Udhëzimi, si do të veprohet me makinat që konfiskohen nga shteti

Udhëzimi, si do të veprohet me makinat që konfiskohen nga shteti

Më një Udhëzim të datës 17.5.2019, por që ka hyrë tani në fuqi, janë përcaktuar procedurat që do të ndiqen për administrimin e automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në rezervat materiale të shtetit, si pasojë e konfiskimit.

Ky udhëzim i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, që administron Rezervat e Shtetit, synon të unifikojë veprimet që kryhen nga administrata të ndryshme me makinat dhe motorrat e konfiskuar në dobi të shtetit nga qytetarë apo subjekte që kanë kryer shkelje të karakterit penal, ose të bllokuar gjatë për probleme të ndryshme.

Institucioni

Udhëzimi përcakton se do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit administrata përgjegjëse për marrjen e masave të nevojshme për pranimin dhe marrjen në dorëzim të automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në Rezervat Materiale të Shtetit, si pasojë e konfiskimit.

Procedurat

Mjetet e konfiskuara do të kategorizohen duke përcaktuar peshën reale të tyre, nga një komision i ngritur nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Rezervave Materiale të Shtetit. Komisioni për kategorizimin e mjeteve, duke marrë për bazë këto kritere: viti i prodhimit, kilometrat e përshkruar, gjendja teknike e motorit, normat e harxhimit të karburantit për 100 km, gjendja teknike e pjesëve xhenerike, sistemin elektrik, pamja e jashtme e mjetit dhe tapicerinë, norma e emetimit të gazrave, kategorizon mjetet, si më poshtë:

a) mjete që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim;

b) mjete që do të administrohen në skrap, duke përcaktuar njëkohësisht edhe peshën fizike respektive.

Për mjetet e marra në dorëzim ‘de jure’, komisioni për kategorizimin e realizon veprimtarinë në pikën ekzistuese të ruajtjes së mjeteve. Për efekt kontabiliteti, mjetet e konfiskuara, pas marrjes në dorëzim nga drejtoritë e Rezervave Materiale të Shtetit, do të kontabilizohen me vlerën një lek.

Skrapi

Komisioni i kategorizimit, për përcaktimin e peshës reale fizike të mjeteve që do të administrohen në skrap, vepron si më poshtë:

a) përcakton peshën bosh të mjetit, sipas librezës teknike, pllakatës metalike apo faqes zyrtare të internetit, që përmbajnë të dhënat për peshën e mjeteve;

b) bën një klasifikim të mjeteve: - nga 3.5 tonë deri në 10 tonë; - kamionçinë deri në 3.5 tonë; - furgon dhe fuoristradë; - autoveturë; - motoçikletë;

c) peshës teknike bosh i zbret peshën që përfshin: xhamat, pjesët plastike të kroskotit, sediljet, tapiceritë, gomat, parakolpi, stopat, fenerët etj., që, për shkak të natyrës, nuk përfshihen në kategorinë e skrapeve, sipas klasifikimit të mjeteve.

Pas kategorizimit, Drejtoria e Rezervave i dërgon Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana listën e mjeteve të kategorizuara për qarkullim me numrat e shasisë për konfirmim, nëse mjeti është në kërkim. Në rast se mjetet nuk rezultojnë në kërkim, u nënshtrohen procedurave të shitjes me ankand publik. Në rast se mjetet rezultojnë në kërkim, vijojnë gjendje pranë Rezervave të Shtetit për procedura të mëtejshme.

Ministri miraton strukturën përgjegjëse dhe nisjen e procedurave të shitjes me ankand të mjeteve të konfiskuara.

Mjetet e kategorizuara për skrap u shiten vetëm shoqërive me objekt veprimtarie mbledhje dhe përpunim skrapi. Me qëllim që autoriteti shitës të sigurohet për tjetërsimin për skrap (shkatërrimin/demolimin e mjeteve objekt ankandi), strukturat përgjegjëse për zhvillimin e ankandit parashikojnë në kushtet e veçanta të kontratës klauzola për verifikimin e zbatimit të kontratës, në përputhje me objektin e saj dhe në zbatim të detyrimeve mjedisore që rrjedhin nga politikat mjedisore në Ministrinë e Mbrojtjes. Çmimi i shitjes përcaktohet për kilogram skrap, sipas përqindjes së metaleve që përmban çdo mjet, sipas legjislacionit në fuqi mbi ankandin publik.

Ankandet

Lista e mjeteve që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim, që do të shiten me ankand, sipas legjislacionit në fuqi mbi ankandin publik, së bashku me të dhënat përkatëse, për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, me qëllim përllogaritjen e vlerës fillestare të shitjes, i dërgohet nga struktura përgjegjëse për zhvillimin e ankandit, zyrës doganore më të afërt, e cila përdor si burim informacioni buletinët që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane. Të ardhurat kalojnë në buxhetin e shtetit.

Mjetet që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim, të cilat u janë nënshtruar procedurave të shitjes me ankand publik dhe procedurat e ankandit kanë dështuar, trajtohen për skrap.

Përfundimi

Mjetet e kaluara në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit shiten duke i trajtuar si mjetet e konfiskuara. Për këtë rast, në përfundim të procedurave të shitjes, struktura përgjegjëse për zhvillimin e ankandit njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për vlerën e realizuar nga shitja me ankand. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në rast se pas shitjes së mjetit evidenton diferencë të mundshme në lekë, ia kthen atë shkelësit; në rast se evidenton se vlera e shitjes rezulton më e ulët se vlera e gjobës, atëherë vlera e shitjes konsiderohet e ardhur përfundimtare në buxhetin e shtetit dhe kryen sistemimin e veprimeve dokumentare dhe të rakordimit të kontabilitetit.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • erald: 30/10/2019 09:58

    i shesin me ankand per nje cope buke dhe pastaj bejne tendera per te blere makina te reja per institucionet. ndaj ka vajtur buxheti grope se vjedhin te gjithe

    Përgjigju
    • ani: 30/10/2019 15:52

      po ne ankande vete i blejne ca kujton ti, ankandin e lajmerojne mbasi ka mbaru

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë