Humb betejën me COVID aktori i njohur Guljelm Radoja! Përlotet miku i tij, Tafaj: Ka kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografi, kam pasur lidhje të ngushtë me të

TIRANË- COVID-19 ka marrë një tjetër jetë në radhët e artistëve në vend. Aktori Guljelm Radoja nuk ia doli që të fitonte betejën me koronavirusin ku sot mbylli sytë përgjithmonë. Prej gati një muaj ai ishte infektuar me COVID, ku gjendja e tij u përkeqësua për pasojë ditën e djeshme u shtrua te spitali 'Shefqet Ndroqi', por nuk ka mundur ta luftojë këtë virus të pabesë.

Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Red Radoja, teksa shkruan edhe disa fjalë të ndjera për babanë e tij që nuk jeton më.

"Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël", shkruan ai.

Kolegët e tij bën apel për ta dërguar për kurim jashtë shtetit, por gjendja e tij shëndetësore nuk ia lejonte. Radoja "do të bashkohet" me artistët e tjerë që COVID-i i mori jetën si Muharrem Fejzo, Arben Bajo, Koço Devole apo edhe Kujtim Prodani.

Kush ishte Guljelm Radoja? Artisti Guljelm Radoja (1945, Shkodër) ka luajtur në të gjitha skenat teatrore në  vend. Në kinematografi është angazhuar në shumë rreth 30 role, ku ndër më të rëndësishmit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi "Kush vdes në këmbë" apo edhe te , "Gjurma", "Mësonjëtorja”, "Kthimi i ushtrisë së vdekur", "Kolonel Bunker" etj. Ai ishte  nderuar me titullin "Artist i Merituar".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
Ndarja nga jeta e aktori Guljejm Radoja, reagon Basha: Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare

1591096256_basha.jpg

Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur Guljelm Radoja, i cili ndërroi jetë nga COVID, mëngjesin e sotëm. Basha i ka shprehur ngushëllime familjes së aktorit, dhe shton se largimi nga jeta i artistit të madh shqiptar është humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

‘Me hidhërim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh Guljelm Radoja. Largimi nga jeta i artistit të madh shqiptar është humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

Guljelm Radoja e humbi betejën e parë të jetës së tij por la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore dhe artistike, ishte një frymëzim për qindra të rinj e qytetarë që donin dhe duan lirinë, të drejtën e dinjitetin.

Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen e tij, miqtë dhe të afërmit. Guljelm Radoja do të mbetet përjetë mes nesh. U prehtë në paqe!’- shkruan Basha.

Ora 14:10
Ndarja nga jeta e Guljelm Radojës, përlotet aktori Xhelal Tafaj: Ka kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografi! Kam pasur lidhje të ngushtë me të (VIDEO)

Aktori Xhelal Tafaj është përlotur duke folur për aktorin Guljelm Radoja i cili është ndarë nga jeta pasi nuk ia doli që të fitonte betejën me koronavirusin.

Duke thënë se Radoja njihet për një karrierë e një kontribut të pazëvendësueshëm në kinematografi, këtu nënvizoi marrëdhënien e ngushtë që kanë pasur me njëri tjetrin.

“Vetë fakti që kemi një jetë që njihemi me njëri tjetrin unë e kam njohur kur kam ardhur në tetër në vitin 1976. E  kam kosideruar fat që kam pasur të bëj me një trupë aktorësh me ata të vjetrit edhe këto që ishin të rinj në atë kohë.

Kam pasur fatin gjithashtu që kam qenë dublant në 2 apo 3 role po në shfaqje madhore roli kryesore të konsiderueshëm dhe nëkuptohet që unë si më i ri jo pak kam përfituar kam marrë nga ai përveç anës profesionale. Ai njihet dhe është folur goxha që ka një karrierë një kontribut të pazëvendësueshëm qoftë në teatër në kinematografi ku janë të panumërta rolet ka mbi 30 e ca role në kinematografi dhe në këto role pikante që kanë mbetur në kujtesë mjafton të përmendësh filmin mësonjëtorja.

Jan role që mbeten në kujtesë të realizuar mjeshtërisht, është një humbje e madhe për artin për familjen nuk bëhet fjalë por edhe për ne si kolegë, sidomos unë që kam pasur një marrëdhënie të ngushtë me të. Jo rrallë herë së bashku me mond Agollin organizonim ndonjë gjë të vogël për të mbajtur gjallë atë frymën e miqësisë të dashurisë qoftë dhe në kujtesën tonë duke ruajtur ato vite që kaluam së bashku”, tha ai.

 

Ora 12:18
Guljelm Radoja humbi jetën nga COVID-19, Meta: Ikonë e kinematografisë shqiptare, la gjurmë në trashëgimin tonë artistike, lamtumirë miku ynë

Presidenti Ilir Meta ka dhënë mesazhin e tij për ndarja nga jeta të aktorit Guljelm Radoja, pas luftës së tij me COVID-19.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta shkruan se mori lajmin e ndarjes nga jeta të artistit me pikëllim të madh.

Ai shkruan se me veprën e tij la gjurmë të përhershme në trashëgimin tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve.

“Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada.”, shkruan presidenti në postimin e tij.

“Lamtumirë miku ynë i dashur”, shkruan Meta në fund.

Ora 11:26
Ruçi mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të artistit Radoja: Shqipëria humbi një artist ë shquar

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit Gulielm Radoja. Ruçi shkruan se familja e tij humbi njeriun e dashur dhe Shqipëria një artist të shquar.

“Me trishtim mora lajmin mbi ndarjen nga jeta të artistit Gulielm Radoja. Aktori i mirënjohur dhe njeriu i mirë Radoja nuk e humbi betejën me sëmundjen. Familja humbi njeriun e dashur dhe Shqipëria një artist të shquar. Por emri, vepra dhe rolet e tij nuk do të humbasin asnjëherë nga kujtesa e shqiptarëve.  Do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të spikatur si aktor dhe regjisor pranë Teatrit "Bylis" të Fierit dhe si aktor në Teatrin "Aleksandër Mojsiu" të Durrësit, si edhe për mbi tridhjetë rolet në filmat shqiptarë nga më të dashurit për publikun.”, shkruan Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Ora 10:57
Humbi betejën me COVID-19, Rama mesazh ngushëllimi për aktorin Guljelm Radoja: Lamtumirë i dashur mik

1620205181_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama i jep lamtumirën e fundit mikut tij, aktorit Guljelm Radoja, i cili mëngjesin e sotëm humbi betejën me COVID-19.

“Lamtumirë i dashur mik”, shkruan Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, duke e shoqëruar edhe me një foto të artistit.

B.K./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 06/05/2021 02:28

    I NDIFTE SHPIRTI NE PARAJSE TE MADHIT GULJELM RADOJA !

    Përgjigju
    • Andi: 13/02/2022 04:53

      Çpo ndodh kështu me ne, po na shemben idhujt një e nga një, o zot i madh më me ngadal, mbaje dorën për këta. Janë tik - taku i zëmrave tona.

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale