Veliaj: Ndalimi i betoniereve ka dhënë rezultate në uljen e trafikut, vendimi është i drejtë

Veliaj: Ndalimi i betoniereve ka dhënë rezultate në uljen e trafikut, vendimi është i drejtë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur edhe njëherë Shoqatës së Ndërtuesve në lidhje me vendimin për kufizimin e lëvizjes së betoniereve gjatë ditës brenda Unazës së kryeqytetit. Gjatë një takimi me trupën e Policisë Bashkiake, Veliaj u ka kërkuar atyre të ndërpresin ofensivën në media, pasi nuk do të tërhiqet nga ky vendim, i cili ka nisur të japë efektet e para.

“Unë kam marrë vendime të vështira edhe më përpara. Edhe dhënia e lejeve të ndërtimit është një vendim i vështirë. Për sa kohë kemi treguar mirëkuptim dhe bashkëpunim me industrinë e ndërtimit, ju kërkoj edhe atyre ta ndalojnë këtë ofensivë nëpër media. Unë e di që shumica prej tyre punojnë në ndërtim, por kanë edhe mediat e tyre. E di që shumica prej tyre paguajnë edhe portalet, i gjuajnë kryetarit të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake. Por, po ju them se nuk do të tërhiqem nga ky vendim. Mund të vazhdojnë të çojnë nëpër portale, të vënë gjoba, të bëjnë lajme sikur njerëzit po shqetësohen nga betonieret natën, por këto janë pa sens. Këtë e bën gjithë bota e civilizuar. Ditën fëmijët dhe njerëzit do të shkojnë në punë dhe shkollë, natën kamionët dhe betonieret do të vazhdojnë punën e tyre,” u shpreh Veliaj. 

“Trafiku, - tha Veliaj, - nga të gjitha raportimet, matjet me kamera, apo matjet në semafor, sot ka rënë ndjeshëm me çfarë ishte në dhjetor, nëntor apo tetor. Për sa kohë që kjo politikë dhe ky vendim i vështirë dha një rezultat pozitiv, ne do ta mbajmë këtë vendim për hir të shumicës që janë familje të thjeshta, njerëz që duan të shkojnë në punë dhe që duan të shkojnë në shkollë çdo ditë në orën 08:00”. 

Kryebashkiaku u ka bërë thirrje edhe gjyqtarëve që të mos bëhen palë me ndërtuesit në këtë çështje.

“Dëgjova dje që Shoqata e Ndërtuesve do të shkonte prapë në Gjykatë. Duhet të jetë i mallkuar ai gjyqtar që jep vendime kundër interesit të qytetit të tij. Duhet të jetë një turp dhe kemi parë turpe të tilla. Ne vendosim kangjella aty ku ka pasur aksidente dhe del një gjyqtar jep vendim që të hiqen kangjellat për një lavazh, apo gomisteri pa leje, a thua se larja e makinave dhe gomat janë më të shtrenjta se jeta e njeriut! Këto vendime nuk janë për kangjellat e shtëpisë time. Çdo gjyqtar duhet ta dijë që kur merret një vendim i tillë studiohet nga Policia e Shtetit, nga Policia Rrugore, nga Policia Bashkiake, si një vendburim aksidentesh. Ndaj, thirrja për të gjithë gjyqtarët, teksa studiojnë ankesat e oligarkëve dhe të gjithë atyre që merren me betoniere në ndërtim, duhet të ndajnë mendjen: Janë me popullin, që është shumica, apo me një pakicë të vogël, që po e respektojmë të bëjë biznes?”, tha Veliaj. 

“Do i bëja thirrje çdo gjyqtari ta mendojë mirë kur jep një vendim për të qarkulluar një betoniere, apo kamionët, në kundërshtim me masat që ka marrë Bashkia e Tiranës! Ta mendojë mirë kur heq barriera, kur heq kufizimet dhe kangjellat rrugore, që janë aty për të mbrojtur njerëzit nga makinat! Gjyqtarët do të duhet të respektojnë vullnetin e popullit, jo vetëm se jemi në vitin e rinisë, se nuk e bëjmë vetëm për këtë, por se realisht duhet të sillemi si një qytet europian, ku secili respekton hapësirën e vet,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:10
Veliaj thirrje të rinjve që t'i bashkohen Policisë Bashkiake: Do të shtojmë numrin e përgjithshëm të efektivëve! Adresojmë çështjen e pagave dhe të orëve shtesë

Bashkia e Tiranës, në kuadër të “Kryeqytetit Evropian të Rinisë”, do të hapë thirrjet për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të bëhen pjesë e Policisë Bashkiake. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me strukturat e Policisë Bashkiake, ku deklaroi se një nga vendimet e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të jetë shtimi me 100 djem dhe vajza i numrit të përgjithshëm të efektivëve.

“Duam që ta rrisim skuadrën e Policisë Bashkiake, të kësaj familje që bën një nga punët më të vështira në këtë qytet, me 100 djem dhe vajza të rinj. Duam ta ofrojmë shërbimin njësoj, si në Ndroq, ashtu edhe në Linzë, si në Kashar ashtu edhe në km 29 të Krrabës, ku ndahemi me Elbasanin. Po mbi të gjitha, për fluksin e shtuar të të huajve, delegacioneve, miqve të Shqipërisë dhe të Tiranës, që do të vijnë për rastin e madh ku ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se një nga detyrat e policisë Bashkiake gjatë këtij viti do të jetë dhe mbarëvajtja e aktiviteteve që do të organizohen.

“Nuk mjafton vetëm që të jenë të sjellshëm, që është shumë e rëndësishme, nuk mjafton që të jenë vetëm të vendosur dhe të rreptë, por duhet të dinë edhe anglisht, të dinë të orientojnë një turist të huaj, të ndihmojnë dikë që mund të jetë i huaj dhe ka nevojë për ndihmë mjekësore”, tha Veliaj.

J.GJ.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Anonim: 12/01/2022 16:28

    Pak nga vendimet e drejta te bashkise por presioni eshte I madh nga grossistët Mendoni te beni naj park per vogelushet

    Përgjigju
  • www: 12/01/2022 15:23

    Ne asnje vend te europes nuk kalojne makina te tonazhit te rende neper qytete dhe furgonat e furnizimit nuk lejohen diten.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Përfitoi nga amnistia penale, Sokol Sinomati i njohur si ‘Buzëderri’ arrestohet sërish nga policia

Vlorë/ Përfitoi nga amnistia penale, Sokol Sinomati i njohur si ‘Buzëderri’ arrestohet sërish nga policia