Veliaj: PS ka ngritur një koalicion përtej krahinës, LSI merr vota të majta dhe i çon në prehrin e Saliut

Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal sot në Njësinë 4, ku u takua me familje të ardhura ndër vite në këtë zonë, kryesisht nga Skrapari. Veliaj u shpreh se është e turpshme se si ende sot abuzohet me prejardhjen e qytetarëve të Tiranës, duke e kthyer këtë edhe në një argument për të kërkuar votën.

“Më është dukur turp i madh kur dikush, për çështje politike, abuzon me prejardhjen e një komuniteti. Prej kohësh thuhej se kush është nga Skrapari, është me Ilir Metën. Po pse? Unë besoj se kush është nga Skrapari, apo Berati, Gjirokastra, Shkodra, apo tropoja, është me të mirën, me të drejtën, me punën, është me familjen e tij dhe do më të mirën për kombin e tij, është patriot, por nuk është i lidhur me një person sepse nuk ka rëndësi nëse kemi lindur në Shkodër apo Skrapar. E mira e Tiranës është bashkimi i qytetarëve, si një mozaik i bukur i atyre që vijnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, për të krijuar një komunitet këtu”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se LSI hiqet si parti e majtë, por në fund votat i çon në prehrin e Saliut.

“Nëse partia jote nuk punon, nëse partia jote ikën nga Parlamenti, nëse partia jote, siç ka bërë LSI, ikën nga Bashkia, nga këshillat bashkiakë, nëse partia jote merr vota të majta dhe ia çon Saliut në prehër - pra kandidojnë si të majtë e më pas shkojnë e bëjnë duvanë e Saliut - pse? Kjo është një parti që hiqet si e majtë dhe shkon e bën lojën e Saliut, shkon e çon vota në prehrin e Saliut dhe gënjen qytetarët me një logo të shpërfytyruar të së majtës për të sjellë Saliun në pushtet”, deklaroi Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, edhe vetë qytetarët e kanë kuptuar fyerjen që po u bëhet dhe e kanë braktisur masivisht LSI, që sot promovon gjyqtarët e prokurorët më të korruptuar. 

“Kur dikush mban peng një komunitet të tërë dhe thotë se Skrapari është i kësaj partie, është fyerje e madhe sepse i trajton njerëzit si pronë. LSI-ja është një sh.p.k. familjare që nuk po promovon patriotët, por promovon më të korruptuarit, ka marrë listën e atyre që hoqi vettingu, Gjin Gjonin e Tit Fushën, dhe përfaqësohet nga këta njerëz. Le të jesh nga Skrapari, ti nuk mund të na thuash që llumi shkon lart dhe ajka shkon poshtë, ndaj në momentin që dikush thotë jam nga Skrapari, më votoni, dhe vjen me listën e llumit, unë them se duhet të marrë një refuzim nga të gjithë qytetarët. Unë them se sot duhet të bëjmë një koalicion përtej krahinës, skraparllinj, shkodranë, tepelenas, gjirokastritë, tropojanë, kuksianë, të gjithë bashkë dhe të themi: Ne duam që gjërat të ecin përpara,” u shpreh ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:07
Veliaj me familjet e vjetra dibrane: Rritëm pensionet dhe dyfishuam ndihmën ekonomike

Gjatë një takimi me familjet dibrane në Njësinë 4, një ndër komunitetet më të vjetra të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se sa herë Partia Socialiste ka qenë në drejtim të vendit, ka përmirësuar jetën e qytetarëve në çdo “stacion”.

“Më bën krenar fakti se në çdo segment të jetës se njeriut, kemi vënë dorë dhe bërë mirë, duke filluar nga çeku i bebes, që e merr sapo lind në maternitet, tek çerdhet, kopshtet, shkollat, e me radhë. Sot në Njësinë 4 fëmijët dalin me dhjeta në shkollën “Ardian Klosi”, te “Bregu i Lumit”, ku mësojnë edhe gjermanisht; për universitetet, i kemi harruar “Kristalin” dhe “Vitrinën”, por sot jo vetëm nuk ka më shaptilograf diplomash, por u çliruan konviktet e pushtuara dhe po bëhen konviktet e reja të UBT dhe te Fakulteti i Mjekësisë, ndryshimi si dita me natën; japim 1000 kredi të buta çdo vit për çiftet e reja; është rritur vlera e pronës me 11%. Pra, nuk ka stacion të jetës ku nuk kemi qenë prezentë, duke e përmirësuar jetën,” u shpreh Veliaj. Ai shtoi edhe faktin e rritjes së pensioneve, si dhe heqjen e tavanit diskriminues 240 mijë lekë.

Veliaj tha se edhe për më të pamundurit skemat sociale ofrojnë sot mundësi të pafundme dhe jo lëmosha siç jepeshin më pare, nga ata që sot kanë humbur lidhjen me realitetin.

“Për të gjithë ata që nuk kanë punuar asnjë ditë, ka një pension social, i cili nuk ekzistonte më parë. Ndihma ekonomike është dyfishuar. Në Tiranë qindra njerëz flinin rrugëve. Sot ka një mensë sociale, një strehë, ku po ra bore, ke ku strehohesh. PD-LSI nuk kanë lidhje me realitetin, nuk e dinë sa janë çmimet. Iu thonë lokaleve “do ua bëjmë taksën 0.5%”, ndërkohë taksa është 0. “Bujqësinë do ta bëjmë lule, - tha, - 100 milion në vit”. Ne japim 140 milionë në vit. Pyetja është: - A do bëjmë eksperimente, apo duhet të ecim përpara?”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun ftoi dibranët e ardhur në kryeqytet për një koalicion që kapërcen çdo kufi krahine, si përgjigjen e duhur ndaj atyre që dinë vetëm të përçajnë dhe të fyejnë inteligjencën e njerëzve të zakonshëm me programin dhe kandidaturat që ofrojnë.

E.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 25/02/2021 17:17

    LSI lesh e dhi... ne te.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve