Vettingu shkarkon prokurorin Besnik Cani, KLP mbetet me 10 anëtarë (VIDEO)

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të shkarkojë prokurorin Besnik Canin, duke bërë që me largimin e tij Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mbetet me 10 anëtarë. KPA në arsyetimin e këtij vendimi, thekson se prokurori Cani nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë. 

Fillimisht Prokurori, Besnik Cani u konfirmuar në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë megjithëse kishte probleme me pasurinë. 

Por vendimi i KPK për Besnik Canin u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe pas tyre edhe nga Komisioneri Publik të cilët kritikuan vendimin  e konfirmimit në detyrë të tij, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë, aftësitë profesionale dhe shkeljen e etikës. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte “kontradiktor dhe jo-bindës” dhe se ishte marrë në interpretim të gabuar të ligjit.

Një gjë e tillë është kundërshtuar nga Cani, i cili në një seancë të mëparshme tha se nuk po trajtohet njësoj me anëtarët e tjerë të KLP e duke e cilësuar si të padrejtë largimin nga drejtësia pas 26 viteve kontribut.

"Për shumën prej 6 mijë euro kam dokument që janë marrë nga baxhanaku. Kam 26 vite eksperiencë në organet e drejtësisë. Një pjesë e pasurisë si tokë, automjet dhe garazh janë përfituar nga kredi e cila vazhdon akoma të shlyhet. Gjykimi ndaj meje nuk po kryehet i barabartë ashtu si më anëtarët e tjerë të KLP. Kerkoj respektim të të njëjtave të drejta si anëtarëve të tjerë. Nuk është i drejtë largimi im nga radhët e drejtësisë pasi kam 26 vite që kontribuoj, pasi kemi luftuar çdo ditë më krimin e organizuar", mësohet të ketë thënë Cani.

Megjithatë, pas verifikimeve KPA vendosi shkarkimin e tij.

Besnik Cani

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë