Udhëzimi i ri, si ndryshon taksa e kalimit të pronësisë

Me një udhëzim të datës 30 korrik 2018, dy ministra të qeverisë Rama, ai i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ajo e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kanë përcaktuar rregulla të reja për llogaritjen dhe pagesën e taksës në rastet kur tjetërsohet pronësia për objekte, shtëpi, troje, toka bujqësore, nga një zotërues, tek një i ri. 

Taksa
Në përputhje me ligjin aktual, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë (truall apo tokë bujqësore) dhe ndërtesë, tatohet 15 për qind të fitimit kapital të realizuar. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të aktit të kalimit të pasurisë. Pasuria e paluajtshme e kaluar nuk regjistrohet pa provuar pagimin e këtij detyrimi pranë Hipotekave. Me kalim të së drejtës së pronësisë, kuptohet akti i shitjes, dhurimit apo heqjes dorë nga pasuria e paluajtshme. Me termin “fitim kapital i realizuar”, kuptohet diferenca pozitive ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë së paluajtshme tokë dhe/ose ndërtesë.

Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Kurse investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.

Vlera
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën noteriale të shitjes, e cila është nënshkruar nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë objekt të kontratës, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Në rastet kur pronësia e pasurisë së paluajtshme kalohet për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes së fundit dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse të kësaj pasurie.

Shembull: Shoqëria e ndërtimit “Helena” sh.p.k., i ka shitur individit AA një apartament me vlerën 5 000 000 lekë. Individi AA ia shet këtë apartament individit BB në vitin 2015, me kontratën e shitblerjes datë 9.1.2015 me vlerën 6 000 000 lekë. Individi AA do të tatohet me 15% të diferencës midis vlerës së shitjes 6 000 000 lekë dhe vlerës së blerjes 5 000 000 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është:  (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (6 000 000 - 5.000.000) x 15 % = 150 000 lekë.

Në rastet kur vlera sipas çmimit të shitjes për metër katror (m2) i përcaktuar në kontratë është më i ulët se vlera sipas çmimeve referuese të përcaktuara në udhëzimin e Kryeministrit datë 28.12.2016, për efekt të llogaritjes së tatimit zbatohen çmimet referuese.

Në rastet e shitjes së ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, çmimi minimal i shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet për sa më poshtë:

a) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 (një e gjysmë) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është dy herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70% e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim i hapur është 30% e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për veprimtari industriale, si: prodhim, përpunim ose magazinim të mallrave industrial, duke përfshirë fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50% e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse, si grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësore dhe blegtorale, është 30% e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor.

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore, reduktohet në 35%, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është 30% krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

e) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, çmimi për metër katror është 70% e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë. Nëse vlera e llogaritur sa 70% e çmimeve të referencës sipas zonave të tabelës është përdorur njëherë, qoftë dhe në rivlerësimin e pasurisë, në vijim nuk do përdoret më si çmim reference.

Shembull: Individi AA në qytetin e Durrësit ka në pronësi të tij një apartament me sipërfaqe 70 m2 të blerë me kontratë shitblerje në vitin 2002 me vlerë 2 900 000 lekë. Individi AA në vitin 2013 ka bërë rivlerësimin e pasurisë në sportelet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), në shumën 5.180.000 lekë. Në vitin 2014 individi AA ia shet apartamentin e tij individit BB në vlerën 4 000 000 lekë me kontratën e shitblerjes të datës 27.8.2014. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi AA: Për të përcaktuar vlerën në shitje, kontrollojmë vlerën e pasurisë në shitje me çmimet e referencës. Vlera në shitje e ndërtesës sipas çmimeve të tregut të lirë (viti 2014) është: 70 m2 x 74 000 lekë/m2 = 5 180 000 lekë. Duke qenë se vlera sipas udhëzimit “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2014” është me e madhe se ajo në kontratën e shitjes, si vlerë në shitje për llogaritjen e tatimit merret vlera më e madhe. Vlera në blerje është vlera sipas rivlerësimit të pasurisë: 5 180 000 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (Vlera në shitje – Vlerën në blerje) x 15 % (5 180 000 – 5 180 000) x 15 % = 0 lekë. Individi BB këtë apartament ia shet blerësit CC me kontratën e shitblerjes datë 13.1.2015 në shumën 5 180 000 lekë. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi BB: Për të përcaktuar vlerën në shitje, kontrollojmë vlerën e pasurisë në shitje me çmimet e referencës. Vlera në shitje e ndërtesës sipas çmimeve të tregut të lirë (viti 2014) është:  70 m2 x 74 000 lekë/m2= 5 180 000 lekë. Duke qenë se vlera sipas tregut të lirë është e barabartë me atë në kontratën e shitjes, për llogaritjen e tatimit merret vlera në kontratën e shitjes (5 180 000 lekë). Vlera në blerje është vlera sipas kontratës paraardhëse, pra 4 000 000 lekë (vlera me të cilën e ka blerë apartamentin individi BB). Tatimi që duhet të paguajë shitësi BB është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (5 180 000 – 4 000 000) x 15 % = 177 000 lekë.

Kontratat e vjetra
Në rast se kontrata paraardhëse e blerjes është kryer në monedhë të huaj (si euro, dollarë etj.), kryhet konvertimi në lek me kursin e këmbimit të ditës në të cilën është kryer kjo blerje. Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilat nuk kanë vlerë në blerje, ose vlera e blerjes është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo napolona floriri, si dhe për ndërtesat e privatizuara, për efekt të përcaktimit të tatimit mbi kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë në blerje (vlera e zbritshme) do të merret kosto e shfrytëzimit për metër katrorë e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme.

Shembull: Individi AA, banues në Gjirokastër, ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 120 m2 të përfituar me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, dhe të regjistruar në ZVRPP në vitin 1999. Në vitin 2015 individi AA ia shet apartamentin individit BB me vlerën 4 300 000 lekë. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi AA: Kontrollojmë vlerën e pasurisë së paluajtshme në shitje me çmimet e referencës. Vlera në shitje e apartamentit që do të shesë individi AA, sipas çmimeve të referencës (viti 2015) është: 120 m2 x 49 580 lekë/ m2 x 70 % = 4 164 720 lekë. Duke qenë se vlera në shitje sipas kontratës është më e madhe se ajo e referencës, atëherë për llogaritjen e tatimit do të marrim si vlerë në shitje, vlerën sipas kontratës së shitjes, pra 4 300 000 lekë (Vlera në shitje). Si vlerë në zbritje do të marrim vlerën sipas kostos së shfrytëzimit, përcaktuar nga EKB-ja për vitin në të cilin individi AA e ka regjistruar apartamentin në pronësinë e tij (viti 1999): 120 m2 x 35.724 lekë/ m2= 4 286 880 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (4 300 000 – 4 286 880) x 15 % = 1 968 lekë.

Shkëmbimi
Në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga shkëmbimi i truallit, në bazë të një kontrate shkëmbimi, si vlerë në blerje do të konsiderohet vlera e pjesës së truallit që i takon sipërfaqes së ndërtesës që shitet. Vlera e truallit për metër katror të dhënë në këmbim të përfitimit të sipërfaqes së banimit/tregtisë/ shërbimit llogaritet sipas çmimeve zyrtare.

Shembull: Pronari i truallit AA, me banim në Korçë, i cili ka përfituar disa apartamente në shkëmbim të truallit me shoqërinë e ndërtimit “Ndërtimi” sh.p.k., kërkon t’i shesë individit BB një apartament me sipërfaqe 72 m2 me çmimin 3 384 000 lekë, shitje të cilën e realizon me kontratë shitje të datës 12.1.2015. Pronari i truallit i ka përfituar apartamentet nga shoqëria ndërtuese me kontratë shkëmbimi të datës 5.7.2007 dhe të regjistruar në ZVRPP në datën 20.9.2008. Llogaritja e tatimit mbi kalimin e të drejtës së pronësisë: Vlera e apartamentit sipas çmimeve të referencës është: 72 m2 x 47 000 lekë/m2 = 3 384 000 lekë. Duke qenë se vlera me çmimet e referencës është e barabartë me vlerën e apartamentit tëpasqyruar në kontratën e shitjes, atëherë si vlerë në shitje do të marrim vlerën në kontratën e shitjes, pra vlerën 3 384 000 lekë (vlera në shitje). Si vlerë në blerje do të llogarisim vlerën sipas çmimit të pjesës së truallit që i takon apartamentit prej 72 m2 që shet individi AA.

Supozojmë se sipërfaqja e truallit që ai i ka dhënë shoqërisë së ndërtimit “Ndërtimi” sh.p.k. ka qenë 720 m2. Këtë sipërfaqe trualli e ka shkëmbyer me 4 apartamente, secili nga 72 m2. Pra, sipërfaqja e ndërtimit që ka përfituar nga këmbimi truall-ndërtesë është 288 m2. Supozojmë se vlera e truallit në datën 20.9.2008, kur është bërë regjistrimi në ZVRPP i kontratës së këmbimit, ka qenë 10 000 lekë m2. Pra, vlera totale e truallit ka qenë 720 m2 x 10.000 lekë/ m2 = 7 200 000 lekë. Kjo vlerë trualli është këmbyer me: 72 m2 x 4 apartamente = 288 m2 sipërfaqe ndërtimi. Pra, për rrjedhojë vlera e 1 m2 sipërfaqe ndërtimi të përfituar është: 7 200 000 lekë: 288 m2 = 25 000 lekë m2. Meqenëse individi AA shet vetëm 72 m2, vlera që do i llogaritet si çmim blerje për këtë apartament do të jetë: 25 000 lekë/ m2 x 72 m2 = 1 800 000 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (3 384 000 – 1 800 000 ) x 15 % = 237 600 lekë.

Toka
Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën (truall apo tokë bujqësore), detyrimi tatimor do të llogaritet duke shumëzuar tarifën e tatimit me diferencën e vlerës në shitje me vlerën në blerje të tokës. Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë objekt të kontratës, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Si vlerë në shitje do të merret vlera e përcaktuar në kontratën e shitjes, ndërsa si vlerë në blerje do të merret vlera e përcaktuar në kontratën paraardhëse të regjistruar në ZRPP, nëse ka të tillë. Nëse çmimi për metër katror sipërfaqe sipas kontratës së shitjes të tokës, është më i vogël se çmimi për metër katror sipërfaqe, të përcaktuar në hartën e vlerave të aktit ligjor/nënligjor në fuqi në datën e lidhjes së kontratës, për efekt të llogaritjes së tatimit do të merren në konsideratë çmimet sipas hartës së vlerave në fuqi. Nëse nuk ka një kontratë shitblerje paraardhëse të kësaj pasurie, si vlerë në blerje do të merret vlera e llogaritur duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitin në të cilin është fituar pronësia.

Shembull: Banori AA i Bashkisë Divjakë ka përfituar 10 000 m2 tokë bujqësore me ligjin nr. 7501. Në kohën e marrjes së tokës, individi AA nuk ka paguar asnjë vlerë në blerje, pasi e ka marrë tokën pa pagesë në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991. Në vitin 2015, ky person ia shet tokën blerësit BB me kontratën e shitblerjes datë 10.1.2015, me vlerën 7 270 000 lekë. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi AA: Çmimi i shitjes së tokës, sipas hartës së vlerave, është 727 lekë/m2. Kjo vlerë trualli është: 10 000 m2 x 727 lekë/m2 = 7 270 000 lekë. Pra, është e barabartë me çmimin në kontratën e shitjes. Atëherë, si vlerë në shitje do të marrim çmimin e kontratës 7 270 000 lekë. Për të llogaritur çmimin minimal të blerjes së tokës, çmimi i shitjes për 727 lekë/ m2, pjesëtohet me indeksin e inflacionit sipas vitit përkatës. Konkretisht: Për vitin 1994 indeksi është 3.074. Atëherë, vlera në blerje e pasurisë prej 10 000 m2 është: (10 000 m2 x 727.00 lekë/ m2): 3.074 = 2,364,996.00 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (7,270,000 – 2,364,996) x 15 % = 735,750.60 lekë

Truall dhe ndërtesë
Në rast të shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe ndërtesës njollë brenda këtij trualli, detyrimi tatimor llogaritet në bazë të shumës së detyrimit tatimor të shitjes së ndërtesës dhe detyrimit tatimor të shitjes së tokës truall rreth ndërtesës.

Shembull: Një individ AA, banues në fshatin Drithas të rrethit Korçë, ka në pronësi të tij një ndërtesë 2- katëshe, e cila është ngritur mbi një sipërfaqe toke prej 100 m2, si dhe një sipërfaqe trualli të lirë 300 m2, përreth kësaj ndërtese, të përfituar në vitin 2007 me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave. Prona është regjistruar në ZVRPP Korçë në datën 25.11.2004. Këtë pronë, individi AA ja shet blerësit BB me vlerën 7 500 000 lekë, me kontratën e shitjes datë 13.1.2015. Llogaritja e tatimit do të bëhet sipas formulës: Detyrimi tatimor = detyrimi tatimor të llogaritur për ndërtesën 200 m2 (100 m2 x 2 kate sipërfaqe ndërtimi) + detyrimi tatimor i llogaritur për truallin sipërfaqe e lirë prej 300 m2.

Llogaritja e detyrimit tatimor për ndërtesën: Duke qenë se në kontratën e shitjes vlera është përcaktuar për të gjithë pasurinë (truall + ndërtesë), për të përcaktuar vlerën e ndërtesës, nga vlera e përgjithshme e përcaktuar në kontratë zbresim vlerën e truallit me çmimin e referencës (400 m2 truall x 246 lekë/ m2 = 98 400 lekë), pra vlera e ndërtesës sipas kontratës së shitjes është: 7.500.000 – 98 400 = 7 401 600 lekë. Vlera në shitje e ndërtesës sipas çmimeve të referencës për vitin 2014 është: 200 m2 x 52 000 x 70 % = 7 280 000 lekë. Duke qenë se vlera e ndërtesës sipas çmimeve të referencës është me e vogël se ajo në kontratën e shitjes, si vlerë në shitje merret ajo e kontratës së shitjes, pra vlera 7 401 600 lekë. Si vlerë në blerje, duke qenë se pasuria e paluajtshme nuk ka vlerë paraardhëse, do të merret vlera sipas kostos së shfrytëzimit të vitit të regjistrimit të pronësisë mbi këtë pasuri të paluajtshme (kosto e vitit 2004): 200 m2 x 28 421 lekë = 5 684 200 lekë. Detyrimi tatimor që duhet të paguajë për ndërtesën shitësi AA, është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (7 401 600 – 5 684 200) x 15 % = 257 610 lekë.

Llogaritja e detyrimit tatimor për truallin: Vlera në shitje e truallit rreth ndërtesës sipas hartës së vlerave është: 300 m2 x 246 lekë/m2 = 73 800 lekë. Vlera në blerje e truallit: Duke qenë se trualli është përfituar sipas VKKP-së në vitin 2007, vlera në blerje është: 300 m2 x 246 lekë/m2 : 1.284 (indeksi i vitit 2007) = 57 477 lekë. Detyrimi tatimor që duhet të paguajë për truallin shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (73 800 – 57 477) x 15 % = 2 448 lekë. Detyrimi tatimor gjithsej është: (detyrimi tatimor për ndërtesën + detyrimi tatimor për truallin) 257 610 lekë + 2 448 lekë = 260.058 lekë.

Dhurimi
Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, ose heqjes dorë nga e drejta e pronësisë në dobi të një të treti apo të bashkëpronarëve të tjerë, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes. Raporti i vlerësimit për pasurinë e dhuruar apo hequr dorë prej saj nuk është detyrues për t’u paraqitur në dokumentacionin për kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme nëpërmjet dhurimit, apo heqjes dorë. Vlera e pasurive e pasqyruar në këto raporte, si dhe në kontratat e dhurimit apo shkëmbimit, nuk është referuese për llogaritjen e fitimit kapital të realizuar.

Shembull: Individi AA, banues në Devoll, rrethi Korçë, i dhuron individit BB një apartament me sipërfaqe 60 m2, me akt dhurimi të datës 15.1.2015. Individi AA e ka përfituar këtë apartament nga privatizimi në vitin 1992, me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, dhe e ka regjistruar në pronësi të tij pranë ZVRPP-së në vitin 1999. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë dhuruesi AA: Kontrollojmë vlerën e pasurisë së paluajtshme në shitje me çmimet e referencës. Vlera në shitje e ndërtesës sipas çmimeve të tregut të lirë (viti 2014) është: 60 m2 x 35 000 lekë/ m2 x 70 % = 1 470 000 lekë. Vlera në blerje për apartamentin e përfituar nga privatizimi me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, dhe që shitet (dhurohet) për herë të parë, është e barabartë me vlerën sipas kostos së shfrytëzimit për 1 m2 të vitit në të cilin është regjistruar pasuria në ZVRPP (kosto e vitit 1999). Duke qenë se për qytetin e Devollit nuk ka të përcaktuar në tabelë kosto e shfrytëzimit, atëherë marrim koston e qytetit më të afërt, që është qyteti i Korçës. Kostoja e shfrytëzimit për qytetin e Korçës në vitin 1999 është 25 145 lekë/m2. Atëherë, vlera në blerje e pasurisë së paluajtshme është: 60 m2 x 25 145 = 1 508 700 lekë. Tatimi që duhet të paguajë dhuruesi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (1 470 000 – 1 508 700) x 15 % = 0 lekë.

Trashëgimia
Në rastin e shitjes së pasurisë së paluajtshme, tokë dhe/ose ndërtesë, të fituar me trashëgimi, dhe vendime gjyqësore, si vlerë në blerje do të konsiderohet: Kur ndërtesa dhe/ose toka kanë vlerë sipas akteve noteriale ose të rivlerësimit të regjistruar në ZVRPP, para ose pas regjistrimit të dëshmisë së trashëgimisë, si vlerë në blerje (vlerë e zbritshme) do të merret vlera e ndërtesës dhe/ose tokës sipas këtyre akteve, të regjistruar në ZVRPP.

Shembull: Individët AA, BB dhe CC, banues në Gjirokastër, kanë në pronësi të tyre një apartament me sipërfaqe 120 m2, të përfituar me kontratën e shitblerjes datë 20.5.2007 me vlerën 3 200 000 lekë. Në datën 5.4.2013, bashkëpronarët, duke përfituar nga ligji për rivlerësimin e pasurisë, bëjnë rivlerësimin e pasurisë së tyre në vlerën 5 676 000 lekë. Në vitin 2014, bashkëpronari AA vdes. Dy bashkëpronarët e tjerë nxjerrin dëshminë e trashëgimisë, të cilën e regjistrojnë po atë vit (2014) në ZVRPP. Në vitin 2015, bashkëpronari BB kërkon t‘ia shesë pjesën e tij në bashkëpronësi individit DD me kontratën e shitjes datë 23.1.2015, me vlerën 1 200 000 lekë. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi BB: Kontrollojmë vlerën e pasurisë në shitje me çmimet e referencës sipas EKB-së. Vlera në shitje e pjesës që do të shesë individi BB sipas çmimeve të referencës (viti 2015) është: Pjesa në bashkëpronësi e individit BB përbëhet nga: a. Sipërfaqja e përfituar me kontratën e shitblerjes: 1/3 pjesë e 120 m2 = 40 m2. Vlera në shitje sipas çmimeve të tregut të lirë është: 40 m2 x 47 300 lekë/m2 = 1 892 000 lekë; b. Sipërfaqja e përfituar nga dëshmia e trashëgimisë: 1/6 pjesë e 120 m2 = 20 m2. Vlera në shitje sipas çmimeve të tregut të lirë është: 20 m2 x 47.300 lekë/m2 = 946.000 lekë. Vlera totale në shitje është: 1 892 000 lekë + 946 000 lekë = 2.838.000 lekë. Duke qenë se vlera sipas çmimeve të referencës është me e madhe se vlera në kontratën e shitjes, atëherë si vlerë në shitje për llogaritjen e detyrimit tatimor marrim vlerën sipas çmimeve të tregut të lirë, pra vlerën 2 838 000 lekë. Duke qenë se ndërtesa ka vlerë në blerje (vlerën e rivlerësimit të pasurisë), atëherë vlera në blerje për pjesën që do të shesë shitësi, në të cilën ka qenë bashkëpronar si dhe trashëgimtar, është: 5 676 000 lekë : 120 m2 = 47 300 lekë/m2 x 60 m2 = 2 838 000 lekë. Tatimi që duhet të paguajë shitësi BB është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (pika 4 e udhëzimit) (2 838 000 lekë – 2 838 000 lekë) x 15 % = 0 lekë. Por, kur ndërtesa dhe/ose toka nuk kanë vlerë të regjistruar në blerje, si vlerë në blerje për pasurinë e paluajtshme ndërtesë, të fituar me trashëgimi, do të merret vlera sipas kostos së shfrytëzimit të vitit në të cilin është regjistruar dëshmia e trashëgimisë.

Mungon vlera
Nëse pasuria e paluajtshme tokë (tokë bujqësore apo truall) që është përdorur për shkëmbim me pasurinë që shitet, nuk ka vlerë paraardhëse, atëherë si çmim në blerje do të merret çmimi i llogaritur duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitit në të cilin është regjistruar kontrata e shkëmbimit në ZRPP.

Shembull: Individi AA, banues në Kuçovë, ka në pronësi të tij një apartament me sipërfaqe 60 m2, që e ka përfituar në vitin 2013, nga një kontratë shkëmbimi me individin BB, të cilit i ka dhënë në këmbim tokë arë të njësisë administrative Feras Kozare, me sipërfaqe 6 000 m2, të përfituar në vitin 2004 me AMTP (akti i marrjes së tokës në pronësi), e cila është regjistruar në ZVRPP në vitin 2006. Në vitin 2015, me kontratën e shitjes datë 17.2.2015, individi AA ia shet apartamentin e tij individit CC me vlerën 2 100 000 lekë. Llogaritja e detyrimit tatimor që duhet të paguajë shitësi AA: Kontrollojmë vlerën në shitje sipas kontratës së shitjes, me vlerën sipas çmimeve referuese të EKB. Vlera e apartamentit sipas çmimeve referuese: 60 m2 x 40 300 lekë/m2 = 2 418 000 lekë. Duke qenë se vlera në kontratën e shitjes është më e vogël se vlera sipas çmimeve të tregut të lirë, atëherë si vlerë në shitje marrim vlerën sipas çmimeve referuese, pra vlerën 2.418.000 lekë. Vlera në blerje e apartamentit që shet individi AA përcaktohet nga shpenzimet që ka bërë individi AA për apartamentin e marrë në pronësi, e cila është përfituar me kontratë shkëmbimi, duke i dhënë në këmbim të këtij apartamenti individit BB sipërfaqe tokë arë 6 000 m2, të përfituar në vitin 2004 me AMTP. Vlera në blerje e tokës arë, e cila përbën dhe shpenzimet e individit AA për marrjen në shkëmbim me individin BB të apartamentit me sipërfaqe 60 m2 është: 6 000 m2 x 208 lekë/m2 : 1.385 (indeksi i vitit 2004) = 901 083 lekë. Kjo vlerë shërben si vlerë në blerje për llogaritjen e tatimit të shitjes së apartamentit. Tatimi që duhet të paguajë shitësi AA është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15 % (2 418 000 – 901 083) x 15 % = 227 537 lekë.

Pjesëtimi
Pjesëtimi i pasurisë midis bashkëpronarëve është subjekt i tatimit mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për fitimin e realizuar nga diferenca midis vlerave të pronave që përfitohen nga pjesëtimi i pasurisë, me vlerën e pronave sipas pjesëve takuese në bashkëpronësi.

Shtetërorët
Rastet e shitjes së pasurisë së paluajtshme nga persona juridikë publikë, sipas përkufizimit të dhënë në nenin 25 të Kodit Civil, nuk janë subjekt i dispozitave të këtij udhëzimi.

Ndërtesat e amortizuara
Në rastet e shitjes së ndërtesave me koeficient amortizimi mbi 50 %, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga persona të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, vetëm në rastin e shitjes së parë. Në rastet kur vlera e ndërtesës e vlerësuar nga një ekspert vlerësues i licencuar është më e vogël se gjysma e vlerës e përcaktuar sipas çmimeve referuese, për efekt të vlerës në shitje të pasurisë, merret në konsideratë vlera e përcaktuar nga eksperti vlerësues i licencuar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

22-vjeçari godet me thikë kalimtarët në SHBA, 4 të vdekur, disa persona të plagosur

22-vjeçari godet me thikë kalimtarët në SHBA, 4 të vdekur, disa persona të plagosur