Urbanistika dhe arkitektura e
qendrës historike të Beratit

Urbanistika dhe arkitektura e<br />qendrës historike të Beratit
Një histori plot dëshmi nga kohët e lashta rreth 2600 vjet para krishtit e deri në ditët tona. Si ka ndodhur urbanizimi i Beratit, përshkrimi topografik i qytetit, rrjeti rrugor, planifikimi i qytetit dhe një shpjegim i argumentuar se si kanë qënë të ndërtuar shtëpitë në këtë qendër historike dhe si ka ndodhur evolimi i tyre…
Nga një vrojtim i përgjithshëm duket sikur arkitektura e pamjes së banesave beratase sidomos pamja e lagjes Mangalem ka qënë realizuar gjithnjë kështu… e pa ndryshuar me disa rreshta banesash në linjë pothuajse horizontale me shumë dritare. Por kjo fizionomi e pamjes se lagjeve muze, është realizuar rikonstruktuar, adaptuar dhe përforcuar pas tërmetit të vitit 1851…
 
Vështrim i përgjithshëm mbi urbanizimin e qytetit
V. Gordon Childe (1892-1957) ishte arkeologu më me ndikim i shekullit të XX-të. Puna e tij e hershme kërkimore në terren në 1920 përmbysi modele arkeologjike të prehistorisë evropiane. Ai pastaj u kthye në teori e sintezë dhe për herë të parë aplikohen modelet sociale në dhënat arkeologjike lidhur me transformimet e mëdha në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. ( Michael E. Smith, V. Gordon Childe and the Urban Revolution: a historical perspective on a revolution in urban studies, TPR, 80 (1) 2009, f.1) Childe mendonte se ka pasur një Revolucion Neolitik i cili çoi në zhvillimin e bujqësisë (Man make himself, 1936) dhe me pas në Revolucionin Urban (The Toën Planning Revieë, 1950) i cili u pasua me lindjen e qyteteve. Gordon Childe paraqiti modelin 10 pikësh për ndryshimet që sjellin “The Urban Revolution”. Megjithëse modelet e shoqërive bashkohore komplekse urbane kanë pësuar progres pas formulimit të Childe, të gjithë bien dakort se ai ka hedhur bazën e shpjegimit të këtij transformimi.
     Qëndra Historike e qytetit të Beratit e shpallur trashëgimi arkitektonike botërore (Ëorld Heritage) përmbledh në territorin e saj kryesisht tre lagjet më të vjetra të qytetit, lagjen Kala, Mangalem dhe Goricë. Kuptohet lehtë se lagjja më e vjetër është ajo e Kalasë pastaj sipas arsyetimit llogjik vjen lagjja Mangalem poshtë në rrëzë të Kalasë dhe më vonë Gorica.
    Mesazhet më të hershme që vijnë nga thellësia e shekujve janë dy çekanë të gurtë (fig.1) të gjetur në rrëzë të mureve rrethuese, të kohës së bakrit-fillimit të bronzit, kur këto metale ende nuk e kishin zëvendësuar plotësisht gurin. Këta çekanë dëshmojnë se në vitet 2600-1800 p.e.s., këtu ishte një qendër e banuar. (A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, Tiranë, 1988, f.10)
 
    Gjatë Epokës së Bronzit, si në periudhën e mëparshme, Evropa ishte e ndarë përtej ndërmjet një shumëllojshmërie të komuniteteve ose popujve të veçantë. Këto mund të dallohen nga njëri-tjetri nga ritet e varrimit, arkitektura, arti dhe llojet e mjeteve, armëve, enëve dhe stolive që përdorën. (Gordon Childe, The bronze age, Cambridge at the university press, Edinburgh, 1930, f.81)                                                                                                             
    Fakti që në Iliri kishte aglomeracione urbane, bile dhe të rëndësishme, që në gjysmën e parë të shek.IV p.e.s., lë të nënkuptohet se zanafilla e tyre duhet kërkuar më përpara, me qënë se qyteti nuk është fenomen që shfaqet menjëherë në formën e tij të përmbaruar, por është produkt i një procesi zhvillimi të gjatë historik. (Frano Prendi, Urbanizimi i Ilirisë së Jugut në dritën e të dhënave arkeologjike, “Studime historike” 3, 1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f.81)
    Që nga gjysma e dytë e shek.VII p.e.s vihen re ndryshime të rëndësishme në tiparet e fortifikimeve të lashta ilire, të cilat lidhen me fillimin e procesit të urbanizimit. Vendbanimet e fortifikuara marrin tani një funksion të ri, duke u bërë qëndra të prodhimit dhe të shkëmbimit. Gjatë shek.VI-V p.e.s., numri i vendbanimeve të fortifikuara të tipit të ri rritet dhe sipërfaqja e banuar zmadhohet, duke përgatitur kushtet për kalimin në qytetet e mirëfillta si qendra të prodhimit shkllavopronar. Kjo periudhë është karakterizuar për këtë arsye si protoqytetare dhe datohet për Ilirinë e Jugut dhe Epirin që nga gjysma e dytë e shek.VII p.e.s., - në gjysmën e dytë të shek.V p.e.s., kur dalin qytete të mirëfillta të tipit Amantie. (Neritan Ceka, Fortifikimet parahistorike, “Monumentet” 1/1986, Mihal Duri, Tiranë, 1987, f.49)
    Vendbanimi protoqytetar i Beratit është klasifikuar në grupin e dytë të vendbanimeve protourbane të mbrojtura, jeta e të cilave zhvillohet në një terren të mbrojtur natyror, të pafortifikuar. (Po aty, f.255,256)
Gjetjet e disa fragmenteve të pakta qeramike nga Hëna Spahiu në Pikën B në shtresën e pestë kulturore lidhen me periudhën e parë të banimit në këtë kala (shek.VII-V p.e.s). Së bashku me to u gjetën dy pjesë suvaje prej balte me gjurmët e thuprave të pareteve të kasolleve. (Hëna Spahiu, Qyteti iliro-arbëror i Beratit, Tiranë, 1990, f.21) Gjurmë të zbehta, jo dhe aq të sigurta, të një muri me blloqe të papunuara, të shtyjnë të mendosh se në këtë kohë, në kodrën ku u zhvillua më tej qyteti, lindi një vendbanim i fortifikuar. Zhvillimi i mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror i krahinave përreth, i Myzeqesë, i Mallakastrës dhe i luginës së Osumit, solli lindjen e njëpasnjëshme të një vargu qytetesh antike, të Apolonisë në vitin 588 p.e.s., të Nikaes në shek.V p.e.s., dhe në shek.IV p.e.s., të Bylisit të Dimalit të qyteteve Cakran e Margëlliç dhe të një sërë qytetesh të vogla. Pikërisht nga mesi i këtij shekulli u rrethua me mure të fuqishme me blloqe të latuara edhe kodra në të djathtë të Osumit. Lindi kështu qyteti i fortifikuar, me një sipërfaqe 9,60 ha. (A.Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, “8 Nëntori’, Tiranë, 1988, f.10,11)
    Kur flasim për qytete në viset e Ilirisë jugore, ne kemi parasysh jo çdo qendër të fortifikuar më mirë, por vetëm vendbanime, të cilat, pavarësisht nga sipërfaqja që zënë, shprehin praninë e një bashkësie të organizuar qytetare me funksione ekonomike dhe marrëdhënie sociale tipike urbane me mënyrë të re jetese, me një organizim të veçantë politiko-administrativ etj. Vendbanime me tipare të tilla urbane ka pasur në trevat e Ilirisë së Jugut dhe këto nuk kanë qenë të pakta. Të tilla ishin Scodra, Lisi, Dimali, Bylisi, Amantia, Antipatrea, Pelioni, e shumë të tjera, emri antik i të cilave ende nuk dihet me siguri. (Frano Prendi, Urbanizimi i Ilirisë së Jugut në dritën e të dhënave arkeologjike, “Studime historike” 3, 1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f.80) Mbijetesa e plotë e urbanizmit ishte e lidhur dukshëm me vazhdimin e një ekonomie të parasë dhe tregtisë. (John Rich, The city in Late Antiquity, London and Neë York, 1992, f.18)
    Në gërmimet e bëra në pikën “F”, në kuadratet I, II dhe III u zbuluan disa trakte muresh që dikur mbyllnin mjediset e ndonjë godine me karakter shoqëror ose privat. Teknika e ndërtimit të mureve, përmasat e tullave, materiali arkeologjik dhe monedha e Anastasit të I i lidhnin rrënojat e kësaj godine dhe mjediset rreth saj me kohën antike të vonë (shek.IV-VI). (Hëna Spahiu, Berati qyteti iliro-arbëror, Tiranë, 1990, f.116-121 dhe Gjurmë të mureve rrethuese & të ndërtesave të Kohës së vonë antike në kështjellën e Beratit, “ILIRIA” 2011, Tiranë, 2012, f.55-68)
    Gjatë shek.XII-XIV, qytetit shqiptar njohu një rritje të vazhdueshme si pasojë e zhvillimit të forcave prodhuese. Në këtë kohë qyteti ishte një qendër zejtaro-tregëtare, e cila kryente dhe funksionin e tregut për krahinat përreth. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.47)
Ndërtimet përgjithësisht dilnin drejtpërdrejt në rrugë, oborret thuajse mungonin, ose ishin tepër të vegjël. Zgjerimi i qytetit çonte shpesh dhe në ndërtime fare pranë, apo dhe mbështetur mbi mure rrethues. Nuk mungonin dhe ndërtimet shoqërore. Në pjesën më të mirë të qytetit, zakonisht në zonën më të lartë, ndërtonin shtresat e pasura. Qyteti në zhvillimin e tij, nuk paraprihet nga planifikimi. Në vitin 1280 flitet për një lagje të jashtme në Berat, siç duket këtu kemi të bëjmë me ansamblin në perëndim të kalasë. Në mesin e shek.XV, lagjet e jashtme të Beratit kanë qenë të fortifikuara. (Po aty, f.49)
    Shek.XVII përbën një etapë të me rëndësi në zhvillimin e qytetit shqiptar, i cili hyn në rrugën e rritjes dhe forcimit ekonomik. Shtrirja e tij, në disa qendra të rëndësishme si Berati, Gjirokastra, Elbasani etj, kishte arritur thuajse atë, që u ruajt pak a shumë dhe gjatë shek.XVIII-XIX, natyrisht me një dëndësi më të vogël ndërtimesh. Pra qyteti kishte marrë fizionominë urbanistike që u ruajt në tiparet thelbësore dhe në shekujt pauses, duke qenë urbanistika për vet natyrën e saj elementi konservator, në krahasim me arkitekturën e ndërtimeve qytetare dhe veçanërisht banesës si elementi mbisundues i tyre. (Po aty, f.51) Që nga viti 1800 procesi i urbanizimit ka lëvizur me shpejtësi në të gjithë botën, dhe kulmi nuk është ende në horizont. (Kingsley Davis, Ëorld Urbanism (Mar., 1955), American Journal of Sociology, Vol. 60, No. 5, The University of Chicago Press, f. 429-437) Shek.XIX shënon një rritje të mëtejshme të qytetit shqiptar. Në Berat ka një intesitet të madh të veprimtarisë ndërtimore, sidomos në gjysmën e dytë të shek.XIX. 
 
 
Përshkrimi Topografik
Kalaja e Beratit ka specifikën e saj në realizimin urbanistik dhe arkitektonik sepse ajo shtrihet mbi sipërfaqen prej 9,6 ha të një kodre në formë trekëndore me kurriz në mes ku kulmin e saj e arrin në kullën me nr.13 në lartësinë 285 m nga niveli i detit. Lartësia e oborrit të hyrjes për në kala nga niveli i detit arrin lartësinë 243.8 m, pragu i portës së parë të hyrjes 240 m dhe është lartësia më e ulët nga niveli i detit. Brenda rrethimit me mur të kalasë ka dhe një vend më të ulët 243,8 nga niveli i detit, ku mblidhen të gjithë ujrat e shiut. Ky vend është në afërsi të portës Lindore të kalasë drejtuar nga mali i Tomorit dhe është lartësia me e ulët e kësaj kodre brenda rrethimt me mur guri të kalasë nga niveli i detit. (fig.2). Nga lartësia me e madhe pjerrësia e kalasë zbret në mënyrë të butë, kjo ka lejuar ndërtime në terren të pjerrët si nga ana lindore ashtu dhe ajo veri-perëndimore ndërsa në drejtimin jugor ajo bie thikë (fig.3).
 
Rrjeti rrugor
Zgjidhja urbanistike, rrjeti rrugor i lagjes Kala është pak më i ndryshëm nga ajo i lagjes Mangalem dhe Goricë, kjo për arsye se kodra e kalasë ka dy pjerrtësi rënie terreni, ndërsa dy lagjet e tjera janë realizuar në një rënie pjërrtësie terreni. Dy lagjet e tjera shtrihen në shpatin e malit të Goricës dhe poshtë kodrës së Kalasë ku ndërmjet tyre kalon i famshmi lumi Osum.        
Shkenca e urbanistikës përmbledh në zgjidhjen e saj një numër të pa kufizuar problematikash  serioze  ku ndërthuren ndërmjet tyre mjaft filozofi të thella dhe të gjera,  nga më të ndryshmet  në mënyrë të tillë që të arrihet qëllimi kryesor parësor, për të bërë sa më të jetueshëm jetën e banorëve. Qysh në periudhën e hershme zgjidhja urbanistike duke përdorur rrjetin e rrugëve ortogonale ka qënë më e preferuara. Po të shikojmë edhe sot shumë qytete që shtrihen në terrene të rrafshta apo edhe në kodra të ulëta sidomos në kontinentin amerikan kanë zgjidhje nëpërmjet rrjete rrugësh kuadratike. Por si e ka kalaja jonë rrjetin rrugor të saj? Cilat janë parimet që udhëzojnë planifikimin e qytetit të lashtë?
   Lagjja “Kala”. Rrjeti rrugor niste nga hyrjet e fortifikimit duke u shpërndarë në një numër të dendur rrugësh të ngushta e të përthyera, shtruar me kalldrëm. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.48) Qysh prej fillimit të realizimit të saj duke pasur parasysh ndryshimin e lartësisë së terrenit 40 m brenda rrethimit me mur guri të kalasë, zgjidhjen e komunikimit e ka arritur duke ndërtuar tre rrugë arterie kryesore (fig.4). Dy rrugë shtrihen brenda mureve rrethuese rrëzë tyre dhe një rrugë e ndanë kalanë pothuajse përgjysëm. Qëllimi i saj është të arrijë nëpërmjet një gjatësie sa më të shkurtër, por lehtësisht të komunikueshme, pra me pendencë, pjerrtësi të pranueshme, lartësinë më të lartë. Dhe kjo rrugë ka qënë qysh në periudhën e parë të ndërtimit të kalasë në periudhën antike, ngjitja me pendencë e kësaj rruge të dërgon në Akropol, te pjesa më e lartë e fortifikuar e një qyteti antik, i cili shërbente si vend strehimi në rast lufte dhe njëkohësisht si vend i shenjtë, ku gjendeshin tempuj kushtuar perëndive më të rëndësishme të qytetit. Fakt deri tani kemi gjurmën e një mozaiku ende të pa zbuluar plotësisht që mendojmë se ka zbukuruar dyshemenë e një bazilike paleokristiane të shek.V-VI në pikën më të lartë të Akropolit. Kjo është rruga me pendencë të kalueshme për lëvizjen e mjeteve (karrocat) në periudhën antike nga porta e parë e hyrjes së qytetit të fortifikuar deri në vendin më të lartë. Sipërfaqen e kalasë kjo rrugë e ndan në dy pjesë. Rruga degëzohet në dy orientime, lindore & perëndimore, të cilat qarkojnë truallin e pjerrët. Krijuesit kanë planifikuar, realizuar nga tre rrugë paralele të përshkallëzuara (tarraca) në gjithë gjatësinë e terrenit të aksidentuar brenda këtyre dy hapësirave. Këto janë rrugët dytësore.
    Fatkeqsisht në periudhën e fundit nga ndërhyrja pa kriter e kësaj rruge ju hoqën katër gurët e fundit origjinal të periudhës fillestare antike.  Po kështu, kësaj rruge ju prish kalldrëmi (fig.5) dhe u shtrua duke iu improvizuar dhe zhdukur veprën autentike pjesën origjinale para hyrjes për në Akropol. Sot çuditërisht gurët e kalldrëmit të vjetër bëjnë roje në Akropol (fig.6, 7).  Ne jemi të mendimit se kjo rrugë kryesore e kalimit nëpër lagjen “Kala” nën trasenë e saj origjinale ka vlera shumë të rëndësishme arkeologjike sepse ajo shpesh poshtë saj i është bashkëngjitur shkëmbit natyral dhe është një dokument i vlefshëm për punimet kërkimore për këtë qytet antik.  
    Funksioni i rrugëve dytësore që lidhen me rrugët kryesore lehtëson lëvizjen e pranueshme e të qetë të banorëve. Përveç tyre kemi dhe rrugë të treta që përqafojnë trualle ndërtimi dhe që janë më të vështirë në lëvizje. Funksioni i tyre është lidhës në drejtim sa më të shkurtër zakonisht perpendikular brenda hapësirave të truallit midis rrugëve dytësore. Në rastin e orientimit lindor të kodrës janë ndërlidhës të rrugës kryesore me ato dytësore. Janë planifikuar dhe realizuar edhe raste të komunikimit të rrugëve të treta paralelisht me rrugët dytësore si pasojë e realizimit të arkitekturës së banesave. Pra, në qoftë se e studiojmë në hartë rrjetin rrugor të kalasë del më se e qartë se zgjidhja e lëvizjes së banorit në lidhje me banesën është bërë jashtëzakonisht funksionale, e lehtë për të arritur komunikim të lehtësuar në funksion të realitetit ambiental faktik (fig. 8).
    Një zgjidhje e tillë funksionale urbanistike ka sjellë që dhe realizimi i arkitekturës së banesave të jetë në funksion të orientimit të pjerrësisë se kodrës. Në lagjen kala ne kemi dy orientime kryesore të pamjeve të banesave njëra nga mali i Tomorrit nga lindja dhe tjetri nga Shpiragu perëndimi. Nuk ka qenë e mundur të orientoheshin në ndërtim banesat nga Jugu për shkak të vetë orientimit të sipërfaqes së kodrës. Pra, mund të themi qartësisht e bindshëm se, ata që kanë realizuar këto ndërtime në këtë sipërfaqe i kanë shfrytëzuar mundësitë e realizimit të banesave në mënyrë krijuese duke ja përshtatur ato terrenit, mundësive që lejon ai dhe duke shfrytëzuar në mënyrë mjaft të përshtatshme lëvizjen nëpër rrugica për të bërë komunikim me banesën, sipas rastit nga poshtë por edhe nga sipër.
 
Parimet që udhëzojnë planifikimin e qytetit.
Megjithëse qyteti i Beratit është konsideruar vështirësisht i zgjidhshëm për të gjitha problemet që lidhen me këtë qytet duke arsyetuar mbi mundësinë që lejojnë gërmimet relativisht të kufizuara të bëra vetëm në zona të lira, ne do të mundohemi të japim mendimin tonë mbi disa parime që udhëzojnë planifikimin e qytetit (kalaja e Beratit). Zhvillimi i qytetit të Beratit në mesjetë dhe vazhdimësia e banimit të tij deri në ditët e sotme kanë lënë gjurmë mbi kuptimin dhe interpretimin e planifikimit të tij.
Përsa i përket trajtimit urbanistik të qendrave qytetare ilire mund të shënojmë se ai ka pasur disa kërkesa themelore, siç ishin: vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë: për banim, për veprimtarinë shoqërore dhe mbrojtjen; krijimi i unitetit të agorasë dhe komplekseve të banimit etj. (Neritan Ceka, Myzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.264)
Mënyra aktuale e planifikimit urban në qytetet e lashta përqafojë konceptin e variacionit në formë, si brenda traditave kulturore (p.sh. jo të gjitha qytetet romake janë planifikuar në të njëjtën mënyrë) dhe midis traditave. P.sh., dy komplekset e lashta egjiptiane të banimit - Kahun dhe Deir el - Medina – (fig.9) tregojnë shkallën e ndryshme dhe llojet e planifikimit, edhe pse të dyja ishin projektuar dhe ndërtuar nga agjentët e shtetit. (Michael E. Smith, V. Gordon Childe and the Urban Revolution: a historical perspective on a revolution in urban studies, TPR, 80 (1) 2009, f.18) Ndërsa, për të gjitha qendrat qytetare ilire ishte karakteristike vendosja e vendbanimit në një terren të pjerrët, në faqet e kodrave, që rrethoheshin me mure për të krijuar një vend të mbrojtur për zhvillimet e jetës së qytetit. Kjo vendosje paraqiste vështirësi për krijimin e shesheve të nevojshme për ndërtimet private ose shoqërore, por gjeti zgjidhje përmes zbatimit të parimit të njohur që në parahistori, duke krijuar tarraca paralele me vijat rrushkulluese të kodrës. Tarracimi është një mënyrë e përgjithshme për krijimin e shesheve të ndërtimit në qëndrat qytetare ilire (Neritan Ceka, Myzafer Korkuti, Arkeologjia, shblu, Tiranë, 1998, f.264) dhe një ndër parimet kryesore të planifikimit të qytetit.
Zhvillimi urbanistik i këtyre qendrave të banuara qytetare, është kushtëzuar ndjeshëm nga fortifikimi me mure rrethues. Praktikisht ky rrethim kufizonte qartë truallin brenda të cilit zhvillohej qendra e banuar, duke bërë që ngushtësia e terrenit të ishte faktor me rëndësi i dorës së parë në kompozimin urbanistik. (Emin Riza, Vështrim mbi urbanistikën e qytetit shqiptar (shek.XII-XX), “Monumentet” 14, 1977, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.49)
Një tjetër parim i rëndësishëm në ndërtimet e qytetit, duke spikatur me volume dhe trajtimin arkitektonik, zinin ndërtimet e kultit, të cilat ngriheshin në trojet më të mira.
Gjatë shek.XV në kalanë e Beratit veprimtaria ndërtimore, lidhet me ngritjen edhe të dy faltoreve islame (fig.10). Objektet e kultit si ndërtesa social-fetare, shërbyen jo vetëm si simbole të qarta të religjioneve, si ankorim për formën e qytetit, por simbolizonin edhe përqëndrimin e shumicës sociale. Kjo vihet re në formulimin urbanistik të kalasë gjatë shekujve XVI-XIX (shih fig.11 në hartën e kalasë së Beratit vendosjen e kishave dhe vendeve të shenjta ku frekuentohen edhe sot).
Rritja demografike, shtimi i ndjeshëm i zejeve të ushtruara dhe ai i ritmeve të banimit dhe i atyre shoqërore në përgjithësi, karakterizojnë Beratin e shek.XVII. (A Baçe, A.Meksi, E.Riza, Berati historia dhe arkitektura, “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f.81) Në gjendjen e sotme lagjja “Kala” i përket shekujve XVIII-XIX, përsa u takojnë shtëpive të banimit që e formojnë. Por ç’ndodh me dy lagjet e tjera?
Lagjja “Mangalem (fig.12, 13) & Goricë (fig.14, 15)”. Duke qënë njëra në shpatin e malit dhe tjetra të kodrës kanë pothuajse të njëjtën zgjidhje urbanistike. Ato përqafohen pothuajse njësoj me një rrugë parësore e cila nis në fillim të ndërtimeve të lagjes në rrëzë të kodrës dhe kalon pothuajse në formë harku duke fituar lartësi, duke arritur kuotën më te lartë në mes të lagjes dhe zbret në anën e kundërt të saj duke u bashkuar me rrugën kryesore që kalon në rrëzë të kodrës së lagjes. Lagjja Mangalem duke pasur shtrirje si në drejtimin lindor dhe jugor ka dy rrugë parësore përqafuese ku njëra përqafon anën lindore dhe tjetra anën jugore. Këto rrugë parësore që përqafojnë lagjen bëjnë shumë të lehtë komunikimin me banesat. Nga rruga në rrëzë lagjes dalin edhe rrugë dytësore që lidhen me rrugën që përqafon lagjen, pra ndanë të gjithë këtë terren në kuartalle banimi. Po ashtu edhe nga rruga që përqafon lagjen ka rrugë dytësore që ngjiten në lartësi të kodrës për të komunikuar me truallet e ndërtimit, por edhe një rrjet rrugësh të treta realizojnë mundësinë për t’u lidhur me realizimin e banesave në kuota më të larta.
Duke përfunduar për zgjidhjen urbanistike të dy lagjeve të vendosura në terren rrëzë kodrave kemi zgjidhje të thjeshtë shumë funksionale, krijohet një rrjet rrugësh parësore të mbyllura të cilat lidhen dhe ndahen në zona banimi me rrugë dytësore, brenda saj pak të vështirë për lëvizje dhe një rrjet rrugësh të treta për lëvizjen jashtë rrjetit të mbyllur edhe ky i vështirë në lëvizje. Përsa i takon zgjidhjes së pamjeve të banesave në lagjen Mangalem ato kanë mundësinë e orientimit nga jugu dhe lindja ndërsa ato të lagjes Goricë kanë mundësinë e orientimit veri -perëndimor.
 
Por si kanë qënë të ndërtuar shtëpitë në këtë qendër historike dhe si ka ndodhur evolimi i tyre?
Një pyetje pak e vështirë por jo e pa zgjidhshme. Duhet të themi që në fillim që gjurmët, pjesë dhe shtëpi më të vjetra ekzistojnë në lagjen Kala, Mangalem dhe më pak në lagjen Goricë, por edhe në lagjet e tjera të qëndrës historike. Një studim i mirëfilltë i tillë duhej të ishte bërë kur ne filluam punë në vitin 1966 po të kishim përgatitjen e sotme. Mua gjithmonë me ka bërë përshtypje zgjidhja me cilësim Monumente Kulture i kategorisë së parë i disa banesave në vitin 1961 që edhe sot janë ekzemplarë të vlefshëm të trashëgimisë arkitektonike të gjinisë së banesës. Nga hulumtimi kam gjetur se një arkitekt çekosllovak me moshë të thyer rreth 75 vjeç i cili merrej me arkitekturën popullore të trashëguar në Çekosllovaki sëbashku me arkitektin tonë z. Gani Strazimiri, kanë ardhur, qëndruar dy herë nga rreth dy-tre muaj në Berat përpara se ai të shpallej qytet muze. Ata kanë parë, vrojtuar, studiuar, skicuar, fotografuar të gjithë banesat një e nga një, e më vonë i kanë shpallur monument kulture dhe sot ekzistojnë në listën e objekteve të shpalljes së Beratit qytet muze. Interesant është për mendimin tim se ata kanë zgjedhur ekzemplarët më të vlefshëm në drejtimin e zgjidhjes arkitektonike (dhe kjo mendoj se i dedikohet specialistit të trashëgimisë arkitektonike e popullore të Çekosllovakisë dhe ark. Gani Strazimirit).
    Nga një vrojtim i përgjithshëm duket sikur arkitektura e pamjes së banesave beratase sidomos pamja e lagjes Mangalem ka qënë realizuar gjithnjë kështu e pa ndryshuar me disa rreshta banesash në linjë pothuajse horizontale me shumë dritare. Siç e kemi thënë edhe më parë kjo fizionomi e pamjes se lagjeve muze dhe sidomos e lagjes Mangalem, por edhe lagjeve të tjera është realizuar rikonstruktuar, adaptuar dhe përforcuar pas tërmetit të vitit 1851, i cili shkatërroi një pjesë të ndërtimeve të vjetra dy katëshe prej guri në lagjet muze e sidomos në kala ku vdiqën dhe një numër ushtarësh. Ajo që i bëri përshtypje ndërtuesve dhe banorëve pas tërmetit ishte se shumë konstruksione të lehta prej muratur druri në katet e sipërme nuk u dëmtuan por qëndruan konstruktivisht. Atëherë kjo zgjidhje prej konstruksion druri, e cila kishte filluar të përdorej gjërësisht u përqafua në masë, sepse kishte disa përfitime:
Së pari, mund të zmadhohej sipërfaqja ndërtimore e katit të sipërm nëpërmjet daljes konstruktivisht jashtë mureve të gurit të katit përdhe me konstruksion druri, duke marrë zgjidhje, forma nga më të ndryshme, në funksion të shfrytëzimit të mundësive që lejonte kufijtë e pronës dhe rrugës.
Së dyti, konstruksioni prej druri në katet e sipërme jashtë muraturës së gurit të katit përdhe lejonte fare thjeshtë ndërtimin e hapësirave të vazhdueshme drite të dritareve për faqen e ambjetit të sipërm të orientuar nga mundësitë që lejonte terreni.
Së treti, për banesat me çardak kollonata prej druri njëfishe apo dyfishe nuk pësojë shkatërrime për shkak të tërmetit dhe kjo lejonte mbyllje të thjeshtë të pamjes dhe krijimin e ambienteve me shumë dritare dhe korridoreve komunikues.
Së katërti dhe e fundit, moda e re e ndërtimit e cila kishte përparuar tashmë në trajtimin ornamentik modern të hapësirave të banimit, shumëllojshmëria e ambjenteve të banimit ishte e lehtë të realizohej me këtë ndërhyrje strukturore. Zgjidhja e re konstruktive lejonte shfrytëzimin e sipërfaqes ndërtimore në mënyrë krijuese, ishte më e lirë, me kosto më të ulët, dhe më e shpejtë në realizim sesa ndërtimi i muraturës me mur guri, apo mbushjeve të skeletit drurit me mur. Një vrojtim i thjeshtë i gurëve mbi portat e hyrjes për në banesë tregon se të gjithë rikonstruksionet janë pothuajse pas vitit 1851.
    Nga kjo analizë e mësipërme del qartë se banesat janë të ndryshuara. Në lagjen kala, një banesë, sot ka pamjen në formë sharre me tre dalje konsol. Kjo banesë po të vrojtohet, studiohet me imtësi kuptohet thjeshtë nga planimetria se ajo në fillim ka qënë një banesë e thjeshtë dykatëshe e realizuar komplet me muraturë guri në gjendje mjaft të mirë konstruktive dhe rreth saj ka qënë një ambient i rrethuar me mur të lartë ku brenda sipërfaqes së saj kishte depo, vend grumbullimi uji etj. Në vitin 18... pronari duke qënë në gjendje më të mirë ekonomike dhe për nevoja familjare e ka zhvilluar, mbuluar të gjithë sipërfaqen e pronës duke krijuar ambiente të rinj në katin e sipërm. Pamja e kësaj banese në kala është zgjidhur me konfiguracionin me tre dhëmbë sharre dhe të jep imazhin e një banese unike por ajo në të vërtetë është një adaptim, përshtatje dhe rikonstruksion duke shfrytëzuar banesën e vjetër dhe sipërfaqen e pronës. (fig.16, 17)   
    Banesa më e madhe në lagjen Kala me kod K-042 Miti & Llazar Haxhistasa (fig.18) e cila sot është një realizim i rrallë i arkitekturës popullore që kalon për mendimin tonë kufijtë jo vetëm të atdheut tonë, ajo ka rëndësi të veçantë për arkitekturën ballkanike. Ajo në fillim ka qënë një banese dy katëshe me sterë poshtë saj, më vonë është përshtatur duke u rikonstruktuar shfrytëzuar si një krah i realizimit të banesës se madhe dhe duke u ngritur edhe një kat sipër saj...Akoma ka shumë banesa që duhet të konkludohen si kanë qënë në fazën fillestare të tyre. Banesa Xhymyrteka (fig.19, 20) me kod M-035 sot duket se është ndërtuar qysh në fillim me këtë pamje me shumë dritare dhe me një shtrirje gjatësore. Nga zgjidhja planimetrike kupton që aty se kemi dy banesa të bashkuar në një pamje. Kur futesh brenda e kupton përnjëherë se aty ka ekzistuar realizuar një rrugicë e tretë e cila kishte si qëllim lidhjen e banorëve me banesat e ndërtuar në rrjeshtin prapa saj. Sot ajo rrugicë është pjesë e banesës e mbuluar me çati dhe e shfrytëzuar nga banesa në fjalë.
Raste të tilla të përshtatjes, rikonstruksionit, adaptimeve kanë pothuajse të gjitha banesat në tre lagjet dhe kjo është më se normale për këtë trashëgimi ndërtimore disa shekullore.
    E rëndësishme për ne është se të gjithë që perceptojnë këtë pamje direkte duhet të mendojnë se ajo nuk ka qënë gjithnjë me këtë zgjidhje arkitektonike, por ajo ka ndryshuar në funksion të shumë faktorëve, anës ekonomike, modës, nevojave, materialeve dhe shumë specifikave të tjera që arrijnë deri tek niveli i porositësit dhe aftësitë profesionale të ndërtuesit.
 
 
Ing.Restaurator. Genci SAMIMI
Historian, Arkeolog, Restaurator (Studiues) Dritan ÇOKU

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Hamilton flet sërish për kalimin te Ferrari, britaniku: E di se çfarë është e duhura për mua

Hamilton flet sërish për kalimin te Ferrari, britaniku: E di se çfarë është e duhura për mua