DËMET - SHIFRAT/ I vihet shiriti i kuq Spitalit të Laçit, 460 objekte për t'u shembur në qarkun e Durrësit

DËMET - SHIFRAT/ I vihet shiriti i kuq Spitalit të Laçit, 460 objekte për t'u shembur në qarkun e Durrësit

Vijojnë inspektimet në terren nga inxhinierë dhe ekspertë vendas e të huaj, për të evidentuar dëmet në godina pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Ekipet e ekspertëve vlerësojnë nëse godinat kanë dëme të riparueshme apo nëse duhen shembur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:11
Tiranë/ Dje u shemb e para, sot prishen edhe dy godina të tjera në Qytet Studenti

Shembet në Qytet Studenti godina nr. 15 e cila banohej nga familjarë prej shumë vitesh dhe jo studentë, ndërsa tërmeti i 26 Nëntorit e nxori të pabanueshme si pasojë e dëmeve të shumta. Familjarëve  në 3 godina përkatësisht ajo 15, 18, 19 me 140 familje ju njoftua se godinat janë të pabanueshme, duke i detyruar që të nxjerrin gjitha orenditë personale jashtë. Pas largimit të banorëve ka qenë radha e fadromave të cilat  nisën  shembjen e godinës. Fillimisht u planifikua shembja me eksploziv, por pas një vlerësimi të dytë u ndryshua vendimi.

Shembja totale e të 3 godinave pritet që të zgjasë, pasi po bëhet me mjete të rënda. Të gjithë banorët që jetonin në këto 3 godina kanë përfituar nga bonusi i qirasë duke u zhvendosur në ambiente të tjera. Ndërkohë që në Qytet Studenti do të shemben edhe dy godina të tjera, nr. 18 dhe nr. 19, të cilat kanë pësuar dëmtime në strukturë. Në ndihmë të fadromave të IMT së bashkisë Tiranë ka qenë dhe zjarrfikësja e cila me anë të ujit bënte të mundur largimin e tymit si shkak i shembjes së godinave të rrënuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ora 14:54
Lezhë/ Banorët e pallatit 5 katësh: Flemë ende në makina, inxhinierët erdhën por nuk dhanë vlerësim

Kanë kaluar gati 2 javë nga tërmeti i 26 nëntorit, por ende nuk ka një vlerësim zyrtar nga inxhinierët për pallatin 5-katësh në lagjen "Gurra" të qytetit të Lezhës. Objekti është ndërtuar para viteve '90 dhe ka pësuar dëmtime serioze nga tërmeti. Banorët thonë se kanë frikë të qëndrojnë në apartamentet e tyre. Në këto kushte ata shprehen se detyrohen të flemë në makina apo tek të afërmit prej dy javësh. Ata thonë se ixhinierët e kanë verifikuar pallatin, por nuk kanë dhënë ende asnjë konkluzion nëse është apo jo i banueshëm.

“Muret e pallatit janë çarë, kanë ardhur disa inxhinierë dhe  e kanë parë por nuk kanë dhënë asnjë vlerësim. Po mendojmë vdekjen ore e sekond. Këto ditë kemi qëndruar tek të afërmit pasi kemi frikë të rrimë në banesë’, - pohuan banorët e pallatit.

Bashkia Lezhë bën me dije se grupet e punës vijojnë inspektimet në terren dhe për çdo objekt po bëhet akti i konstatimit. Për pallatet që shkalla e dëmtimit është e lartë do bëhet bllokimi i tyre deri në një inspektim më të specializuar nga ekspertët e huaj.

1575899721_pallatilezhe.jpg

Ora 14:06
BILANCI: 460 objekte për tu shembur në qarkun e Durrësit, kryeson Shijaku, mbyllet procesi në Thumanë e Bubq

Nga inspektimi i kryer deri më tani në terren nga grupet e ekspertëve shqiptarë e të huaj. Në Qarkun e Durrësit janë verifikuar deri më tani në total, 6048 objekte. Teksa deri më tani në qarkun e Durrësit janë shembur 43 objekte, nga verifikimet që janë bërë, mbeten për tu shembur edhe 460 godina. Ndërkohë është mbyllur procesi i shembjeve në Thumanë, ku në total në këtë zonë u prishën 10 objekte, njëra shkollë, dhe të tjerat pallate. E njëjta situatë edhe në Bubq ku procesi është mbyllur me shembjen e vetëm dy objekteve, 1 shkollë dhe një pallat 2 katësh.

Zyra e drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore bëri publike shifrat:

INSPEKTIME

6048 objekte të inspektuara gjithsej deri tani në Qarkun Durrës.

Bashkia Durrës – 1963 Objekte të inspektuara, 639 të pabanueshme, 88 për tu prishur;
Bashkia Krujë – 2428 Objekte të inspektuara, 910 të pabanueshme, 27 për t'u prishur;
Një informacion shtesë për Bashkinë Krujë: Është kryer dje shembja me lëndë plasëse e një masivi shkëmbor, i cili ishte në rrezik shembje dhe përbënte rrezik për banesat poshtë tij.
Bashkia Shijak – 1657 Objekte të inspektuara, 901 të pabanueshme, 345 për t'u prishur;

OBJEKTE TË SHEMBURA
43 objekte të shembura gjithsej deri tani në Qarkun Durrës

Bashkia Durrës

Janë prishur gjithsej 31 objekte nga të cilat:
 2 pallate (5-katësh dhe 6-katësh) janë prishur me shpërthim të kontrolluar nga forcat xhenio të Ministrisë së Mbrojtjes)
3 hotele  (Hotel “Gostivari” 6-katësh,  Hotel “Vila Verde” 5-katësh, Hotel “Ljubjana” 5-katësh

26 objektet e tjera kanë qenë me funksion banimi.

Aktualisht, po prisht një objekt në Durrës.

Thumanë, Bashkia Krujë;
10 objekte janë prishur gjithsej, nga të cilat:
1 Shkollë 9-vjeçare në Thumanë,  objekt 2-katësh;
 2 pallate 2-katëshe;
 7 pallate 5-katëshe.

Bubq, Bashkia Krujë:
 2 objekte  janë prishur gjithsej, nga të cilat:
1 shkollë,  Shkolla  9-vjecare në fshatin Bubq, Bashkia Krujë;
1 pallat  2-katësh;

Në të gjitha objektet e shembura po punohet me procesin e pastrimit të inerteve.

Në Bashkinë Durrës, janë dëmtuar 12 institucione arsimore,  dhe 7071 nxënës të këtyre shkollave janë transferuar në 15 shkolla të tjera pritëse.

SHËNDETËSIA

4,664 vizita të kryera në njësitë akomoduese.
1,213 qytetarë të vaksinuar me vaksinën antigrip në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë).
533 të sëmurë kronikë të strehuar në qendrat e akomodimit, të cilëve ju është mundësuar ofrimi i barnave me rimbursim.

QENDRA DISPEÇER
Deri në orën 11:00 të ditës së sotme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 630 (Tiranë – 277; Durrës – 302; Lezhë – 49; Elbasan – 1; Shkodër - 1).

Sërisht, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 538 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

AKOMODIMI
Përsa i përket strehimit dhe akomodimit në Manzë, situata paraqitet si në vijim:

-81 qytetarë janë strehuar në njësitë lëvizëse të banimit dhe po punohet edhe për strehimin në kushte më optimale 20 qytetarëve, të cilët aktualisht janë të strehuar përkohësisht në çadër
-200 çadra dimërore po ngrihen në këtë zonë për strehim të banorëve pranë shtëpisë së tyre.

Aktualisht po shpërndahen paketa ushqimore, veshje, krevate portative dhe gjithçka tjetër që nevojitet për këta qytetarë.

Ora 13:10
Laç/ Spitali pësoi dëme nga tërmeti, ngrihet çadër - urgjencë (VIDEO)

Me vendosjen e shiritit të kuq në Spitalin e Laçit dhe deri në ndërhyrjen për të riparuar dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit, jashtë ambienteve të spitalit është ngritur një çadër për të ofruar shërbimin e urgjencës.

"Kemi evakuuar shumicën e shërbimeve në spitalin e Lacit, në Lezhë. Po ngrihen dy tenda mjekësore, kemi marrë disa nga godinat që po i përdorim në afërsi të spitalit të Laçit. Sot kemi një ambulancë që është duke kryer kontrolle në të gjithë banorët që ndodhen në çadra. Godina është nxjerrë për tu evakuuar deri në një rikonstruksion të pjesshëm apo në ndërhyrje në muraturë apo pjesë të tjera, pra nuk është për tu shembur. Më e rëndësishme është të ketë siguri për pacientët", shprehet Etjan Xhafaj - Përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë.

1575893454_lai.jpg

Ora 12:19
Laç/ I vihet shiriti i kuq spitalit, pacientët transferohen në Lezhë! (VIDEO)

Godina e spitalit të Laçit ka pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, duke bërë që të vendoset shiriti i kuq, që tregon se objekti përbën rrezikshmëri dhe brenda tij nuk mund të qëndrojnë stafi apo pacientët. Pjesa më e madhe e personelit dhe të pacientëve janë transferuar në Spitalin e Lezhës gjatë ditës së djeshme. Në spitalin e Lezhës ndodhet edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, për të ndjekur nga afër procesin. Dëmtimet më të mëdha janë në pjesën tjetër të godinës së spitalit e cila ka qenë e amortizuar, tek pavionet, ku janë të shtruar pacientët të cilët janë transferuar në Lezhë.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Nënkryetari i Bashkisë Himarë, Previn Gjikuria tregon pse u tërhoq në momentet e fundit nga votimi për drejtimin e Himarës

Nënkryetari i Bashkisë Himarë, Previn Gjikuria tregon pse u tërhoq në momentet e fundit nga votimi për drejtimin e Himarës