a po shef se edhe tek ne po vjen gjysëm i fshehur, ilegal”.

Në disa raste Fatmir Haklaj na ka ndihmuar sepse ka qenë një periudhë kur Fatos Nano kishte urdhëruar që bazat tona të mbyllen medeomos për shkak të presionit që i bënin ndërkombëtarët e sidomos anglezet dhe italianët. Sepse deri atëherë edhe ndërkombtarët që më vonë u rreshtuan me ne, ishin kundër nesh dhe akoma po përkrahnin Serbinë dhe politikën e Rugovës dhe ishin katërcipërisht kundër UÇK-së.

Në ç’mënyrë i mbanit lidhjet me krerët e shtetit shqiptar në vitin 1998?

Gjatë kohës që kam drejtuar ose më mirë të them bashkëdrejtuar furnizimin me armatim, kam mbajtur lidhje me oficerët e SHIK-ut, veçanërisht me Fatos Klosin,Vangjush Thimjon, Artan Meçkën, më pas edhe me disa të tjerë. Natyrisht lidhje me shtetin shqiptar mbante edhe Kryesia e LPK-së që luante edhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm të LPK-së, e në veçanti lidhje më të konsoliduara mbante sektori i posaçëm i LPK-së që ishte ngarkuar me këtë detyrë. Unë dhe Ilir Konushevci jemi lidhur me Fatos Klosin nëpërmjet vëllait tim Ibrahim Kelmendi.

Me shtetin shqiptar që në atë kohë po drejtohej nga PS-ja, e veçanërisht me shërbimin sekret që ishte autorizuar nga presidenti Mejdani që të mbështeste UÇK-në, kemi gjetur mirëkuptim, ndonëse ndërkombëtarët që operonin në Tiranë na kanë marrë shpesh armatim në Portin e Durrësit. Por jo vetëm ata, por edhe disa policë shqiptarë që për motive të dobëta apo dhe nga deliri i madhështisë, shpesh na kanë dëmtuar duke na konfiskuar armë të shumta. Fatet e një Kombi thuhet se dalin nga dyert e tragjedisë së tij dhe tragjedia e ngjarjeve të marsit 1997, thyrja e depove, ishte fati më i madh që krijoi rrethanat për t’u organizuar UÇK-ja dhe për të fituar Kosova. Thyerja e depove dhe rënia e familjes Jasharaj janë dy tërmete të dhimbshme që ia kthyen faqen dhe fatin e mirë historisë së Kosovës. Jo më kot thuhet, fat në fatkeqësi.

Ju po thoni se vrasja e Azem Hajdarit ishte një kombinacion i shërbimeve serbe për luftë civile në Shqipëri dhe se në krye të këtij kombinacioni në Shqipëri ishte Berisha?

Pikërisht këtë po them. Koha do ta dëshmojë këtë fakt dhe zbardhja e këtij grushti shtetëror do ta forcojë këtë të dhënë, këtë të vërtetë. Pak rëndësi ka se si u vra Azem Hajdari, sepse Fatmir Haklaj, po të paguhej mirë mund të vriste këdo edhe në Beograd, sepse vërtet ai ka qenë trim dhe ka patur strategji. Ama, në rastin e Azemit, ai është vetëm një i porositur, ndërsa skenaristët janë aktorët e grushtit të shtetit të 14 Shtatorit 1998. Interlokutor në organizim dhe një njeri kyç i kësaj vrasje ishte ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia, i cili pas ngjarjes është fshehur për shumë kohë në Kosovë, nga bandat e FARK-ut dhe UDB-së. Sali Berisha nuk është vetëm bashkë-skenarist i 14 Shtatorit, por edhe bashkpuntori i ngushtë i Arkanit, Bulatoviçit, Ratko Djokiçit dhe bashkë me këtë nëntokë të Serbisë , nuk ka bërë vetëm kontrabandimin e naftës dhe furnizimin e ushtrisë serbe me karburant, por në bashkë-kordinim me Serbinë, me qëllim ka thyer embargon e OKB-së, që ishte vënë kundër Jugosllavisë së atëhershme. Ndër aktet më të turpshme të shtetit shqiptar të bëra ndonjëherë në histori.

Përse jeni i bindur se Berisha ka patur lidhje me këta eksponentë të rëndësishëm serbë. Ku bazoheni?

Ne kemi patur asokohe të dhëna të sakta në lidhje me këto marrëdhënie. Po ju jap një detaj. Në mënyrë operative dhe të sigurt, ne jemi informuar se Berisha në vitin 1992 është takuar personalisht me Zhelko Raznatoviç Arkanin dhe një oficer të UDB-së të quajtur Ratko Djokiç. Takimi është bërë në një periudhë që ne të LPK-së sapo kishim nisur organizimin konkret në terren. Takimi është zhvilluar në Shkodër tek një lokal pranë ish-pularisë së Shkodrës. Lokali ka qenë në pronësi të Myftar Çelës i cili ka qenë dhe President i klubit “Vllaznia” dikur.

Ka patur rol Remzi Hoxha në organizimin e rezistencës së UÇK-së?

Asokohe në projektin e LPK-UÇK-së përfshiheshin tre zona. Zona e parë ishte Kosova. Zona e dytë ishte Maqedonia. Ndërsa zona e tretë ishte Presheva dhe viset shqiptare në Malin e Zi. Ky ishte projekti fillestar që më pas u reduktua vetëm në zonën e parë, atë të Kosovës. Sali Berisha është urdhëruesi direkt i pengmarrjes së Remzi Hoxhës. Madje vrasja e tij ishte një mesazh i qartë për të gjithë ne sepse pas vrasjes së Remziut ishte e qartë se nëse do guxonim të operonim në Shqipërinë e drejtuar nga Presidenti Berisha do kishim të njëjtin fat dhe të njëjtin trajtim si ai që na bënte UDB-ja në Kosovë. Por jo vetëm këto akte por dhe një sërë veprimesh të tjera të Berishës në vite e tregojnë qartë se kujt ka zgjedhur ti shërbejë ai.

Për cilat veprime e keni fjalën?

Shikojeni me vëmendje të gjithë trajektoren e ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri sa herë që ai ka drejtuar vendin. Berisha ishte ai që ndërtoi sistemin piramidal, ky sistem ishte një projekt i financuar nga Serbia dhe 70 % e kapitalit të mbledhur në këto firma, nëpërmjet bandave të SHIK-ut të Gazidedes dhe Milicës (vjehrrës së Berishës) janë përcjellë thasët me lekë për në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë. Faktet do ta vërtetojnë një ditë këtë konstatim timin, i cili kurrë nuk është ndriçuar nga prokuroria shqiptare. Berisha është përgjegjës, jo vetëm për vjedhjen e votave dhe zjarrëvënien e Shqipërisë, masakrimin e opozitës, por edhe përgjegjës për 4000 të vrarë në vitin 1997. Gërdeci po ashtu. 21 Janari dhe vrasja e 4 qytetarëve me duar në xhepa. Shpërblimi që i bëri ekipit të të rinjve që punuan në UNMIK-un e Kosovës, e që drejtohej nga vajza dhe dhëndri i tij, të cilët në UNMIK u punësuan përmes lidhjeve serbe. Ata punuan në departamentin e UNMIK-ut që mblidhte fakte dhe falsifikonte prova për kriminalizimin e luftës në Kosovë, janë dëshmi të qarta, janë fakte të pamohueshme, se Berisha është kokë e këmbë i lidhur me Bogradin.

Po përmend vetëm disa nga puntorët e shtetit shqiptar që u punësuan në UNMIK, në Departamentin për kriminalizimin e luftës së UÇK-së. Argita Berisha-Malltezi, Lulzim Basha, Edit Harxhi, Znj. Baleta, Jamarbër apo Jamserb Malltezi. Analizojeni pak se ku janë këta njerëz sot dhe çfarë peshe kanë ata sot brenda shtetit të Shqipërisë. Pra, i gjithë ekipi i këtij grupi, vjen dhe merr drejtimin e shtetit shqiptar, pra vijnë në krye të Shqiperisë ata që në UNMIK u punësuan përmes Beogradit. Sepse njohës të gjuhës angleze ka me mijëra, unë pyes si u gjendën pikërisht këta për ta bërë atë punë. Të jetë rastësi?/Dita

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E vërteta: 28/02/2020 13:35

    Nuk ka asnjë dyshim, që e gjitha është më se e vërtetë! Sikurse, ska dyshim, që dhe kjo vrasje është e lidhur me këtë të vërtetë! Fytyra e vërtetë e Berishës - Nanos - Bukoshit -... Etj!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës