Vdekja e Floyd, arrestohen policët e përfshirë! Trump ‘tradhëtohet’ nga të gjithë…Edhe kreu i Pentagonit distancohet nga Presidenti (VIDEO)

Ndërsa në të gjithë SHBA vazhdojnë ende protestat, janë arrestuar të gjithë agjentët e përfshirë në vrasjen e George Floyd, afrikano-amerikanit i cili vdiq në Minneapolis. Ata akuzohen për vrasje me paramendim të gradës së dytë.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump duket i ‘tradhëtuar’ nga të gjithë pas kërcënimit se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë për të vendosur, siç u shpreh ai, rregullin dhe ligjin.

Sot ka reaguar shefi i Pentagonit Mark Esper, i cili u distancua nga deklarata e presidentit teksa tha se qëllimi i tij është ta mbajë departamentin e mbrojtjes "jashtë politikës".

Esper tha se ishte kundër përdorimit nga ana e Trump të Ligjit të Kryengritjes i vitit 1807, ligj i cili lejon që ushtria të përdoret kundër trazirave të brendshme.

Ndërkohë, shqetësimi po rritet edhe mes zyrtarëve amerikanë të inteligjencës. Gail Helt, një ish analist i CIA-s tha se

"Këto lloj kërcënimesh përdoren nga autokratët dhe janë shenjat e para të një shteti që shpejt mund të bjerë”.

Gazeta Uashington Post thotë se ka intervistuar edhe shumë ish zyrtarë të inteligjencës, të cilët gjithashtu janë shprehur shumë të shqetësuar, teksa njëri prej tyre citohet të ketë thënë se skenat me dhunë dhe plumba gome të kujtojnë Botën e Tretë. “Kështu ka vepruar Saddam, Bashar Al Asad dheGaddafi”- tha njëri prej tyre

Edhe Ish presidenti amerikan George W. Bush është distancuar nga Trump. Ai tha se “është koha që Amerika të shikojë dështimet e saj tragjike me afrikano amerikanët dhe racizmin në përgjithësi” dhe se “mënyra e vetme e qetësimit dhe zgjidhjes së situatës së krijuar është “të dëgjojmë zërat e atyre që janë lënduar”.

Jim Mattis, ish-Sekretar i Mbrojtjes në administratën Trump, i cili dha dorëheqjen për të protestuar ndaj tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, akuzoi Presidentin e Shteteve të Bashkuara se po përpiqet të “përçajë” Amerikën.

“Në jetën time, Donald Trumpi është presidenti i parë që nuk përpiqet t’i bashkojë amerikanët, dhe as pretendon ta bëjë një gjë të tillë,” shkroi ai në një deklaratë të botuar në internet,

Ndërkohë duket se Trump është tërhequr nga deklarata për përfshirjen e ushtrisë në protesta.

"Ndoshta" nuk do të jetë e nevojshme të dërgohet ushtrinë për të ndaluar protestat e shkaktuara nga vrasja e George Floyd”, -  tha Trump teksa shtoi se mund të jetë e mjaftueshme vetëm Garda Kombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:32
Vrasja e Floyd - 8 minuta e 46 sekonda, Amerika shtrihet në tokë (FOTO)

Në lëvizjen protestuese kundër vdekjes së George Floyd, një hark kohor u bë një simbol i rëndësishëm: 8 minuta, 46 sekonda, koha kur burri u mbajt në tokë nga gjuri i oficerit të policisë.

Në parkun e Bostonit, përgjatë bulevardeve të Hollivudit, në Atlanta si dhe në Detroit, Washington dhe New York, protestuesit u shtrinë në rrugë për saktësisht 8 minuta e 46 sekonda, një mënyrë e heshtur dhe paqësore për të nderuar Floidin.

Në Houston, të tjerët u gjunjëzuan me kokat e tyre të përkulur dhe ndezur qirinj në duar dhe mbetën të palëvizshëm për të njëjtën periudhë kohe.

Edhe Google u kërkoi punonjësve të saj të qëndronin të heshtur për 8 minutë dhe 46 sekonda.

Ora 15:09
Vrasja e Floyd-SHBA, Washingtoni dhe qytete të tjera zbutin ndalim-qarkullimet

Në Shtetet e Bashkuara, protestuesit mirëpritën vendimin e prokurorëve në shtetin e Minesotës për të ngritur akuza ndaj tre policëve të tjerë në lidhje me vdekjen në arrest policor të George Floydit.

Ndërkaq, kudo në vend kanë vazhduar demonstratat kundër sjelljes së policisë dhe për reforma domethënëse. Mbrëmë, protestat në shumë qytete ishin përsëri paqësore në shumicën e tyre. Në Uashington, disa mijëra njerëz protestuan jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit, dhe marshuan në Bulevardin Pensilvenia, ndërsa trupat e Gardës Kombëtare, policia dhe personeli i disa agjencive federale qëndronin në gatishmëri.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit Muriel Bowser zbuti ndalimqarkullimin, duke e filluar atë në orën 23:00 të mbrëmjes dhe jo në 19:00 siç ishte më parë.

Shefi i policisë së Detroitit tha se oficerët nuk do të pengonin askënd të marshonte paqësisht pasi të fillonte ndalimqarkullimi, ndërsa kryebashkiakja e qytetit Seattle, Jenny Durkan anuloi urdhrin për orën policore që duhej të zgjaste deri të shtunën.

Kryetari i bashkisë së San Franciskos London Breed dhe ai i Los Angelesit Eric Garcetti thanë se do t’i jepnin fund ndalimqarkullimit të enjten.

Garcetti iu përgjigj kërkesave të protestuesve për të shkurtuar buxhetin e departamentit të policisë, duke njoftuar se ai do të përdorë miliona dollarët e kursyer për projekte shëndetësie dhe arsimi në favor të komunitetit afrikano-amerikan. Ai njoftoi gjithashtu reforma në sistemin e policisë së qytetit.

Ora 15:07
Vrasja e Floyd, Presidenti Trump pranon: Isha në bunker gjatë protestave, por për një tjetër arsye...

Presidenti amerikan Donald Trump e ka pranuar të mërkurën se gjatë protestave për vdekjen e George Floyd ka shkuar tek bunkeri nëntokësor në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, Trump sqaroi se nuk kishte qenë në bunker për arsye sigurie, por për të bërë një inspektim të shkurtër.

“Ishte një lajm i rremë. Nuk isha [në bunker], “tha Trump në Fox News Radio.

“Unë zbrita gjatë ditës dhe isha atje për një periudhë të vogël, të shkurtër dhe ishte shumë më tepër për një inspektim, nuk kishte asnjë problem gjatë ditës,” shtoi presidenti.

I pyetur nga gazetari Brian Kilmeade nëse ekipet e sigurisë i kërkuan që të futej në bunker për arsye sigurie, Trump deklaroi: “Jo, ata nuk më thanë fare.”

Kujtojmë këtu se New York Times raportoi se agjentët e Shërbimit Sekret e dërguan Trump-in drejt bunkerit, i njohur gjithashtu si Qendra e Operacioneve të Urgjencës Presidenciale, të premten në mbrëmje ndërsa protestat jashtë Shtëpisë së Bardhë përshkallëzoheshin.

Një zyrtar i lartë i administratës i tha NBC News të dielën se Trump ishte në bunker për një “periudhë shumë të shkurtër për siguri. Presidenti u kthye në rezidencën e tij në Shtëpinë e Bardhë brenda një ore, shtoi  zyrtari.

Ora 13:18
Vrasja e Floyd-Gjesti i pazakontë mbi urë i mijëra protestuesve në SHBA që po thyen rrjetin (VIDEO)

Teksa Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar  me dërgimin e ushtrisë për të shpërndarë protestuesit që po plaçkitin dhe po thyejnë nëpër rrugët e qyteteve amerikane, duke refuzuar të drejtën për protesta paqësore, demonstruesit në Portland të Oregonit kanë treguar se nuk janë pro dhunës dhe se mbështesin protestat paqësore.

Skena e pazakonta e mijëra qytetarëve që qëndrojnë të shtrirë mbi urën Burnside në qendër të qytetit janë filmuar nga ajri dhe pamjet po bëjnë xhiron e botës.

Ata shihen të shtrirë në rrugë me duart pas shpinës, duke simuluar kështu pozitën në të cilën është gjendur George Floyd derisa polici Derek Chauvin po ia mbante gjurin mbi qafë.

Pamjet nga ajri tregojnë urën qindra metra të gjatë të mbushur me trupat e demonstruesve, që në mënyrë paqësore kanë dërguar një mesazh ndryshe nga ato që i kemi parë këto ditë nëpër rrugët e qyteteve amerikane.

Ora 10:26
Vdiq pasi polici e shtypi me gju, autopsia tregon se George Floyd ishte me koronavirus

George Floyd, vdekja e të cilit po shkakton një ortek protestash për keqtrajtimin e njerëzve me ngjyrë nga policia, testoi pozitiv për koronavirus. Infektimi i tij me Covid-19 është konfirmuar nga raporti i autopsisë lëshuar të mërkurën.

Dokumenti 20-faqesh i lëshuar nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut Hennepin thotë se një test i Floyd i bërë më 3 prill ka treguar se ishte i infektuar me koronavirus.

Anti-trupat në ARN mund të mbetet në trupin e dikujt për javë të tëra pasi sëmundja është zhdukur, thotë autopsia, një test i dytë pozitiv pas vdekjes së tij siguroi mjekët të thonin që Floyd, 46 vjeç, ishte asimptomatik nga infeksion edhe kur vdiq më 25 maj.

Tashmë oficeri i cili ushtroi trysni në qafën e George Floyd në Minneapolis, Derek Chauvin, përballet me vrasje të shkallës së dytë dhe akuza të tjera.

Ora 10:04
Vrasja e Floyd - 90 arrestime gjatë natës në New York...Blindohet me 2000 trupa të Gardës Shtëpia e Bardhë

Të paktën 90 persona u arrestuan sonte në New York gjatë protesta për vdekjen e George Floyd teksa gjatë ditës së djeshme u ndaluan rreth 290 protestues.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë është e blinduar nga policia ushtarake dhe agjensitë e zbatimit të ligjit si dhe nga agjenci të ndryshme federale pasi mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytet për të protestuar për vdekjen e George Floyd.

Një autoritet i Pentagonit raportoi se Pallati Presidencial është rrethuar nga të pakën 2200 trupa të Gardës Kombëtare.

Akuza të reja ndaj policëve për vrasjen e George Floyd

Padi të reja kundër të gjithë oficerëve policorë të shkarkuar, për vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd në Mineapolis.

Akuza kundër ish-policit, Derek Chauvin, është ngritur në vrasje të shkallës së dytë nga ajo e tretë sa ka qenë fillimisht, ka njoftuar Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison.

Vrasja e shkallës së dytë mund të ndëshkohet me burgim deri në 40 vjet.

Tre oficerët e tjerë, Tou Thao, Thomas Lane dhe J Alexander Kueng përballen me akuza për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje.

Vdekja e Floydit ka nxitur protesta të mëdha në gjithë Shtetet e Bashkuara kundër racizmit.

Protestat janë duke bërë thirrje edhe kundër vrasjes së amerikanëve me ngjyrë nga ana e oficerëve të bardhë policorë.

Shumica e protestave, që po zhvillohen për tetë net me radhë, kanë qenë të qeta, ndonëse në disa raste ka shpërthyer dhuna, ç’ka ka rezultuar me vënie të kufizimeve në lëvizje në disa qytete amerikane.

Vrasjet e shkallës së parë dhe asaj të dytë, me ligjin e Minesotas, kërkojnë prova se i pandehuri ka pasur qëllim vrasjen.

Vrasja e shkallës së tretë nuk kërkon prova se i pandehuri ka pasur qëllim që viktima të vdesë, mirëpo vetëm të vërtetojë se veprimet e tij kanë qenë të rrezikshme dhe se janë kryer pa marrë parasysh jetën e njeriut.

Ora 09:44
Vrasja e Floyd-Në Greqi përleshje midis demonstruesve dhe policisë (FOTO)

Një përleshje ka shpërthyer midis policisë dhe demonstruesve në një protestë të mbajtur në Athinë, kryeqytetin e Greqisë, kundër vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Minnesota të SHBA-së si pasojë e dhunës policore, raporton Anadolu Agency.

Me thirrje të grupeve të ndryshme të majta, rreth 3.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sintagma, ku gjendet edhe ndërtesa e parlamentit, duke marshuar drejt Ambasadës së SHBA-së në Athinë dhe duke thirrur parulla antiamerikane dhe kundër dhunës policore.

Në fund të protestës, ku u shfaqën edhe pankarta me mbishkrime si “Poshtë Amerika” dhe “Amerikë, je e padëshiruar në Greqi”, disa grupe me maska sulmuan me koktej molotovi dhe gurë ekipet e intervenimit të shpejtë të cilët kishin marrë masa të rrepta të sigurisë para ambasadës.

Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe granata shtanguese ndaj protestuesve. Shtatë protestues janë arrestuar gjatë incidenteve.

Afro-amerikani Goerge Floyd humbi jetën nga asfiksimi javën e kaluar pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë për disa minuta gjatë arrestimit, përkundër përgjërimeve dhe fjalëve të tij të fundit “Nuk mund të marrë frymë”, që u bënë slogan i protestave mbarkombëtare.

Ora 09:11
Vrasja e Floyd, ish presidenti Obama: Optimist se Amerika do të bëhet me e mirë

Ish-Presidenti Barack Obama tha se ai është optimist se Amerika “do të bëhet më e mirë” sepse të rinjtë janë të përfshirë në trajtimin e çështjeve që kanë çuar në organizimin e protestave në rrugë.

Obama mori pjesë në një tubim virtual në internet të organizuar nga organizata My Brother’s Keeper Alliance, që ai themeloi në vitin 2014 për të trajtuar çështjet që prekin të rinjtë afrikano-amerikanë.

Ish presidenti Obama nuk përmendi askënd me emër, përfshirë Presidentin Donald Trump, të Mërkurën. Por ai tha se ishte koha për të nxjerrë në pah problemet dhe për “t’i vendosur njerëzit në pushtet në një pozitë të pakëndshme”. “Ndjehuni me shpresë edhe pse ndiheni të zemëruar … ndryshimi po vjen … llojet epike të ndryshimit … në vendin tonë që do të jenë po aq të rëndësishme sa ato që kam parë në jetën time.”

Ai tha se dëshironte që ata që ndjehen të shënjestruar nga policia dhe të tjerët për shkak të racës së tyre se jeta dhe endrrat e tyre janë të rëndësishme. Obama tha se ata duhet të jenë në gjendje të ecin në rrugë, dyqane, madje edhe të shikojnë me endje zogjt në një park pa u shqetësuar fare. Shembulli i fundit i referohej thirrjes së policisë nga një grua e bardhë pasi një afrikano-amerikan i tha asaj që të lidhte qenin në Parkun Qëndror të Nju Jorkut.

Obama vuri në dukje se njerëzit që punojnë në forcat e zbatimit të ligjit kanë një punë të vështirë, dhe se shumë prej tyre janë të zemëruar nga keqtrajtimet e kryera nga disa prej kolegëve të tyre të policisë. Ai tha se shumica e policisë janë në detyrë për të mbrojtur njerëzit, për të shërbyer dhe janë një “pjesë thelbësore” e debatit.

Ai gjithashtu u tha të rinjve se ndryshimi duhet të vijë përmes votimit dhe mosbindjes civile, jo vetëm protestave në rrugë. Një tjetër ish-president gjithashtu foli për trazirat aktuale për herë të parë të mërkurën. Jimmy Carter gjithashtu nuk pranoi të thërriste me emër Presidentin Trump ose dikë tjetër kur lëshoi një deklaratë në të cilën thoshte se “Ne kemi nevojë për një qeveri aq të mirë sa njerëzit e saj, dhe ne jemi më të mirë se kjo”. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 04/06/2020 14:35

    Kur thone dhe per Ameriken qe eshte vendi i demokracise te vret polici si zog dhe nuk mban pergjegjesi quhet diktature dhe ashtu eshte ai vend legen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali

Shqiptari dhunon gruan dhe djalin e mitur në Itali