U la në arrest shtëpie, arratiset ekstremisti që dhunoi barbarisht Ziadin Selën në Kuvendin e Maqedonisë

U la në arrest shtëpie, arratiset ekstremisti që dhunoi barbarisht Ziadin Selën në Kuvendin e Maqedonisë

Ekstremisti maqedonas Nikolla Vojminovski dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela

Nikolla Vojminovski, i akuzuar për sulmin barbar ndaj deputetit Ziadin Sela më 27 prill 2017 është arratisur nga Maqedonia. Mediat e vendit fqinj raportojnë se Ministria e Brendshme nuk e di se ku është, ndërsa me urdhër të Gjykatës Themelore, mbrëmë është lëshuar fletarresti ndërkombëtar për të arratisurin. I akuzuari Vojminovski duhet të vuajë 13 vite burg. Deri në fillim të muajit maj 2018 ai ka qenë në paraburgim, por për shkak të problemeve me zemrën, me propozim të avokatit, Gjykata Themelore "Shkupi 1" ia ndërpreu paraburgimin dhe i caktoi masë paraburgim shtëpiak.

Në reagimin e Prokurorisë publike për këtë rast, thonë se pas përfundimit të seancës kryesore dhe publikimit të dënimeve me burg, prokurori publik ka propozuar që e njëjta masë të vazhdojë deri në hyrjen ne fuqi të aktvendimit, për shkak se gjendja shëndetësore e të pandehurit vazhdonte të ishte e njëjtë.

“Gjatë gjithë procedurës, nga ndërrimi i masës paraburgim në burg shtëpiak, deri në sjelljen dhe publikimin e aktgjykimit, deri tek prokurori publik nuk është dorëzuar asnjë lloj e dhëne ose informacione për arrati të mundshme të të akuzuarit, për të cilin tani është lëshuar fletëarrest, e të tilla të dhëna nuk ekzistojnë as për të akuzuarin tjetër që gjendet në burg shtëpiak”, thanë nga Prokuroria Publike. Sipas kodit për procedurë penale, nga prokuroria thonë se tani, kur Vojminovski është në arrati, gjykata është kompetente që të sigurojë praninë e të akuzuarit në seancë. Gjykata tashmë është e informuar dhe ka sjellë vendim.

“Pas informacionit të marrë, trupi gjykues në Gjykatën Themelore Shkupi 1 – Shkup solli vendim përmes të cilit të akuzuarit i caktohet masë  paraburgim pas kapjes së tij, respektivisht privim nga liria”, u shprehën nga Gjykata Themelore “SHKUPI 1”.

Derisa gjykata dhe prokuroria kanë një arsye se pse Vojminovski është lëshuar në paraburgim shtëpiak, ajo nga e cila tani kërkohet përgjegjësi është Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka pasur përgjegjësi ta mbikëqyrë të pandehurin në paraburgim shtëpiak. Megjithatë nga MPB justifikohen se nuk e kanë për detyrë ta ndjekin të akuzuarin 24 orë në 7 ditë, por vetëm kryejnë kontrolle të paparalajmëruara.

“Gjatë zbatimit të masës paraburgim shtëpiak, zyrtarët policorë gjatë ditës bëjnë kontrolle të paparalajmëruara në objektin ku zbatohet masa, që të konstatohet nëse personi po e respekton masën e shqiptuar nga ana e Gjykatës dhe për këtë e informon gjykatën. MPB ka ndërmarrë masat dhe aktivitetet e duhura për gjetjen e personit”, thanë nga MPB.

E derisa Ministria e Brendshme është në kërkim të të arratisurit, avokati i të të dëmtuarit Ziadin Sela, Abedin Abduli thotë se raste të këtilla po dëmtojnë drejtësinë në vend. “Nikolla Vojminovski nuk e dëmton procesin gjyqësor ndaj Ziadin Selës, por i njëjti e dëmton drejtësinë në Republikën e  Maqedonisë. Përgjegjësia për këtë bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme sepse ata e bëjnë kontrollin për ata të cilët vuajnë dënim me burg shtëpiak, dhe jo gjykatat apo prokuroritë”, u shpreh Abedin Abduli, avokat i Ziadin Selës.

Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thonë se në fushën e gjyqësorit Maqedonia po bëhet shtet i çudirave. “Do të thotë këtu gjejmë gjithçka por jo drejtësi dhe shtet ligjor. Së pari kishim ikjen e ish-kryeministrit, pastaj ligjin për të amnistuarit kriminel dhe tani ikja e një sulmuesi të dënuar me 13 vjet për tentim vrasje të liderit të Aleancës për Shqiptarët, z.Ziadin Sela. Kjo flet se ka një ndihmë dhe një koordinim të pushtetarëve, LSDM dhe BDI, ka një ndihmë të gjykatësve dhe prokurorëve si dhe ndihmë nga Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Bujare Abazi, Aleanca për Shqiptarët.

Nga Aleanca për Shqiptarët që për këtë arratisje kërkojnë përgjegjësi nga MPB, gjykata dhe prokuroria si dhe gjetjen e personave që e ndihmuan Vijminovskin të arratiset./TV21/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet