Shkodër-Godina që dikur ishte shkollë 9 vjeçare është shfrytëzuar nga trafikantët për t'u kthyer në një shtëpi bari ku rritej kanabisi me llamba elektrike.
Mësohet se godina në fshatin Dush ishte braktisur prej vitesh, ndërsa brenda ambientit u gjetën 578 fidanë të dyshuar si kanabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të operacionit të koduar 'Godina' u arrestua në flagrancë elektriçisti i zonës, 62 vjeç, ndërsa në hetim janë edhe 3 punonjës të OSHEE-së të zonës.
Ndërkohë ende nuk dihen kush janë pronarët.
Të katërt akuzohen për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
"Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Dush, në një godinë të braktisur prej vitesh (pronë publike) mund të ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Godina”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll.
Gjatë kontrollit në godinën e braktisur, një nga ambientet e kësaj godine ishte përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, ku në brendësi të këtij ambienti janë gjetur 578 fidanë të dyshuara cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike e pajisje të tjera elektrike që shërbenin për realizmin kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 62 vjeç, banues në Laç, elektricisti i zonës, dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit J. D., 41 vjeç, banues në Fushë- Arrëz, I. M., 32 vjeç, banues në Shkodër dhe A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Hajmel, (grup i punës i OSHEE-së që mbulon zonën) për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, informoi sot policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.