Vepra e ndaluar në komunizëm, “Dekameroni” i Bokaços, për herë të parë e pacensuruar në shqip!

Një ndër veprat më të rëndësishme të babait të prozës italiane gjatë shekullit XIV sheh për herë të parë dritën e botimit në gjuhën shqipe e plotë. I ndaluar gjatë regjimit komunist, “Dekameroni” i Giovanni Bokaços, vjen i pacensuruar nën përkthimin autentik të Ali Harshovës. Botuesja Irena Toçi rrëfen bashkëpunimin me të birin e Harshovës, publicistin Ilir Harshova, para se ky i fundit të ndahej nga jeta për shkak të COVID 19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Ky është një libër i madh i letërsisë botërore, edhe me shumë ndikim në letërsinë italiane pas shek XIV. Për herë të parë vepra e Bokaços botohet e plotë, i kontrolluar nga i biri i përkthyesit publicisti Ilir Harshova, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë për shkak të COVID në SHBA. Ai u kujdes për stabilizimin e tekstit, pa çfarë mungonte, krahasoi botimin e para viteve ‘90 në emrin e të atit edhe u përpoq që të mbushte boshllëqet. Prandaj unë sot mendoj se puna e Ali Harshovës është një punë e jashtëzakonshme, që vetëm njerëz me kulturë edhe formim të gjerë, si ai mund të kishin bërë”, rrëfen botuesja Irena Toçi.

 “Dekameroni” botohet në këtë periudhë pandemie për lexuesit, si një paralele me murtajën e zezë, që ra në Firence në vitin 1348, ku dhjetë të rinj u larguan nga qyteti për shkak të situatës së rëndë.

“Ata janë dhjetë të rinj, që mundohen që t’i shpëtojnë vdekjes. Vetizolohen në një pronë jashtë Firences edhe vendosin rregullat e lojës, se si do të kalojnë këtë periudhë vetëkarantinimi në këtë pronë. Janë shtatë vajza edhe tre djem, që sjellin  rrëfenjat që do t’u zbukurojnë ditët e tyre”, shprehet Toçi.

Përmes rrëfimeve të kësaj vepre, çdo lexues mund të nxjerrë mësime për jetën që jetojmë sot.

“Bëhet fjalë për një periudhë izolimi, edhe kur Italia po rilindte, kur njerëzit e asaj kohe po mundoheshin të dilnin prej obs kuraturizmit të kohës, duke respektuar besimin e tyre, por dhe duke parë tek jeta anët pozitive të saj. Dashuria edhe erotizmi janë gjërat thelbësore, që njeriun e bëjnë të trashëgohet në këtë rruzull. Mendoj se kjo vepër ka shumë ndikim në këtë”, thotë Toçi.

Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio) është bashkëkohës i Françesko Petrarkës dhe Dante Aligierit.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë