Veliaj inspekton Pistën Olimpike të Atletikës në Parkun e Liqenit: Mbajtëm premtimin që i bëmë Luiza Gegës, një investim fantastik për sportistët e rinj

Pista Olimpike e vrapit dhe kërcimit është drejt përfundimit të punimeve për të pritur sportistët profesionistë në mes të Parkut të Liqenit të Tiranës. Pista me 6 korsi është realizuar sipas standardeve të atletikës dhe është në pritje të certifikimit për t’u përdorur edhe si hapësirë për aktivitete ndërkombëtare. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet në Pistën Olimpike, u shpreh se Tirana po bën çdo përpjekje që edhe vitin e ardhshëm të jetë kryeqytet i Europës, këtë herë për Sportin, dhe se investime të tilla janë një pajë e vyer për evente që afrojnë të rinjtë me sportin dhe gjithashtu i shërbejnë edhe ekonomisë në kryeqytet. Po ashtu, ai kujtoi se kjo pistë është dhe një premtim i dhënë një prej kampioneve shqiptare si Luiza Gega. 

“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën, jo vetëm për faktin se jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë, por edhe sepse u munduam që, përveç aktiviteteve rinore, të kemi edhe disa investime që do ngelen edhe kur të mbarojë ky titull. Kjo hapësirë është një prej këtyre investimeve që do ngelen edhe kur të mbarojë viti kalendarik i kryeqytetit të Rinisë. Një premtim që ia kam bërë publikisht Luiza Gegës. Tani më vjen mirë që jemi te Pista e Atletikës dhe ajo është duke u përgatitur për Kampionatin Europian të Atletikës në Mynih, ku shpresojmë që të dalë faqebardhë. Gjykoj që kemi bërë një investim fantastik,” tha ai. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk la pa përmendur baltën e politikës që, sipas tij, si kudo, edhe në këtë investim, nuk i ka kursyer shpifjet. “Unë e di që në Tiranë nuk bëhen gjërat kollaj, politika është shumë toksike, të gjithë politikanët, ish-kryeministra, ish-presidentë, duan të bëhen të gjithë brigadierë komunale. Nuk u bë as gradaçelë, nuk u bë asnjë shkulje pemësh. Është ndoshta rasti i dytë, përveç pistës së Nike në Seattle, ku praktikisht natyra gërshetohet me atletikën,” u shpreh Veliaj. 

Kryebashkiaku nënvizoi se me këto investime, por edhe me mbështetjen që i bëhet sportistëve sot në vendin tonë, janë të gjitha kushtet për të krijuar edhe kampionë të rinj të cilët do ndjekin rrugën e suksesit të Izmirit dhe Luizës.

“Ne kemi Izmirin dhe Luizën si etalonët e arritjeve tona në atletikë, por në fakt na duhet të fillojmë që tani përgatitjet me brezin e ri. Na duhet që në dallim nga ata që u rritën në kushte spartane, pa shpërblime dhe pa infrastrukturë, sot që shpërblimet janë bërë automatike për medaljet, na kanë ikur të gjithë alibitë pse nuk japim dot maksimumin. Duhet vetëm përkushtim dhe disiplinë, një gjë që secili e ka individualisht, pra trajneri dhe sportisti. Pjesa tjetër është zgjidhur nga shteti, si nga qeveria, si nga Bashkia,” përfundoi Veliaj. 

Në këtë pistë atletët mund të ushtrojnë disiplina të ndryshme të sportit të atletikës si 100 metra, kërcim së gjati, distancat e mesme, distancat e gjata, vrapim me pengesa, stafetat etj,.

A.M./LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Riku: 15/08/2022 15:24

    Inaguro dhe gradacelat normalisht me leje te kastratit aty ngjitur... po mire mo kur prishni hapsira publike disa vjecare sic eshte liqeni per te cilin si te gjithe kryetaret paraardhes nuk keni asnje kontribut (ndertuar ne diktatire)... a mendon se duhet pyetur qytetari... apo premto ne fushate pishine olimpike te diga e ne realitet nderto kastrati te liqeni apo dhe bashkia... funderrina

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë, shkoi në vendngjarje për një aksident, mjeti përplas efektivin

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë, shkoi në vendngjarje për një aksident, mjeti përplas efektivin