Vettingu e largoi nga drejtësia për 15 vite, KLP miraton mbarimin e mandatit të Alfred Ballës me 9 vota pro

TIRANË- Alfred Balla, i përjashtuar nga vettingu për 15 vite, nuk do të jetë më anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vendimi është marrë nga vetë KLP, që konstatoi përfundimin e mandatit me 9 vota pro dhe kundër vetëm të anëtares Nurihan Seitaj.

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla u zhvillua me debate të ashpra. Çështja nëse Balla duhet të vijojë detyrën si kryetar apo jo, ndau në dy ‘kampe’ anëtarët.  

Vetë Balla i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje, me një shkresë drejtuar KLP sfidoi vendimin e KPA për përjashtimin e tij me 15 vite nga drejtësia, duke thënë se nuk është i menjëhershëm dhe se ai është zgjedhur nga Kuvendi si përfaqësues i shoqërisë civile.

"Unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare...Nga interpretimi i nenit 149/b të Kushtetutës nuk del e qartë se, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?", shkruan Balla.

Për shkak të debateve me tone të larta, mbledhja që nisi në 11:00 u shty për rreth pas 3 orësh, ndërsa një komision prej 3 anëtarësh përgatiti një relacion mbi mandatin e Ballës për t’ia dorëzuar më pas KLP-së për votim. Mbledhja rinisi në orën 17:00 dhe u vendos që të votohet pro përfundimit të mandatit të tij.

Anëtarja Nurihan Seiti doli hapur kraha Alfred Ballës, duke thënë se ai duhet të vijojë detyrën, pasi vendimi i KPA futet në fuqi vetëm pas publikimit në fletoren zyrtare. Nga ana tjetër, anëtari Sokol Stojani e cilësoi si zëdhënëse të Ballës, ndërsa tha se vendimi duhet ekzekutuar menjëherë siç e parashikon Kushtetuta dhe se Balla nuk mund ta vazhdojë më funksionin. Seiti është mamaja e Rei Matës, i cili vrau me grusht biznesmenin e ndërtimit në Vlorë, Armando Meshau, por edhe pas kësaj ngjarje Seiti nuk dha dorëheqjen. 

"Vendimi futet në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare. Deri në këto momente Balla është dhe duhet të jetë në detyrë", tha Seiti.

"Që nga data 21 nuk mund të ushtronte funksionin, pavarësisht tentativave të tij. Çdo pretendim që ka për vendimin e KPA, ka vetëm një mundësi sipas Kushtetutës, Gjykata e Strasburgut", tha Sokol Stojani.

Anëtarja Arta Mandro kërkoi kohën që të përpilojnë relacionin dhe të japin mendimin se si e afekton ky vendim i KPA fatin dhe mandatin e Ballës. Mandro tha se reforma në drejtësi duhet të jetë prioritet për secilin prej anëtarëve.

"S’ka vend për asnjë dyshim për asnjë nga anëtarët, të gjithë jemi pro reformës në drejtësi", tha Mandro.

Balla pretendonte se po zbaton ligjin duke qëndruar në detyrë siç e parashikon Kushtetuta, deri në zgjedhjen e një kryetari të ri, pasi mandati i ka përfunduar më datë 18.12.2023. 

Më 21 maj, KPA vendosi përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Sipas vendimit të KPA, Balla s'ka të drejtë për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, çka u konsiderua i drejtë nga Kolegji.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:08
'S’ka të drejtë të bëjë kërkesë', Seiti përplaset me Stojanin në mbledhjen e KLP për mandatin e Ballës: Pse ky nxitim? Pse doni ta rrëzoni tjetrin?

 

Me debate të forta është shoqëruar mbledhja e sotme e KLP ku do të vendoset për mandatin e Alfred Ballës, pas vendimit të KPA për ta përjashtuar nga sistemi për 15 vite.

Anëtarja e KLP Nurihan Seiti është përplasur me kolegun Sokol Stojani. 

Pjesë nga debati:

Seiti: Çfarë është ky nxitim, pse doni ta shtyni tjetrin dhe ta rrëzoni në këtë mënyrë?

Stojani: Nuk ka asnjë të drejtë që Balla të bëjë asnjë kërkesë

Seiti: Po pse po mblidhemi pra? Ka bërë gabim që ka ikur, të vinte këtu të drejtonte… zoti Stojani çfarë ka kaq për të nxituar?

Ora 12:09
KLP vendos fatin e tij, Alfred Balla letër anëtarëve: Dua të dëgjohem! S'ma merrte mendja 1 vendim administrativ lirimi të më penalizonte dy herë

 

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është i ndarë në dy kampe sa i takon përfundimit të mandatit të kryetarit Alfred Balla i cili me vendim të KPA-së përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. 

Mësohet se Balla ka komunikuar me kolegët e tij të KLP-së me dy emaile. Në njërën ai kërkon që të shtyhet dhe të respektohet e drejta ime kushtetuese për t’u dëgjuar e mbrojtur, e drejtë kjo që detyron Këshillin si organ kushtetues të analizojë dhe vlerësojë të gjitha pretendimet e mia ligjore, qoftë duke marrë edhe mendimin e Kuvendit, apo ekspertëve të të drejtës kushtetuese, në tjetrën ai kërkon përjashtimin e Tartarit për drejtimin e mbledhjes së sotme

Shkresa e plotë e Alfred Ballës

Kjo mbledhje po zhvillohet mbi kërkesen e tre anëtarëve, për diskutimin e deklarimit ose jo të mbarimit të mandatit tim, për shkak të vendimit të dhënë nga 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, përpara disa ditësh.

Duke qenë një rast i veçantë i paparashikuar nga Kushtetuta dhe ligji organik dhe një vendim që cënon drejtpërdrejt interesat e mia, duhet të dëgjohem paraprakisht nga ky Këshill.

Nuk do të ishte serioz dhe profesional përdorimi i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, me plotësimin e tij për zbatimin e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, pa u analizuar i gjithë vendimi i arsyetuar (ende nuk është zbardhur për fat të keq/është vënë në dispozicion arsyetimi i përmbledhur) e në uniformitet me të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjet e tjera organike dhe rrethanat faktike të rëndësishme.

Përveç momenteve juridike që ju kam nisur me email, ku analizoj se nuk ndodhem në kushte të papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit, dua t’ju tërheq vëmendjen edhe për faktin se janë disa momente shumë të rëndësishme ligjore që duhet të ketë parasysh Këshilli, si në respekt të lartësisë së institucionit, ashtu edhe të të drejtave të mia kushtetuese.

Këshilli duhet të ketë parasysh se, unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare që më ka mbaruar mandati ligjor 5 vjeçar prej datës 18.12.2023 dhe që aktualisht po qëndroj në detyrë.

Mandati im si anëtar i KLP-së si dhe ai i dy anëtarëve të tjerë jo magjistratë (Z.Bazaj dhe Znj.Seiti) të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ka mbaruar me plotësimin e afatit 5 vjeçar të parashikuar nga Kushtetuta. Për këtë mandat kemi dhe vendimarrje të Këshillit ku kemi përcaktuar se kur mbaron mandati i seicilit (vendimi i KLP-së Nr.213, datë 13.10.2020 “Për përllogaritjen e mandatit të anëtarit të Këshillit” i cili u mor me kërkesën e Kuvendit dhe shprehet për mandatin tonë).

Për këtë, qëllim me vendimin Nr.2 datë 19.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit ka filluar edhe procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Pikërisht referuar edhe akteve të Kuvendit në vijim dhe Kushtetutës e ligjit, ne konsiderohemi si anëtarë që na ka mbaruar mandati dhe jemi anëtarë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.

Pikërisht, në lidhje me kërkesën e paraqitur dhe vendimin e KPA-së, duhet të analizohet prej jush dhe të diskutohet prej Jush

Më tej, nga interpretimi i nenit 149/b të Kushtetutës (dy paragrafeve të fundit të saj) nuk del e qartë se, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në detyrë, tashmë duhet të shprehet ky Këshill, apo organi i emërtesës sime që është Kuvendi i Shqipërisë, apo Gjykata Kushtetuese?

Në rastin e magjistratëve, ligji për statusin e përcakton në nenin 66, se kur janë shkaqet e pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë dhe cili organ i konstaton dhe cili organ vendos për fatin e magjistratit. Në rastin e anëtarëve të KLP-së kjo gjë nuk është e sqaruar por për analogji organi emërtesës duhet ta kryej dhe jo Këshilli.

Vendimi i 3 nga 5 prej anëtarëve KPA-së edhe pse është shprehur se është përfundimtar dhe i menjëhershëm, nuk është një vendim përfundimtar dhe për më tepër i menjëhershëm si ai i parashikuar në nenin “F” pika 5 të aneksit të Kushtetutës, ku thuhet e zeza mbi të bardhë se (Vendimi përfundimtar që urdhëron shkarkimin nga detyra, hyn në fuqi menjëherë. )

Ju kujtoj se, vendimet e mëparshme të KPA-së që kanë sjellë mbarimin e mandatit të anëtarëve magjistratë, kanë qenë vendime për shkarkimin e tyre nga detyra, me efekt të menjëhershëm të parashikuar shprehimisht në Kushtetutë dhe në ligjin Nr.84/2016. Qenia e tyre prokuror ka pasur lidhje të drejtperdrejtë me qenien anëtar Këshilli, pra është shkak zgjedhshmërie.

Anëtari i KLP-së, të cilit i ka mbaruar mandati nuk mund të qëndrojë në detyrë pas mbarimit të afatit, nëse vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe papajtu-eshmërisë në ushtrimin e funksionit. Pra, kur provohet se, ka pasur kushte penguese për t’u zgjedhur anëtar i KLP-së dhe ato janë vërtetuar më pas.

Pikërisht, ky parashikim i ri i bërë në Kushtetutë në vitin 2016, ka pasur për qëllim t’u jepte zgjidhje atyre situatave hipotetike që mund të ndodhin në praktikë kur një person zgjidhet si anëtar i Këshillit, por më vonë (pas disa muajsh ose vitesh, në çdo rast përpara përfundimit të mandatit) rezulton se, nuk duhej të ishte zgjedhur, pasi në të vërtetë nuk i plotësonte kushtet për t’u zgjedhur.

Nevoja për zbatimin e kësaj dispozite mund të lindë p.sh. në ato raste kur vendimi i Kuvendit për emërimin e një anëtari është marrë bazuar mbi fakte të pavërteta, që nuk kanë mundur të verifikohen në kohën e emërimit (p.sh. kandidati ka gënjyer për sasinë e viteve të punës ose për mungesën e angazhimit në politikë, etj., dhe organi i emërtesës nuk ka arritur ta kuptojë të vërtetën) ose kur p.sh. kanë ndodhur shkelje të rënda procedurale në veprimtarinë e institucioneve të emërtesës etj…[1]

Vendimi me shumicë votash i KPA-së që po trajtohet, është marrë duke pasur parasysh që nuk mund të hetonte në lidhje me veprimtarinë e anëtarit jomagjistrat të KLP-së, për shkak të mungesës së juridiksionit, por çfarë është e rëndësishme, nuk ka vërtetuar asnjë fakt që të ishte shkak pazgjedhshmërie nga ato të nenit 149 të Kushtetutes dhe nenit 52 të ligjit Nr.115/2016.

Zgjedhshmëria e funksionarëve të organeve kushtetuese është lëndë kushtetuese, që vetë Kushtetuta e ka orientuar në procedura të përcaktuara rigorozisht. Këto procedura janë të përcaktuara jo vetëm në drejtim të organit që i shqyrton në instancë të parë çështjet e zgjedhshmërisë…

… Gjykata Kushtetuese kontrollon zgjedhshmërinë e funksionarëve kushtetues sipas nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, por ky kontroll kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, duke u vënë në lëvizje nga subjektet e parashikuara për paraqitjen e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese për këtë lloj procedure…,[2]

Nga ana tjetër Kushtetuta ka parashikuar se kur është i papajtueshëm funksioni i anëtarit të KLP-së: Neni 149/ç (Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) i cili thotë:

“Qenia Prokuror i Përgjithshëm, prokuror ose anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore ose politike, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor.”

Vendimi më ndalon mes të tjerave të rizgjidhem anëtar i KLP-së, por aktualisht këtë e ndalon vetë Kushtetuta, për rizgjedhje (kur thotë pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme).

Ky vendim, për zbatimin e nenit “G” të Kushtetutes, si parashikim plotësues i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, ka efekt për procedurat e ardhshme, gjithmonë nëse konsiderohet si i marrë gjatë një procesi të rregullt e një gjykimi të drejtë edhe nga vendimi përfundimtar që do japi në Strasburg, GJEDNJ-ja.  

Të nderuar, edhe pse në pamje të parë duket si një qëndrim i thjeshtë që duhet të mbajë Këshilli, sërish është një proces administrativ, ku duhet të respektohet e drejta ime kushtetuese për t’u dëgjuar e mbrojtur, e drejtë kjo që detyron Këshillin si organ kushtetues të analizojë dhe vlerësojë të gjitha pretendimet e mia ligjore, qoftë duke marrë edhe mendimin e Kuvendit, apo ekspertëve të të drejtës kushtetuese.

Të nderuar Zonja e Zotërinj Kolegë:

Në gjithë karrierën time 34 vjeçare kam menduar gjithmonë që të mos bëj kompromis me dinjitetin profesional e me lirinë personale.

Nuk ma merrte mendja që 1 vendim administrativ lirimi nga detyra i një drejtuesi të një organi të drejtësisë që lamë pas, të më penalizonte dy herë, një herë për shkarkim dhe herën e dytë si preteks shkarkimi.

Për 5.5 vite që nga dita e parë e krijimit të këtij institucioni të ri, besimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që më ka zgjedhur, besoj e kam vlerësuar maksimalisht me punën time dhe po ashtu dinjitetin e Shoqërisë Civile e kam përfaqësuar më së miri.

Tribun lirie ka qenë niveli i KLP-së përgjatë viteve që kam drejtuar, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek drejtësia. Si përfaqësues i shoqërisë civile dhe për pasojë edhe i medias së lirë, kam luftuar që Këshilli të jetë sa më transparent kjo si pjesë institucionale e garancisë kushtetuese të tij. Dhe jam betuar të garantoj deri orën e fundit këtë standard transparence.

Jam ndier mirë që përgjatë këtyre viteve kam votuar si anëtar e kam iniciuar si kryetar, çdo deklaratë në mbrojtje të prokurorëve të Republikës nga çdo presion joligjor e kriminal në përmbushje të detyrës së shenjtë të tyre.

Detyra jonë e parë dhe më e rëndësishme që kemi përmbushur të gjithë ka qenë krijimi i Prokurorisë së Posaçme me impenjim maksimal që të zgjidhnim më të mirët në vend dhe ja koha tregoj se ata po luftojnë fuqimisht krimin duke qenë më të mirët.

Si kryetar i Komisionit të Vlerësimit, si zv Kryetar Këshilli por edhe si Kryetar i KLP-së kam qenë personalisht dhe në mëyrë institucionale mjaftueshëm bashkëpunues me organet e rivlerësimit kalimtar në vend por edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Sa herë jam larguar nga një vend pune ose ushtrim detyre, mendoja që ditën e largimit vetëm të kem guximin moral të shoh në sy kolegët dhe gjithë kolektivin dhe kësaj ja kam arritur. Edhe me punën time në Këshill besoj dhe i shoh drejt në sy ju dhe gjithë prokurorët e Republikës me mendimin e vetëm nëse kam arritur ti ndihmoj sadopak në këto vite të vështira për ta.

Nuk e përjashtoj mundësinë që një pjesë e qejfmbetjes ndaj meje vjen edhe si reagim i mbrojtjes publike në media e kudo, që unë i kam bërë prokurorëve e sidomos 5 ish anëtarëve të KLP-së të shkarkuar nga KPA-ja, ku për dy prej tyre deri tani ka vendime pozitive prej Gjykatës së Strasburgut.

I përkas brezit të studentëve të idealeve të Dhjetorit që ka kaluar gjithë fazat e Shqipërisë në këto 50 vite, duke u munduar të jap kontributin tim në këtë vend pa u larguar prej tij.

Do të kërkoja prej Jush të më respektohen të drejtat e mia kushtetuese për tu dëgjuar jo vetëm formalisht, por edhe të analizoni e vlerësoni të gjitha problemet ligjore, që kanë lindur per shkak të konfuzionit të vendimit të 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, pasi nuk jeni para një vendimi të shkarkimit të një magjistrati dhe për pasojë deklarimin e mandatit të tij për shkak të ligjit, si në rastet e trajtuara më parë nga ky Këshill (Sevdari, Cani, Dollapaj etj.)

Sikundër kam mbrojtur kolegët e mi prokurorë (ish anëtarë të KLP-së) me besimin se e drejta e tyre do rivendosej nga Strasburgu, ashtu vazhdoj të besoj tek kauza ime e drejtë dhe kam bindjen se do triumfoj!

Nuk kërkoj mbrojtje dhe as mbështetje tej ligjit prej kolegëve, sepse në jetën time mbështetja e vetme që kam patur ështa e vërteta dhe mos humbja e dinjitetit.

Me respekt   Alfred Balla                                                         

Tiranë më 27.05.2021

Ora 11:44
Mandati i Alfred Ballës, anëtari i KLP: S’mund ta ushtrojë më funksionin e kryetarit, vendimi i KPA i formës së prerë! T’i drejtohet Strasburgut

 

KLP po diskuton për mandatin e kryetarit Alfred Balla, pas vendimit të KPA për ta përjashtuar me 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Sokol Stojani tha se vendimi i KPA është i formës së prerë dhe duhet ekzekutuar menjëherë dhe Balla s’mund të qëndrojë më në detyrë. Stojani tha se sipas Kushtetutës Balla duhet të lërë detyrën dhe e vetmja rrugë që ka është t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.

Për mua që nga data 21 nuk mund të ushtronte funksionin, pavarësisht tentativa të tij, të paktën sot mbajti një qëndrim që duhej mbajtur, të tërhiqej. Çdo pretendim që ka për vendimin e KPA, ka vetëm një mundësi sipas Kushtetutës, Gjykata e Strasburgut. Vetëm atje mund të orientohet. Tentativat jo më ka mbaruar mandati, jo s’më ka mbaruar. Hygo thotë, është e lehtë të jesh njeri i mirë, e vështirë të jesh i drejtë. Mënyra se si tentohet të kalohet kjo mbledhje...duhej të ishte mbledhje rutinë. Kushtetuta thotë që duhet ekzekutuar menjëherë vendimi dhe çdo pretendim shkon në Strasburg. Ky njeri për sa kohë është ndaluar të ushtrojë funksionet, nuk mund t’i ushtrojë. Sot ai po të ishte qytetar i mirë, Kuvendi apo kushdo autoritet tjetër s’mund ta caktonte në këtë detyrë, atëherë si mund ta mbajmë në detyrë. Vendimi i KPA nuk vuhet në diskutim. Kemi kufijtë tanë, Kushtetuta parashikon këto gjëra. Vazhdimi i këtij mandati duhet të ndërpritet.

Ora 11:32
Debate në mbledhjen e KLP për largimin e Alfred Ballës! Anëtarja Seiti: Zv.kryetari në konflikt interesi, të përjashtohet nga votimi! Stojani: Je zëdhënëse

Me debate po zhvillohet mbledhja e KLP për përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla, i cili me vendim të KPA u përjashtua për 15 vite nga drejtësia. Anëtarja Nuihan Seti thotë se Balla është kryetar deri në momentin që vendimi futet në fletoren zyrtare. Nga ana tjetër ajo parashtroi një kërkesë të Ballës për përjashtimin nga procesi i votimit të zv.kryetarit Tartar Bazaj, duke thënë se është në konflikt interesi.

Debati u zhvillua me anëtarin tjetër Sokol Stojani, i cili thotë se nuk mund të legjitimojnë kërkesat e Ballës, pasi ai është në konflikt interesi dhe për këtë arsye nuk është as në mbledhje.

Nurihan Seiti: Vendimi futet në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare. Deri në këto momente Balla është dhe duhet të jetë në detyrë. Duke patur konflikt interesi ka nisur email ku kërkon përjashtimin gjatë diskutimit të zv.kryetarit të KLP. Alfred Balla, Bazaj, u ka mbaruar mandati më 19 dhjetor 2023, ky përfundim i mandatit është me vendim të Këshillit që e ka kërkuar Kuvendi. Për mua as Balla as Bazaj s’duhej të ishin kryetar e zv.kryetar kur u ka mbaruar mandati. Sot jemi mbledhur për diskutimin e vendimit të KPA pasi e thirri kryetari. Ne në krye kemi Alfred Ballën, mandatin e ndërpret sipas Kushtetutës vetëm KLP. Në rend dite sot është përjashtimi i nënkryetarit dhe e dyta është anëtarët e komisionit të buxhetit dhe strategjisë janë mbledhur sipas kërkesës së kryetarit të JKLP dhe kanë një realacion për t’ia paraqitur këshillit, medias.

Sokol Stojani: Je zëdhënëse, apo është kërkesa juaj. Nëse është e juaja ta marrim në shqyrtim, nëse është e kryetarit ai nuk legjitimohet.

Seiti: Ashtu mendoni ju.

Sokol Stojani: Nuk mund të marrë pjesë për shkak të konfliktit të interesit. Fakti që nuk është pjesëmarrës s’mund të bëjë kërkesë, nuk mund të legjitimohet. Nëse je zëdhënëse okej, po të kthej këtë përgjigje.

Nurihan Seiti është nëna e Rei Metës, i cili goditi me grusht Armando Nishanin në Vlorë, i cili më pas ndërroi jetë. Seti nuk u dorëhoq pas kësaj ngjarje. 

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 28/05/2024 03:54

    Prit gomar të mbijë bar.

    Përgjigju
  • Tutu: 27/05/2024 12:34

    Kuptoje o milet … kush jane ata nga te cilet presim drejtesi..

    Përgjigju
  • Vezhgues: 27/05/2024 11:15

    Po mustaqet pse i mbaka sikur eshte Napoleoni i trete?

    Përgjigju
  • Dulla 2024: 27/05/2024 09:37

    Ai duket qe eshte me i ndershem se keta tjeret..turp po e perjashtuat..alfred balla mbaje koken lart je njishhh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Publikohen pamjet nga operacioni 'Bjeshkët'

Publikohen pamjet nga operacioni 'Bjeshkët'