Urinimi i pavullnetshëm
dhe shkaqet e tij

Urinimi i pavullnetshëm <br />dhe shkaqet e tij
Lagia natën (eneuresis nocturna) apo urinimi i pavullnetshëm konsiston në urinimin gjatë natës kur fëmija është në gjumë. Shumica e prindërve mendojnë që fëmijët në moshën 3 vjeçare nuk duhet të lagin më. Por ka fëmijë që kanë nevojë për napa deri në moshën shkollore. Gjithsesi, edhe pas kësaj moshe, ka raste të eneuresis nocturna. Rreth 1 në 7 fëmijë të moshës 5 vjeç, dhe 1 në 20 fëmijë të moshës 10 vjeç urinojnë akoma natën. Lagia konsiderohet normale deri në moshën 5 vjeç. Lagia prek djemtë dy herë më shumë sesa vajzat.

Çfarë e shkakton urinimin e pavullnetshëm?
Në shumicën e fëmijëve nuk ka një arsye specifike. Mbi të gjitha nuk ndodh për faj të fëmijës, por për arsye të prodhimit me tepricë të urinës, më shume nga sa mund të grumbullojë fshikëza e urinës (vesica urinare). Ndjenja e urinimit ndoshta nuk është aq e fortë sa të zgjojë fëmijën natën.
Mendohet se ka disa faktorë që e përkeqësojnë urinimin natën. Ato përfshijnë:

- Periudhat e stresit.
Mund të jenë shkak për rishfaqjen e urinimit natën. Për shembull: fillimi i shkollës, ardhja e një vëllai ose motre, sëmundje, abuzim etj.
- Pije dhe ushqime që përmbajnë kafeinë.
Këtu përfshihen çaji, kafja, koka-kola dhe çokollata. Kafeina rrit sasinë e urinës të prodhuar nga veshka. Ajo është diuretik.
- Konstipacion (Kaps).
Mbetje të mëdhaja të feçeve në rektum mund të ushtrojnë presion dhe të irritojnë pjesën e prapme të fshikëzës. Në veçanti, fëmijët me konstipacion kronik kanë më të ngjarë që të urinojnë natën.
- Fëmijët me çrregullim të vëmendjes me hiperaktivitet (adhd) kanë risk të rritur për të lagur natën.

Shkaqe të tjera specifike mjekësore janë të rralla. Për shembull: një infeksion urine, apnea e gjumit (pauza në frymëmarrje gjatë gjumit) nga një obstruksion në rrugët e frymëmarrjes, diabeti dhe çrregullime të rralla të fshikëzës mund të jenë shkaqe për urinimin natën.

Si mund të trajtohet urinimi i pavullnetshëm?

Një mundësi është të mos ndërmarrësh asnjë veprim, pasi fëmija do të ndalojë vetë urinimin natën. Sa më shumë rritet ai, aq më shumë mundësi ka që të përmirësojë kontrollin e fshikëzës. Gjithsesi trajtimi ndihmon që ky rezultat të arrihet më shpejtë:

Ora me zile
Mund të përdorni një orë me zile për të zgjuar fëmijën disa herë gjatë natës dhe ta inkurajoni të shkojë në tualet. 8 nga 10 fëmijë të moshës 7 vjeç e lartë kanë patur përmirësim. Ora me zile zakonisht nevojitet për një periudhë 3-5 mujore deri sa fëmija të mësohet me zgjimin kur fshikëza mbushet. Me kalimin e kohës ai do të zgjohet përpara se të lagë.

Medikamente
Desmopresina është medikamenti më i përdorur në këtë rast. Vepron duke reduktuar sasinë e urinës që prodhohet nga veshka çdo ditë. Zakonisht funksionon mirë dhe menjëherë (7 në 10 raste). Nëse funksionon, duhet vazhduar për 3 muaj dhe të ndërpritet. Ka shumë mundësi që urinimi të rikthehet.

Sistemi i shpërblimit
Ju mund të bini dakort që ta shpërbleni fëmijën kur bën një përmirësim. Shpesh arritja më e madhe është kontrolli i urinimit, por jo i plotë. Një qëllim që mund të caktoni bashkë është që fëmija të shkojë në tualet para se të flerë, të zgjohen dhe t’u tregojnë prindërve që kanë urinuar, t’iu ndihmojnë të rregulloni krevatin, etj. Një shembull tipik i sistemit të shpërblimit është grafiku-yll. Nuk është gjë tjetër veçse një kalendar me kuadrata bosh për çdo ditë . Fëmija vendos nga një yll në çdo kuadrat për çdo natë që nuk urinon. Qëllimi është që fëmija të motivohet për të mos urinuar më.

Fëmija juaj ka nevojë për durim, siguri dhe dashuri

Siç u përmend më sipër, nëse heqja e napave dështon si metodë në moshën tre vjeçare, është më mirë të hiqet dorë prej saj dhe të provohet më vonë. Nuk këshillohen mënyra trajtimi për fëmijët nën 5 vjeç. Provoni herë pas here, pas pak muajsh, deri sa të keni sukses. Edhë nëse fëmija lag në moshën shkollore, ka shumë mundësi që të pushojë së shpejti.

Mos i ndëshkoni fëmijët që urinojnë në mënyrë të pavullnetshme. Nuk është faji i tyre. Përkundrazi, kur bëjnë ndonjë përmirësim duhet që të inkurajohen dhe të lavdërohen. Përpiquni të kuptoni çdo stres sado të vogël të fëmijës si pasojë e shqetësimeve në shtëpi ose në shkollë. Nëse pas një periudhe pa urinim, ai fillon përsëri, kjo mund të lidhet me një stres të fshehur, si për shembull tallja në shkollë.
T’i shpjegosh fëmijës
Nevojitet edhe bashkëpunimi i fëmijës për të mos lagur më. Sapo fëmija është i rritur mjaftueshëm sa për të kuptuar, një shpjegim për këtë çështje është i dobishëm. “Trupi prodhon lëngje gjatë gjithë kohës i cili grumbullohet në fshikëz. Fshikëza është si “tullumbace” që mbledh atë. E hapim tapën e fshikëzës kur ajo mbushet plotë. Fshikëza mbushet natën kur ne flemë gjumë. Kështu, tapa e fshikëzës nuk duhet të flejë kur ne flemë, dhe duhet të na zgjojë kur fshikëza mbushet plot.”

Përgjegjësia e fëmijës
Kur fëmija rritet pak (rreth moshës pesë-gjashtë vjeç), stimulojeni që t’iu ndihmojë të ndërroni çarçafët e lagur. Ju si prind mund ta bëni më shpejtë, por shumë fëmijë fillojnë të reagojnë kur u caktohet ndonjë përgjegjësi. Mund të motivohen që të çohen natën dhe të shkojnë në tualet për të urinuar në mënyrë që të shmangin detyrën për të ndërruar çarçafët. Përpiquni që këtë ta bëni rutinë të domosdoshme sa më pak të zhurmshme të mundur.

Napat
Nëse vendosni që “tani është koha” , atëherë hiqini napat. Ka fëmijë më të mëdhenj që akoma vendosin napa gjatë natës edhe pse përpiqen që të mos urinojnë. Kjo bëhet për të parandaluar lagien e kravatit. Gjithsesi, në fëmijë më të vegjël, nëse heqja e napave nuk funksionon, vendosini ato sërish dhe provoni t’i hiqni përsëri në një periudhë të mëvonshme.

Vetëzgjimi
Sigurohuni që fëmija nuk ka ndonjë frikë të fshehur për t’u ngritur natën nga gjumi. Për shembull, frikë nga errësira ose nga merimangat. Mund të lini dritën e banjës ndezur.

Pijet
Kufizimi i pijeve duket zgjidhja më normale, por nuk korrigjon lagien natën. Fshikëza urinare duhet ‘’të mësohet’’ të grumbullojë dhe të mbajë urinën. Nëse kufizoni pijet gjatë gjithë ditës, fshikëza ‘’nuk do trajnohet’’ për të mbajtur sasi më të mëdha urine. E vetmja zgjidhje është që t’i jepni fëmijës për të pirë vetëm kur ka etje 2-3 orë para gjumit. Mos i limitoni pijet pjesën tjetër të ditës. Fëmijët duhet të pinë 6-8 gota lëngjë në ditë.
Gjithashtu, siç u tha më sipër, kafeina në çaj, kafe, koka-kola dhe çokollatë mund të përkeqësojë lagien natën. Këto duhen shmangur plotësisht, sidomos pak para gjumit.

Zgjimi
Vetë fëmija duhet të mësohet që të zgjohet kur ndjen fshikëzen të mbushur. Shpesh fëmijës nuk i kujtohet që e kanë zgjuar natën për të urinuar, duke mos ndihmuar kështu në kontrollin e fshikëzës së tyre.
Gjithsesi, sigurohuni që fëmija të shkojë në tualet para se të shtrihet për të fjetur. Nëse fëmija zgjohet natën, ju duhet ta inkurajoni për të urinuar.

Konstipacioni (kaps)
Nëse fëmija juaj vuan nga konstipacioni, këshillohuni nga mjeku juaj. Trajtimi për konstipacionin zakonisht mjekon edhe urinimin natën.
Netët jashtë shtëpisë
Shqetësim është kur fëmija shkon të flejë në shtëpinë e një shoku apo shoqeje. Është vërtetë interesant fakti që në këto raste urinimi i pavullnetshëm nuk ndodh. Pra pak ditë larg shtëpisë me një kushëri ose një shok mund të rezultojë pozitivisht. Kjo mund të jetë një eksperiencë shumë inkurajuese për fëmijën.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Doja t'i ngjaja tim eti', Alban Hoxha: Karrierën s'e kam nisur në portë, kam bërë gola

'Doja t'i ngjaja tim eti', Alban Hoxha: Karrierën s'e kam nisur në portë, kam bërë gola