POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ukrainë, Suzan Rajs: Rusi respekto
paktin e Gjenevës ose sanksione

KIEV - Pas marrëveshjes së Gjenevës për t’i dhënë fund krizën në Ukrainë kanë ardhur dhe reagimet e para. Suzan Rajs, këshilltarja amerikane e sigurisë paralajmëron se nëse Moska nuk i përmbahet marrëveshjes, një raund i ri sanksionesh do të fokusohen ndaj sektorëve kyç të ekonomisë ruse. 

“Nuk do të përmend emra individësh që SHBA mund të shënjestrojë por dua vetëm të them se disa zyrtarë dhe oligarkë janë shënjestra të mundshme për sanksione të reja. Por ka gjithashtu edhe mënyra të tjera nëse marrëveshja nuk do të respektohet. Në rast se situata në Ukrainë do të përshkallëzohet më tej, si për shembull ndërhyrja ushtarake e Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës do të vendosim sanksione ndaj sektorëve kyç të ekonomisë Ruse”. tha Rajs

Ndërkohë në një konferenë për shtyp ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko paralajmëroi se nëse Rusia nuk i përmbahet marrëveshjes, atëhere Ukraina do të përdorë armët për t’u mbrojtur.

“Besoj se pas takimit të Gjenevës i kemi të gjitha mundësitë për të shmangur luftën. I këmi të gjitha mundësitë për t’u rikthyer në vendet tona në një mënyrë paqësore dhe diplomatike. Por nëse kjo nuk ndodh dhe Rusia nuk tërheq trupat e saj nga kufiri lindor, Ukraina do të mbrohet duke përdorur armët. Sot, populli ukrainas është gati, me armë në dorë, të mbrojë kombin e saj”. u shpreh Timoshenko.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Gjenevë të gjitha grupet e jashtëligjshme do të çarmatosen dhe aktivistët pro-rusë do të duhet të lirojnë godinat qeveritare që kanë zaptuar prej më shumë se 1 javë.

Në këmbim, protestuesve në lindje të vendit do t’u jepet aministia përveç atyre që kanë kryer krime kapitale. Qeveria e Kievit do të fillojë menjëherë një proces të konsulitmit publik me qëllim për t’u dhënë më shumë fuqi qyteteve lindore.

Megjithatë aktivistët pro-rusë në rajonin lindor të Donetskut kanë refuzuar të largohen nga godinat qeveritare duke kundërshtuar kështu marrëveshjen e Gjenevës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

Komento