Urdhri i Arta Markut/ Të korruptuarit nuk mund të përgjohen kur qëndrojnë në ambiente private

Personat e proceduar për kryerjen e të pakën 30 veprave jo të rënda penale nuk do të përgjohen më në ambiente private dhe as përmes një numri telefoni, por përgjimi i tyre nuk ndalohet në ambiente publike. Bëhet fjalë për të gjithë personat e proceduar dhe që do të procedohen për kryerjen e një vepre penale, për të cilën parashikohet dënim me burg më pak se sa 7 vjet, në maksimum. Kështu parashikon një udhëzim që mban firmën e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, për rregullat dhe mënyrën e realizimit të përgjimeve. Udhëzimi bën një ndarje të veprave penale për të cilat lejohet përgjimi si një mjet për të provuar autorët e tyre.

Sipas këtij udhëzimi, do të përgjohen në të gjitha format e lejuara vetëm personat e procedura për kryerjen e veprave të rënda penale, për të cilat dënimi maksimal parashikohen nga 7 vite deri në burgim të përjetshëm.

“Përgjimi i komunikimeve elektronike të një personi, të një numri me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike të bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private, lejohet vetëm kur procedohet: Për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vite burg. Për çdo vepër penale me dashje kur kryhet me anë të mjeteve të telekomunikimit ose përdorimit të teknologjive telematike. Për veprat penale të parashikuara nga shkronja ‘a’, paragrafi 1, i nenit 75 a, të këtij Kodi. Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendosjes lejohet vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet burg”, thuhet në udhëzim.

( Kliko këtu ) për faksimilen e plotë të udhëzimit të Arta Markut për përgjimet

Veprat penale

Bazuar në udhëzimin e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, Shqiptarja.com ka identifikuar veprat penale, për të cilat parashikohet dënim, në maksimum, më pak se 7 vite burg. Për të gjithë personat e proceduar për këtë grup veprash penale, prokurorët nuk do të investohen për t’i përgjuar në ambiente private apo përmes telefonit. Në këtë grup veprash penale përfshihen edhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, që dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet si dhe korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, që dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Gjithashtu përfshihen edhe vepra penale e refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë i pasurive, që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet si dhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, që dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Personat që do përgjohen   

Në rrethanat e plotësimit të kushtit të parashikuara në nenin 3 të udhëzimit, parashikohet që përgjimi mund të urdhërohet të kruhet kundër të dyshuarit për kryerjen e veprës penale, personit që dyshohet se merr pjesë në transaksionet me të dyshuarin, personit vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose identitetit të dyshuarit. “Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë.

Përgjimi për rastet e lejuara në nenin 221, pika 1, kërkohet nga prokurori vetëm kur sigurohet për ekzistencën e kushteve bazë që janë: Përgjimi është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara. Kur në ngarkim të personit ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova se ka kryer ose në kryerje e sipër të një vepre penale që përmbush kushtet për t’u autorizuar përgjimi sipas nenit 3 të këtij udhëzimi. Vetëm konstatimi i ekzistencës njëkohësisht të këtyre kushteve mund të vlerësojë të ligjshëm lëshimin e autorizimit për përgjim”, thuhet në udhëzim.

Vendet private

Personat e proceduar për kryerjen e të pakën 30 veprave jo të rënda penale nuk do të përgjohen më në ambiente private dhe as përmes një numri telefoni, por përgjimi i tyre nuk ndalohet në ambiente publike.

Vendet publike

Regjistrimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendosjes lejohet vetëm kur procedohet për vepra të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se tre vjet burg.

Veprat penale të përjashtuara nga përgjimi në ambiente private

  1. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
  2. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
  3. Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
  4. Shkelja e barazisë së shtetasve.
  5. Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive.
  6. Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
  7. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
  8. Korrupsioni aktiv në zgjedhje.
  9. Korrupsioni pasiv në zgjedhje.
  10. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.
  11. Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje.
  12. Vrasja e kryer nga pakujdesia.
  13. Plagosja e rëndë, e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.
  14. Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë.
  15. Ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqim të gruas.
  16. Mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë.
  17. Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës.
  18. Kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi.
  19. Veprimet që lehtësojnë trafikimin
  20. Dhunimi i banesës.
  21. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit.
  22. Dhunimi i varrezave.
  23. Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura.
  24. Përhapja e sekreteve vetjake.
  25. Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi.
  26. Shtytja e të miturve për të kryer krim,
  27. Dhuna në familje.
  28. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës.
  29. Mosdeklarimi në kufi i parave përtej vlerës së parashikuar nga ligji.
  30. Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
  31. Thirrjet publike për veprime të dhunshme
  32. Goditjet për shkak të detyrës
  33. Kanosja për shkak të detyrës

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet